Ndërlidhjet

Vritet lideri i opozitës ruse


Vendi ku u vra Boris Nemtsov
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Vendi ku u vra Boris Nemtsov

Boris Nemtsov, një politikan i njohur rus dhe ish-kryeministër, është vrarë në Moskë, vetëm pak metra prej Kremlinit, dy ditë para një proteste të planifikuar kundër Qeverisë së presidentit Vladimit Putin.

Ministria ruse e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se Nemtsov është vrarë në urën “Bolshoi Moskvoretsky”, afër Kremlinit, orët e vona të së premtes.

Banorët e kryeqytetit rus i janë drejtuar vendit ku u vra Nemtsov, duke vënë lule në vendin që tani duket si një memorial i improvizuar për liderin opozitar.

Ky rast ka kujtuar vrasjen e gazetares së njohur ruse, Anna Politkovskaya, e cila u vra në Moskë, natën kur Putini e kishte ditëlindjen, më 2006.

Vrasja e Nemtsovit, i shtohet listës çdo herë në rritje të aktivistëve, gazetarëve dhe politikanëve që e sfidojnë Kremlinin që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Putin, gjithashtu e ka dënuar vrasjen e Nemtsovit.

Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, Putini ka thënë “vrasja e tmerrshme” i ka “të gjitha shenjat e një vrasjeje të kontraktuar”, ndërsa rastin e ka quajtur provokim.

Kjo lë të kuptohet se pushteti rus mendon që Nemtsov u vra që të njolloset reputacioni i qeverisë.

Nemtsov, 55 vjeç, ka qenë kritik i ashpër i Putinit, duke e akuzuar qeverinë për mungesë efikasitetit, korrupsion dhe politikat e Kremlinit në Ukrainë.

Ai ishte në përgatitje të një dokumenti që përmbante dëshmi që e verifikonin përfshirjen e drejtpërdrejt të Rusisë në zonën e kontrolluar nga rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Ukraina dhe perëndimi e akuzojnë Putinin se qëndron prapa luftës në pjesën lindore të Ukrainës, një akuzë që Rusia e hedh poshtë.

Avokati i Nemtsovit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai ishte viktimë e regjimit politik të Rusisë, pavarësisht se kush ka shtënë në të.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Yelena Aleseyeva, ka thënë para mediave se Nemtsov ishte duke ecur rrugës me një femër, kur një veturë i afrohet dhe qëllon me armë zjarri duke e vrarë atë.

Ai është goditur me katër plumba në shpinë, ndërsa femra që e shoqëronte atë nuk është lënduar.

Ndërkaq zëdhënësi i Komisionit rus të Hetimit, Vladimir Markin, ka deklaruar të shtunën në Moskë se janë disa pista hetimi, përmes së cilave ata po e hetojnë vrasjen e Boris Nemtsovit.

"Momentalisht, ne po hetojmë disa mundësi. Para së gjithash, po e hetojmë mundësinë që kjo vrasje të jetë bërë me qëllim të provokimit të destabilizimit të situatës politike në Rusi. Dhe, Nemtsovi, mund të jetë bërë viktimë sakrifikuese për ata që nuk do të ndalen derisa të përdorin çfarëdo metode për të arritur qëllimet e tyre”, ka deklaruar Vladimir Markin.

Boris Nemtsov, dikur shihej si trashëgimtar i presidentit të parë të epokës pas sovjetike Boris Yeltsin.

Ai kishte shërbyer si zëvendëskryeministër në kohën e mandatit të fundit të ish- presidentit Yeltsin.

Pas angazhimit si shkencëtar në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, Nemtsov është bërë i njohur si guvernator i rajonit të Nizhny Novgorodit, në pjesën qendrore të Rusisë, ndërsa më pas u bë zëvendëskryeministër në pjesën e dytë të viteve ‘90-të.

Ai ka braktisur Dumën, Dhomën e ultë të Parlamentit rus, në vitin 2003, ndërsaka udhëhequr shumë parti dhe grupe opozitare, e fundit ishte Partia Republikane e Rusisë.

Ai, gjithashtu, ka shkruar raporte rreth korrupsionit në Rusi nën udhëheqjen e Putinit.

Më 2013, ai ka thënë se deri në 30 miliardë dollarë nga 50 miliardë, sa ishin ndarë për Lojërat Olimpike në Soçi, janë zhdukur.

Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza.

Nemtsov i ka thënë portalit rus, Sobesednik se “jam i frikësuar se Putini do të më vrasë”.

Ndërkaq, në intervistën e fundit dhënë Radios Evropa e Lirë, ai kishte thënë rusët duhet ta çlirojnë vendin e tyre nga Putini:

“Për mua këto janë sinonime absolute - Putini, kriza, lufta. Dhe, ajo që ne po e bëjmë gati tash është lëvizja më e rëndësishme me qëllim çlirimin e Rusisë nga Putini. Ne duhet ta çlirojmë Rusinë nga Putini sepse nëse nuk e bëjmë këtë, ne do të bëhemi një vend i të varfërve, ne do të jemi të varfër, ne do të kemi krizë që do të zgjasë me vite të tëra”, kishte deklaruar kohë më parë Nemtsov.

Ndërkaq, në një blog të publikuar nga Radio Liberale “Echo Moskvy”, disa orë para se të vritet, Nemtsov iu ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit rus që të marrin pjesë në marshin opozitar “kundër agresionit të Putinit në Ukrainë”, i paraparë të mbahet më 1 mars.

Protesta e paraparë për atë ditë, tash është vendosur të kthehet në një protestë në qendër të Moskës, që e ka për qëllim të kujtojë veprën e Nemtsovit.

Presidenti amerikan, Barack Obama, përmes një deklarate ka thënë se SHBA-ja e dënon vrasjen brutale të Boris Nemtsovit.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë, gjithashtu, i ka bërë thirrje qeverisë ruse që të realizojë një “hetim të shpejtë, të pandikuar dhe transparent” dhe të “sigurohet që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”.

Deklarata e ngushëllon familjen e Nemtsovit, dhe popullin rus që e kanë humbur “një nga mbrojtësit më të dedikuar dhe elokuent të të drejtave të tyre”.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përmes një deklarata tjetër ka thënë se Nemtsov, “ ia kishte përkushtuar jetën e tij për arritjen e një Rusie të hapur, më prosperuese dhe më demokratike”. (a.haraçia)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG