Mungesë e inspektorëve sanitarë në disa komuna të Kosovës

Inspektorati Sanitar ka thënë se personat që nuk vendosin maska gjobiten në vlerë prej 500 euro.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, për një javë (24 deri 30 shtator) në Kosovë ka zhvilluar 3,528 inspektime për mos zbatim të masave të reja kundër koronavirusit, të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Zyrtarë të kësaj agjencie kanë thënë se nga këto inspektime, 24 gjoba janë shqiptuar për persona fizikë dhe 39 gjoba për personat juridikë. Kjo agjenci në fokus ka mbikëqyrjen e masave, siç është orari i punës nga lokalet e gastronomisë, mbajtjen e ahengjeve, grumbullimin e njerëzve, distancën e tavolinave, e të tjera.

Në Kosovë, të hënën, më 27 shtator, kanë hyrë në fuqi masat e reja për luftimin e pandemisë së koronavirusit. Këto masa, në të shumtën e rasteve përfshijnë kërkesa për dëshminë e vaksinimit kundër këtij virusi. Në lokalet e gastronomisë por edhe në qendrat tregtare, në hapësirat e mbyllura nuk mund të hyhet pa certifikatën e vaksinimit ose testet negative për COVID-19.

SHIKONI EDHE: Masat e reja në Kosovë të fokusuara në vaksinim

Këto lokale mund të shfrytëzojnë 50 për qind të hapësirës së mbyllur ndërsa 70 për qind të hapësirës së hapur.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa lokale në Prishtinë mirëpo në shumicën e tyre nuk ka pasur punëtorë që kontrollojnë klientët para se të hyjnë brenda nëse janë të vaksinuar apo jo.

Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës se Kosovës, organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore janë Policia e Kosovës, inspektorët shëndetësorë, farmaceutikë, sanitarë dhe inspektorët komunalë.

SHIKONI EDHE: Delta dhe mosvaksinimi zmbrapsin përparimin në SHBA

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është organi kompetent për monitorimin e zbatimit të masave në sektorin e gastronomisë. Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë agjenci, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë duke monitoruar zbatimin e masave në gjitha komunat e Kosovës, pasi sipas tij, tashmë ka numër të mjaftueshëm të inspektorëve.

“Ne tani kemi numër më të madh të inspektorëve, sepse kemi të angazhuar inspektorë me kontrata nga Ministria e Shëndetësisë. Fillimisht 85 inspektorë dhe një grup i dytë që ka ardhur, tani janë 135 inspektorë të cilët merren ekskluzivisht me monitorimin e zbatimit e masave kundër COVID-19. Dhe, këta mbështetën nga inspektorët e përhershëm në AUV dhe inspektorët komunalë. Ne në autoritet i kemi pasur vetëm 12 inspektorë, tani numri është më i madh, për shkak të kalimit të inspektorëve komunalë”, thekson Thaçi.

Për moszbatimin e masave, personi juridik që organizon aktivitetet të ndaluara, dënohet me gjobë prej 500 deri në 2000 mijë euro.

Kush monitoron zbatimin e masave kundër koronavirusit në komuna?

Ndryshe qëndron situata në disa nga komunat e Kosovës. Aktualisht, komuna e Ferizajit dhe ajo e Lipjanit, nuk kanë asnjë inspektorë sanitarë, ndërkaq komuna Prizrenit ka katër inspektorë, të cilët në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) po kujdesën për zbatimin e masave të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë se koronavirusit në komuna.

Zyrtarë nga komuna e Ferizajit, pohojnë se nuk kanë shumë informata sa inspektime dhe ndëshkime janë shqiptuar për mos respektim të masave, pasi katër inspektorët sanitarë nga niveli lokal kanë kaluar në AUV. Drejtori Inspektoratit në këtë komunë, Hajrush Leka thotë se nuk ka ndonjë informacion për inspektime, sepse nuk kanë kontaktuar më zyrtarë të AUV-it.

“Nuk di a ka inspektuar AUV në komunën e Ferizajit dhe nuk kanë ardhur nga dera jonë” , tha ai.

Edhe komuna e Lipjanit përveç mungesës se inspektorëve sanitarë, përballet edhe mungesë të inspektorëve të fushave të tjera. Nga komuna e Lipjanit, dy inspektorë sanitarë që kanë qenë të punësuar në komunë kanë kaluar në AVU, thotë Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit.

SHIKONI EDHE: OBSH-ja më pesimiste për fundin e pandemisë

“Në komunën e Lipjanit tashmë nuk kemi inspektorë sanitarë dhe qeveria nuk lejon të rritet kapaciteti. Madje ka mungesë të stafit të inspektorëve të fushave tjera, por nuk na është lejuar rritja e numrit të tyre. Qeveria shumë rrallë ka sjell inspektorë në komunë për të monitoruar gjendjen”, tha ai.

Situata me ndryshe paraqitet në komunën e Prizrenit. Atje ende punojnë katër inspektorë sanitarë, të cilët për çdo ditë gjendën në terren thotë Edon Muçaj, drejtor i Inspektoratit në këtë qytet. Ai tregon se në bazë të një marrëveshjeje me AUV-in, inspektorët e komunës inspektojnë deri në orën 16:00, ndërkaq pas orës 16:00 kontrollojnë inspektorët e rinj të cilët i ka marrë ministria.

“Edhe katër inspektorë janë pak, sepse përveç monitorimit të masave kundër COVID-19, ne kemi edhe kontrolle të përditshme, kontrollojmë gastronominë edhe për çështje tjera, jo vetëm anti-COVID. Por, ne kemi bërë një autorizim të brendshëm, ku kemi autorizuar inspektorët e tregut dhe shërbimeve komunale që të merren më këtë çështje.

AUV: Transferimi i inspektorëve, me bazë ligjore

Se disa inspektorë nga muaji shtator, nga niveli lokal janë transferuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë edhe Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë agjenci. Transferimi ka ndodh në bazë të Ligjit të Ushqimit, më qëllim që kontrolli të realizohet nga një autoritet i vetëm, ai qendror. Megjithatë, ai tregon se AUV-i, me të gjitha komunat e Kosovës ka bashkëpunim të mirë dhe aktivitetet i kanë koordinuar më zyrtarë të nivelit lokal.

“Ashtu siç është e përcaktuar më Ligjin e Ushqimit, të gjithë inspektorët e kontrolli sanitarë, fitosanitarë dhe veterinarë, janë një autoritet dhe ne jemi duke realizuar edhe mbikëqyrjen e zbatimit të masave por edhe kontrollin ushqimor. Pra, për këtë është përgjegjës vetëm Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës” thotë Thaçi.

“Disa inspektorë që i përkasin sektorit sanitarë, fitosanitarë dhe veterinarë ashtu siç ka qenë e rregulluar më ligj dhe me memorandume të nënshkruara me komunat, ata janë transferuar në AUV, por si punë dhe detyra shtesë janë duke kryer ende nëpër disa komuna”, shprehet ai.

Përveç Agjencisë se Ushqimi dhe Veterinarisë, edhe Policia e Kosovës për dy ditë (27-28 shtator) kanë shqiptuar rreth 1300 gjoba për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar vendimin e qeverisë se Kosovës për mbajtjen e maskës. Personi që nuk respekton këtë vendim, në bazë të ligjit dënohet me gjobë prej 35 eurosh.