Moti i ngrohtë përshpejton mbjelljet bujqësore

Fermeri Gjylazim Ibrahimi dhe djali i tij duke kryer mbjelljet pranverore.

Zhurma e traktorëve e thyente qetësinë e fshatit Bukosh të Vushtrrisë, mëngjesin e 11 prillit.

Fermeri Gjylazim Ibrahimi me djalin e tij po kryenin mbjelljet pranverore.

Që të dy nguteshin që të kryenin sa më shpejt punët në njërën nga arat, të cilën e mbjellin me misër që shumë vjet.

“Merrem me mbjelljen e misrit që 17 vjet”, thotë Gjylazimi.

Këtë vit, mbjelljen po e kryejnë më herët se zakonisht për shkak të motit të mirë.

Më 11 prill, temperatura më e lartë në Kosovë u regjistrua 23 gradë celsius.

Përkundër punës së madhe që kërkon, fitimi nga kultivimi i misrit nuk është aq i lartë.

Viteve të fundit është vërejtur rënie e çmimit të misrit në treg.

Gjylazimi thotë se një thes misër, rreth 25 kilogramësh, aktualisht kushton 10 euro.

“Nëse vazhdon ky çmim, i cili është në treg tani, nuk ja vlen ta mbjellësh misrin”, thotë Gjylazimi.

Më pesimist Gjylazimin e bën rritja e çmimit të farës së misrit dhe të plehrave artificiale.

Përkundër subvencioneve që fermerët marrin, Gjylazimi thotë se vlera e mbjelljes së misrit është rritur vazhdimisht.

“Në këto vitet e fundit është shumë shtrenjtë mbjellja e misrit. Çmimi i farës së misrit është nga 37 euro deri në 42, ndërsa plehu 14 euro, fara më mirë, e cila vjen nga Amerika, është 42 euro”, thotë ai.

Këto çmime kanë qenë më të ulëta në të kaluarën.

“Nëse e krahason me vitet e kaluara, çmimet kanë qenë më të lira. Fara [e misrit] e ka pasur çmimin 22 deri në 25 euro, ndërsa plehu artificial ka qenë 8 euro, tani është 14 euro”, thotë ai.

Sa mbjell Kosova misër?

Sipas të dhënave të fundit zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sipërfaqja totale e mbjellur me drithëra në vitin 2022 ishte rreth 124 mijë hektarë.

Këto të dhëna tregojnë se edhe në vitin 2022 sipërfaqen më të madhe të drithërave e kanë përbërë dy kulturat kryesore, që janë gruri dhe misri.

“Gjashtëdhjetë e katër për qind apo 79.984 e sipërfaqes totale të drithërave, ishte e mbjellur me grurë dhe 32 për qind apo 39.797 hektarë ishin të mbjellura me misër. Drithërat tjera si elbi, thekra, tërshëra dhe grupi tjetër i drithërave kokërr, kishin sipërfaqe më të vogla”, thuhet në Raportin e Gjelbër 2023.

Me sasinë e prodhuar prej rreth 175 tonësh, Kosova mbulon 81 për qind të nevojave të saj. Pjesa më e madhe e misrit është përdorur si ushqim i kafshëve.

Konsumi mesatar për kokë banori për misër, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje misri në vitin 2022, ishte 40 kilogramë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, vlera e subvencioneve për pleh ishte 150 euro për hektarë për grurë, dhe 100 euro për hektarë për misër, patate dhe fasule monokulturë.