Para 25 vjetëve, më 9 gusht 1999, presidenti rus Boris Yeltsin e emëroi Vladimir Putinin si kryeministër dhe e zgjodhi atë si pasuesin e tij, duke u bërë thirrje rusëve të votonin për atëherë ish-oficerin e panjohur të KGB-së në zgjedhjet presidenciale të vitit pasues.
Prej atëherë, Putini ka qenë herë president, e herë kryeministër. Pas tetë vjetëve si president, ai dha dorëheqje dhe u bë kryeministër nga viti 2008 deri në vitin 2012, për ta shmangur shkeljen e Kushtetutës, e cila lejonte vetëm dy mandate të njëpasnjëshme. Por, më vonë, ai e shtyu përpara një ndryshim në Kushtetutë që ia mundësoi atij ta sigurojë një mandat të ri gjashtëvjeçar si president në mars të këtij viti, si dhe të drejtën për të garuar përsëri më 2030.
SHIKONI EDHE: Mandati i ri i Putinit, një epokë me fuqi të jashtëzakonshmePushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022 dhe ka shkaktuar vdekje të mëdha dhe shkatërrim masiv, e ka karakterizuar kohën e Putinit në pushtet më shumë se çdo gjë tjetër.
Qindra mijëra luftëtarë dhe civilë janë vrarë. Miliona ukrainas janë zhvendosur nga lufta më e madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, derisa qindra mijëra rusë kanë ikur nga vendi i tyre, qoftë për ta kundërshtuar luftën, apo për ta shmangur thirrjen në ushtri.
Lufta ka ndikuar që Putini ta rrisë shtypjen e kundërshtarëve, mediave të pavarura dhe aktivizimit qytetar. Ajo ka shërbyer si arsyetim për ta rritur indoktrimin nacionalist në shkolla dhe në institucionet kulturore, si dhe për zbatimin e legjislacionit drakonian, i cili mund ta përcaktojë rrugën që merr Rusia në të ardhmen.
SHIKONI EDHE: Regjimi i Putinit që shtyp këdo që e kundërshtonPor, derisa shkalla e saj është shumë më e madhe, lufta është vetëm njëra nga ngjarjet e mëdha që e kanë shënuar epokën e Putinit. Radio Evropa e Lirë u hedh një vështrim disa prej më të rëndësishmeve.
Bombardimi i ndërtesave të banimit
Rreth një muaj pasi Putini u bë kryeministër, Rusia u trondit nga një varg bombardimesh mbi banesat e banimit, ku u vranë më shumë se 300 njerëz dhe u plagosën mbi 1.000 të tjerë në shtator 1999. Qeveria i fajësoi militantët çeçenë, por askush nuk e mori përgjegjësinë për sulmet.
Dorasit ishin në gjendje disi t’i prodhonin apo t’i siguronin disa tonë eksplozivë, t’i zhvendosnin ato nëpër qytete në gjithë vendin dhe t’i kurdisnin ato në mënyrë profesionale duke shkaktuar shembjen e ndërtesave. Për më tepër, një mjet i dyshimtë u gjet dhe u çmontua në një ndërtesë banimi në Razan, më 22 shtator, gjatë një incidenti bizar ku u arrestuan tre operativë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) nga policia lokale. Më vonë, drejtori i FSB-së, Nikolai Patrushev, tha se bëhej fjalë për një stërvitje kundër terrorizmit, por dyshimet ngelin sot e kësaj dite.
Disa njerëz të përfshirë në hetimet e pavarura të bombardimeve – përfshirë ish-oficerin e FSB-së Aleksandr Litvinenko dhe deputetët e Dumës Yury Shchekochikhin dhe Sergei Yushenkov – u vranë në vitet pasuese. Njëzet ditë pas bombardimeve të para, Putini e nisi Luftën e Dytë Çeçene.
Lufta e Dytë Çeçene
Lufta e Dytë Çeçene përfundoi zyrtarisht në prill 2000, por një gjendje emergjente mbeti në fuqi deri në prill 2009, për shkak të rebelimit të vazhdueshëm në Kaukazin e Veriut.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, rreth 50.00 deri në 80.000 civilë, militantë dhe ushtarë rusë u vranë gjatë luftimeve që shpesh ishin brutale. Në një raport më 2007, Amnesty International tha se rreth 25.000 civilë u vranë, ndërsa mijëra të tjera u zhdukën. Komisioni i Pavarur i Nënave të Ushtarëve vlerësoi më 2005 se rreth 14.000 ushtarë rusë u vranë. Burimet çeçene thanë se numri është shumë më i lartë.
Lufta i ndihmoi Putinit ta emërojë ish-luftëtarin separatist, Ramzan Kadyrov, kryetar të rajonit, një pozitë që ai e mban prej vitit 2007. Prej atëherë, aktivistët, reporterët dhe viktimat kanë dhënë dëshmi të mëdha që e lidhin atë me shkelje serioze të të drejtave të njeriut, përfshirë vrasje jashtëgjyqësore në Rusi dhe jashtë vendit, rrëmbime dhe zhdukje, torturë dhe përndjekje të komunitetit LGBT.
SHIKONI EDHE: A është Putini car i kohës moderne?Putini e ka vazhduar mbështetjen për Kadyrvin dhe Qeveria kurrë nuk i ka hetuar akuzat kundër tij. Lufta shënoi edhe fillimin e shfarosjes së federalizmit rus nga Putini dhe krijimit të ashtuquajturit “pushtet vertikal”.
Fundosja e Kurskit
Më 12 gusht 2000, nëndetësja bërthamore, Kursk, u bë copa-copa nga shpërthimet dhe u fundos derisa po merrte pjesë në stërvitjen e parë të madhe detare të Rusisë në një dekadë. Të gjithë 118 anëtarët në bord vdiqën, megjithëse 23 u mbijetuan shpërthimeve fillestare dhe jetuan për gjashtë orë të tjera apo më shumë.
Putini u kritikua gjerësisht në atë kohë, duke përfshirë në televizionin shtetëror dhe nga zyrtarë qeveritarë dhe të afërm të viktimave, për vazhdimin e pushimeve të tij verore në Soçi gjatë krizës. Ushtria dhe Qeveria ruse u kritikuan gjithashtu për refuzimin e ofertave nga jashtë për ndihmë gjatë fazës fillestare vendimtare.
Pas fundosjes, Putin filloi me zell të vinte nën kontroll mediat ruse. Nga mesi i vitit 2001, NTV-ja dikur e fortë ishte vënë nën kontrollin de facto të shtetit, ndërsa televizioni ORT në pronësi të një manjati ishte transformuar në Channel One të kontrolluar nga shteti deri në vitin 2002.
Kriza me pengje në teatrin muzikor në Moskë
Më 23 tetor 2002, gati 50 persona të armatosur çeçenë hynë në teatrin Dubrovka në Moskë gjatë një shfaqjeje muzikore Nord-Ost dhe mbajtën peng qindra njerëz për 57 orë, duke kërkuar tërheqjen e forcave ruse nga Çeçenia. Gjatë asaj agonie, figura të shquara politike dhe kulturore zhvilluan bisedime me pengmarrësit dhe rreth 300 nga 912 pengjet u liruan.
SHIKONI EDHE: Në Krime kapet një i dyshuar për pengmarrjen në teatër më 2002Në fillim të 26 tetorit, njësitë e forcave speciale bastisën teatrin pasi e mbushën me një anestezik aerosol të paidentifikuar. Ministri rus i Shëndetësisë më vonë tha se kimikati ishte i bazuar në fentail opioid.
Qeveria e Putinit tha se 132 pengje dhe 40 terroristë u vranë në bastisje, megjithëse burime të pavarura besojnë se rreth 200 pengje vdiqën, shumica për shkak se nuk iu kushtua kujdesi i duhur pasi u tërhoqën zvarrë nga ndërtesa pandjenja. Një zyrtar shëndetësor i Moskës më vonë tha se vetëm një peng vdiq nga plagët me armë zjarri.
Qeveria ishte kritikuar gjerësisht për dështimin në përgatitjen për të trajtuar pengjet për efektet e gazit, si dhe për gabimet e sigurisë që lejuan një autobus me terroristë të armatosur rëndë të depërtonte pa u zbuluar në kryeqytet.
Sulmi në shkollë në Beslan
Në ditën e parë të shkollës në 2004, më 1 shtator, më shumë se 30 sulmues morën peng mbi 1,100 nxënës, prindër dhe personel në një shkollë në qytetin Beslan të Osetisë së Veriut. Shumica e pengjeve u mbajtën për më shumë se 52 orë në një gjimnaz të nxehtë dhe të mbushur me njerëz.
Pak pas mesditës së 3 shtatorit, u dëgjuan të paktën dy shpërthime, ndërsa një zjarr shpërtheu në çatinë e shkollës. U shkëmbyen të shtëna me armë zjarri dhe forcat ruse të sigurisë filluan ta sulmojnë ndërtesën, të mbështetur nga tanket dhe helikopterët. Pas disa orësh luftimesh intensive, rreth gjysma e militantëve u arratisën.
Putin e bëri një vizitë të shkurtër në vendngjarje më 4 shtator, por nuk u takua me familjet e viktimave. Autoritetet thanë se 334 pengje u vranë, përfshirë 186 fëmijë.
Pas kësaj, Qeveria ruse u kritikua përsëri për gabimet e sigurisë që ua mundësuan terroristëve ta kryejnë sulmin. Kritikët thanë se ndërhyrja ishte i përgatitur keq dhe se Qeveria nuk kishte sjellë paraprakisht pajisje dhe personel të mjaftueshëm mjekësor.
Pas sulmit, Qeveria e Putinit miratoi legjislacionin kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit që kritikët thonë se është përdorur prej atëherë për të goditur gjithnjë e më fort disidencën politike dhe aktivizmin e të drejtave të pakicave.
Putini gjithashtu shtypi demokracinë, duke eliminuar zgjedhjen e drejtpërdrejtë të liderëve rajonalë, duke riorganizuar sistemin legjislativ për t'i mundësuar partisë në pushtet "Rusia e Bashkuar" të çimentojë kontrollin e saj mbi Parlamentin dhe duke rritur kontrollin shtetëror mbi median dhe organizatat qytetare.
Helmimi i Aleksandr Litvinenko
Aleksandr Litvinenko, një ish-oficer i FSB-së, i shndërruar në kritik të Kremlinit, vdiq në Londër në vitin 2006 nga helmimi akut nga rrezatimi. Hetuesit britanikë arritën në përfundimin se ai ishte helmuar me polonium-210, i derdhur në pijen e tij në një hotel luksoz në Londër nga Andrei Lugovoi, një ish oficer i FSB-së dhe anëtar aktual i Dumës së Shtetit, si dhe nga Dmitry Kovtun, një ish-oficer i KGB-së.
Litvinenko, 44 vjeç, kishte qenë kritik i ashpër i Putinit, duke e akuzuar atë për krijimin e një "shteti mafioz" dhe duke shkruar dy libra që pretendonin përfshirjen e agjencisë ruse të sigurisë në bombardimet e vitit 1999 në një bllok apartamentesh. Disa javë para helmimit të tij, ai pretendoi se Putini kishte urdhëruar vrasjen e gazetares së shquar hulumtuese, Anna Politkovskaya, e cila u qëllua për vdekje në Moskë në ditëlindjen e Putinit, në tetor 2006.
SHIKONI EDHE:
Rusët që vdiqën pas përplasjeve me Kremlinin Helmet që rrëzojnë kritikët e KremlinitEdhe pse nuk ishte vrasja e parë jashtë vendit e lidhur me agjentët e sigurisë ruse, ajo ishte ndër më të spikaturat, pasi vrasësit lanë një gjurmë radioaktive nëpër kryeqytetin e një anëtari të NATO-s. Dukej se parashikonte tentativën për vrasjen e ish-oficerit të inteligjencës ruse, Sergei Skripal, në qytetin britanik Salisbury me një agjent nervor vdekjeprurës në vitin 2018.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e shpalli Rusinë përgjegjëse për vdekjen e Litvinenkos dhe urdhëroi Moskën të paguajë 100.000 euro dëmshpërblim. Forcat ruse të sigurisë u lidhën më vonë me tentativat për helmim që synonin armiqtë politikë të brendshëm të Kremlinit, duke përfshirë liderët e opozitës Aleksei Navalny dhe Vladimir Kara-Murza.
Vdekja e Sergei Magnitsky në paraburgim
Në nëntor 2009, avokati Sergei Magnitsky, 37 vjeç, vdiq pas 11 muajsh në paraburgim, gjatë të cilit mbështetësit thanë se ai mohoi kujdesin mjekësor, u rrah dhe u përballë me kushte deri në torturë.
Magnitsky ishte përndjekur nga të njëjtët zyrtarë të Ministrisë së Brendshme që ai i kishte akuzuar për një mashtrim tatimor prej 230 milionë dollarësh. Ella Pamfilova, në atë kohë kryetare e këshillit të të drejtave të njeriut të presidentit Dmitry Medvedev, e quajti vdekjen e Magnitsky "vrasje dhe tragjedi".
SHIKONI EDHE: SHBA: Përkujtohet Magnitsky që vdiq në burgun e MoskësNë vitin 2012, Shtetet e Bashkuara miratuan Aktin Magnitsky, i cili lejon vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë që besohet se janë shkelës të të drejtave të njeriut.
Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera kanë miratuar ligje të ngjashme. Moska u hakmor duke ua ndaluar shtetasve amerikanë të birësojnë fëmijë rusë.
Vdekja e Magnitsky konsiderohet si një pikë referimi në përkeqësimin e marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin, të cilat u përshpejtuan kur Moska pushtoi Krimenë dhe nxiti luftën në Ukrainën lindore në vitin 2014.
Rrëzimi i avionit MH17
Më 17 korrik 2014, avioni 17 i Malaysia Airlines (MH17) u rrëzua nga militantët separatistë të mbështetur nga Rusia mbi Ukrainën lindore, duke lënë të vdekur që të gjithë 298 pasagjerët dhe ekuipazhin.
Megjithëse Rusia mohoi përfshirjen në incident dhe fajësoi ushtrinë ukrainase, një hetim ndërkombëtar gjithëpërfshirës në vitin 2016 gjeti se avioni ishte rrëzuar nga një sistem kundërajror rus, i quajtur Buk, që ishte sjellë nga Rusia ditën e incidentit dhe ishte kthyer me nxitim në Rusi menjëherë pas incidentit.
SHIKONI EDHE:
Pikëpyetjet e një nëne 10 vjet nga rrëzimi i avionit të fluturimit MH17Gjykata holandeze konfirmon se avioni civil MH17 u rrëzua nga një raketë ruseNjë gjykatë në Holandë, ku filloi fluturimi MH17, dënoi tre rusë dhe një militant ukrainas në mungesë për vrasje në vitin 2022 dhe tha se Rusia kishte pasur kontrollin e forcave militante në atë kohë.
Një prokuror holandez tha se kishte "indikacione të forta që [Putini] vendosi t'u jepte kundërajrorë Buk separatistëve". Fatkeqësia MH17 luajti rol të rëndësishëm në nxitjen e pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, mediat dhe kanalet e mediave sociale të kontrolluara nga Kremlini zhvilluan dhe përsosën atë që u bë e njohur si "modeli i propagandës dhe gënjeshtrës", qëllimi i të cilit nuk është të bindë njerëzit për asgjë, por më tepër të ngatërrojë turbullojë çështjet derisa njerëzit të arrijnë në përfundimin se e vërteta është e panjohur.
"Propaganda ruse argëton, ngatërron dhe mbingarkon audiencën," shkruan studiuesit në grupin e ekspertëve Rand Corporation në një studim të vitit 2016.
Vrasja e Boris Nemtsovit
Në fund të 27 shkurtit 2015, ish-zëvendëskryeministri dhe politikani kryesor opozitar, Boris Nemtsov, u qëllua për vdekje në një urë pranë Kremlinit.
Një nga armiqtë më të shquar të Putinit, Nemtsov ishte një kritik i zëshëm i agresionit që Rusia nisi kundër Ukrainës në vitin 2014 dhe kishte punuar për një raport - të plotësuar nga aleatët pas vdekjes së tij, duke detajuar prova të shtrirjes së përfshirjes së Rusisë në luftën në Donbas.
Pesë burra çeçenë u dënuan për vrasjen në qershor 2017, por – si në vrasjet e Politkovskaya dhe kundërshtarëve të tjerë të Kremlinit – identiteti i personit që e urdhëroi atë nuk është zbuluar kurrë.
SHIKONI EDHE: Vritet lideri i opozitës ruseDy javë pasi Nemtsov u vra, Putin i dha liderit çeçen Kadyrov, i cili një ditë më parë kishte lavdëruar publikisht të dyshuarin kryesor në këtë rast si "patriot të vërtetë rus" - Urdhrin e Nderit për "arritjet profesionale, aktivitetet publike dhe shumë vite punë të zellshme”.
Bashkëpunëtorët e Nemtsov mbajnë një memorial jozyrtar për politikanin e vrarë në urën ku ai u vra, megjithëse policia, punonjësit e qytetit dhe vigjilentët i sulmojnë rregullisht dhe përpiqen ta shkatërrojnë atë.
Zjarri në qendrën tregtare në Kemerovo
Në mars 2018, të paktën 64 njerëz vdiqën, gjysma e tyre fëmijë, në një zjarr në kompleksin tregtar “Winter Cherry” në qytetin perëndimor të Siberisë, Kemerovo.
Hetimi rus zbuloi se daljet emergjente ishin bllokuar, një sistem alarmi ishte çaktivizuar dhe rregullat ishin shkelur gjatë ndërtimit të qendrës tregtare.
Prokurorët vendës thanë gjithashtu se ekipeve emergjente "u mungonin pajisjet dhe aftësitë e nevojshme" për të përballuar situatën. Putin e vizitoi vendin dy ditë pas katastrofës dhe premtoi se "të gjithë ata që janë fajtorë do të ndëshkohen".
SHIKONI EDHE: Rusia në zi për viktimat e zjarrit në SiberiDhjetë persona, duke përfshirë bashkëpronarin e qendrës tregtare dhe ish-ministrin e emergjencave të rajonit të Kemerovës, morën dënime me burg në këtë rast me akuza që përfshijnë përvetësim, mashtrim, neglizhencë dhe ryshfet.
Kritikët e Putinit akuzojnë se fokusi i tij në shuarjen e mospajtimit politik dhe forcimin e pushtetit të tij e kanë lënë Rusinë të pambrojtur ndaj terroristëve të vërtetë dhe ndaj fatkeqësive të tilla si zjarri i Kemerovës që shkaktohen ose përkeqësohen nga korrupsioni dhe neglizhenca.
Vdekja në burg e Aleksei Navalnyt
Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, vdiq në një burg të largët të Arktikut në nëntor 2024 pas shumë vitesh përndjekjeje nga Qeveria e Putinit. E veja e tij dhe shumë mbështetës besojnë se Putin është përgjegjës për vdekjen e tij.
Avokati karizmatik ishte mbajtur në paraburgim prej se ishte kthyer në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për ndikimin e një helmimi me agjent nervor, për të cilin e fajësoi Putinin dhe FSB-në, në janar 2021.
Në qershor 2021, Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u shpallën “organizata ekstremiste”. Vetë Navalny u shpall terrorist dhe ekstremist në janar 2022. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë ose u burgosën, ose u larguan nga vendi për të shmangur ndjekjen penale.
SHIKONI EDHE: Aleksei Navalny, armiku i korrupsionit dhe KremlinitPrej vdekjes së Navalnyt, opozitës ruse i ka munguar një lider dhe ajo është zhytur shpesh në përçarje. Analistët pajtohen se nuk ka mbetur asnjë forcë politike demokratike në Rusi që është në gjendje t'i paraqesë një sfidë reale Putinit.
Qeveria e Putinit u trondit shkurtimisht në qershor 2023 kur mijëra mercenarë të Wagnerit, të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, organizuan një kryengritje jetëshkurtër, duke kontrolluar shkurtimisht qytetin e madh Rostov-on-Don dhe duke marshuar drejt Moskës.
Situata u qetësua shpejt dhe rendi u rivendos, Prigozhin dhe bashkëthemeluesi i Wagner, Dmitry Utkin, vdiqën dy muaj më vonë kur avioni i tyre privat u rrëzua në veri të Moskës. Mediat sociale të lidhura me Wagner pretenduan se avioni ishte rrëzuar nga ushtria ruse dhe shumë vëzhgues besojnë se Putini i kishte vrarë ata.
Sulmi në Crocus
Më 22 mars 2024, katër persona të armatosur sulmuan sallën e koncerteve Crocus në periferi të Moskës, duke vrarë 145 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 500 të tjerë.
Ky ishte incidenti terrorist më vdekjeprurës në Rusi prej sulmit në shkollën e Beslanit në vitin 2004. Grupi ekstremist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, megjithëse shumë zyrtarë rusë, përfshirë Putinin dhe personalitete të medias pretenduan pa ofruar dëshmi se sulmi ishte organizuar nga Ukraina me ndihmën i Shteteve të Bashkuara – një pretendim që Departamenti amerikan i Shtetit e hodhi poshtë si “absurd”.
SHIKONI EDHE: Çfarë tregon për lidhjet SHBA-Rusi shpërfillja e paralajmërimit për sulmin në MoskëMë 7 mars, Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar Rusinë se "ekstremistët" po planifikonin një sulm në kryeqytet. Washington Post raportoi më 2 prill se paralajmërimi i SHBA-së përmendte në mënyrë specifike sallën e koncerteve Crocus.
Tre ditë para sulmit, Putini dukej se i hodhi poshtë paralajmërimet si "deklarata provokuese" që "ngjajnë me shantazhin e drejtpërdrejtë dhe synimin për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë". Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Sergei Naryshkin, tha se paralajmërimi i SHBA ishte "shumë i përgjithshëm".