Ndërlidhjet

Masat e reja në Kosovë të fokusuara në vaksinim


Disa qytetarë të Kosovës pushojnë pasi morën dozën e parë të vaksinës Covid-19 në një qendër vaksinimi në Prishtinë, 23 gusht 2021.
Disa qytetarë të Kosovës pushojnë pasi morën dozën e parë të vaksinës Covid-19 në një qendër vaksinimi në Prishtinë, 23 gusht 2021.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovës, Arben Vitia, tha se të premten Qeveria e Kosovës pritet të miratojë masat e reja kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19, në të cilat përfshihet edhe kërkesa për dëshminë e vaksinimit në hyrje të objekteve gastronomisë, qendrave tregtare dhe një sërë institucionesh publike dhe private.

Ai tha se nga data 27 shtator do të fillojë mësimi në shkolla ndërsa aktivitetet sportive në ambientet e mbyllura mund të zhvillohen me 10 për qind të kapacitetit dhe vetëm pasi që pjesëmarrësit të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit ose testet PCR apo antigjen. I njëjti rregull do të vlejë edhe për organizimet kulturore.

Në ambientet e hapura mund të zhvillohen aktivitetet me 30 për qind të kapacitetit me të njëjtin rregull të pjesëmarrjes.

Në fund të muajit gusht, autoritetet në Kosovë vendosën masa të reja kufizimi pasi situata epidemiologjike ishte përkeqësuar.

Më 29 gusht është shënuar dita më tragjike, me 36 viktima, që prej kur është paraqitur pandemia, në mars të vitit të kaluar.

Të enjten (23 shtator) në Kosovë janë regjistruar edhe 2 raste të vdekjes nga koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor ka njoftuar se janë regjistruar edhe 133 raste të reja të të infektuarve bazuar në 4.139 mostra të testuara.

Gjatë muajve të verës në Kosovë nuk ka pasur pothuajse asnjë masë kufizimi që do të parandalonte përhapjen e koronavirusit.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se përkundër faktit se ka një përmirësim të situatës epidemiologjike në Kosovë dhe numri i viktimave ka shënuar rënie, prap se prap, shifrat janë brengosëse.

Edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se është shënuar rënie e numrit të të hospitalizuarve. Drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi, tha se që nga dita e mërkurë (22 shtator) kanë rifilluar shërbimet në ambulance specialistike ndërkohë që nga e hëna e ardhshme (27 shtator) fillon programi i rregullt i operacioneve kirurgjike të natyrave jourgjente.

Të enjten, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në spitalet publike trajtim mjekësor nga COVID-19 po marrin 455 pacientë.

“Prej tyre 361 me oksigjeno-terapi dhe 42 në gjendje të rënduar shëndetësore në kujdes intensive”, thuhet në njoftim.

Ministri Vitia tha se deri të enjten 62 .1 për qind e popullatës mbi 16 vjeç është vaksinuar me një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 38.7 janë vaksinuar me dy doza.

“Nuk kemi alternativë tjetër përveç vaksinimit sepse vetëm në këtë mënyrë parandalojmë një valë të re të pandemisë”, tha Vitia.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë do ta kenë të vështirë të vaksinojnë 60 për qind të popullatës kundër sëmundjes COVID-19, deri në fund të këtij viti, thotë epidemiologu, Isuf Dedushaj dhe infektologu, Xhevat Demiri. Sipas tyre, në këtë proces, problem po paraqet hezitimi i qytetarëve që të imunizohen.

Në Planin Shtetëror të Imunizimit dhe në programin e Qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thuhet se “deri në fund të këtij viti, në Kosovë do vaksinohet 60 për qind e popullatës”.

Dinamika e vaksinimit është solide për të besuar që edhe tre muaj mund të vaksinohen edhe 40 për qind e mbetur e popullsisë së përgjithshme, thotë për Radion Evropa e Lirë, infektologu Xhevat Demiri. Mosvaksinimi i qytetarëve, sipas tij, pamundëson imunizimin kolektiv të popullatës.

“Dëshira është tjetër dhe mundësia tjetër. Ajo që po vërehet kohëve të fundit, qytetarët nuk janë shumë të interesuar për vaksinim për shkak të disa teorive konspirative që po shkruhen”, shprehet ai.

Ekspertët në Kosovë theksojnë se imuniteti i tufës ndaj koronavirusit do të arrihet pasi të vaksinohet 70 deri në 80 për qind e popullatës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG