Ndërlidhjet

Regjimi i Putinit që shtyp këdo që e kundërshton


Policia në Moskë duke arrestuar dy persona që protestuan kundër mobilizimit ushtarak. 21 shtator 2022.
Policia në Moskë duke arrestuar dy persona që protestuan kundër mobilizimit ushtarak. 21 shtator 2022.

Associated Press

Nuk janë vetëm politikanët opozitarë që po shënjestrohen gjatë shtypjes së po kryen vitet e fundit Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin. Viktimë e kësaj shtypjeje janë edhe zërat e pavarur, por edhe ata që nuk iu përmbahen atyre që shteti i sheh si “vlera tradicionale” të Rusisë.

Liria e mediave, që dikur ekzistonte në Rusi, pas rënies së Bashkimit Sovjetik u reduktua kryesisht në media të kontrolluara nga shteti ose në gazetarë të pavarur që veprojnë jashtë vendit, me pak media kritike që punojnë ende në shtet. Grupet e njohura të të drejtave të njeriut janë bërë të jashtëligjshme ose janë klasifikuar si agjentë të huajve. Avokatët që mbrojnë disidentët janë përndjekur. Aktivistët e komunitetit LGBTQ+ janë cilësuar si “ekstremistë”.

Në këtë artikull hedhim një vështrim lidhur me atë se kush është sulmuar gjatë sundimit 24-vjeçar të Putinit, që me gjasë do të zgjatet edhe për gjashtë vjet pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen këtë muaj.

Mediat e pavarura

Ueb-faqet e mediave të pavarura gjerësisht janë bllokuar në Rusi që në javët e para të luftës në Ukrainë. Shumica e mediave kanë bartur selitë e tyre jashtë vendit dhe vazhdojnë të operojnë dhe brenda Rusisë, qasja në këto ueb-faqe mund të bëhet përmes rrjetit privat virtual, apo VPN. Raportimi brenda Rusisë apo fitimi i të ardhurave nga reklamuesit rusë ka qenë i vështirë po ashtu.

Që nga viti 2021, autoritetet ruse kanë etiketuar dhjetëra media dhe gazetarë si “agjentë të huaj” – një vendim që nënkupton kontroll shtesë nga Qeveria dhe po ashtu mbart konotacione denigruese për personat që etiketohen kështu. Disa janë shpallur të jashtëligjshëm sikurse me shpalljen e tyre si “organizata të padëshirueshme” në bazë të një ligji të vitit 2015, që thotë se përfshirja në organizata të tilla përbën vepër penale.

Gazetarët janë arrestuar dhe burgosur për një sërë akuzash.

“Autoritetet ruse vendosën të shkatërronin plotësisht institucionet shoqërore dhe gazetarinë e pavarur pas 24 shkurtit të vitit 2022”, tha Ivan Kolpakov, kryeredaktor i ueb-faqes së pavarur të lajmeve Meduza, duke iu referuar datës kur nisi pushtimi rus i Ukrainës. Meduza u shpall “e padëshirueshme” në janar të vitit 2023.

Duket se më shumë kufizime po vijnë. Parlamenti ka miratuar një ligj që ndalon reklamuesit të bëjnë biznes me “agjentët e huaj” dhe kjo ka të ngjarë të prekë jo vetëm ueb-faqet e lajmeve, por edhe blogjet në YouTube që kanë nevojë për reklama dhe janë burim popullor i lajmeve dhe analizave.

Gazetarja Katerina Gordeyeva fillimisht tha se do të pezullonte kanalin e saj në YouTube me 1.6 milion ndjekës, për shkak të ligjit të ri. Por, ajo më pas ndryshoi mendjen për shkak të mbështetjes së madhe që mori. “Nëse do të dorëzohesha tani do të ishte një gjë e thjesht dhe një vendim shumë i lehtë”, tha ajo. “Ne do të tentojmë të vazhdojmë punën”.

Grupet për të drejtat e njeriut

Në vitet e fundit, dhjetëra grupe për të drejtat e njeriut, organizata bamirëse dhe organizata të tjera joqeveritare janë shpallur “agjentë të huaj” apo janë shpallur të paligjshme si “organizata të padëshirueshme”. Shumë prej tyre janë mbyllur.

Në dhjetor të vitit 2021, një gjykatë në Moskë urdhëroi mbylljen e Memorialit, një prej organizatave më të vjetra dhe më të njohura për të drejtat e njeriut në Rusi. Ajo u vlerësua ndërkombëtarisht për studimet e saj mbi represionin në Bashkimin Sovjetik. Disa muaj pas vendimit të gjykatës në Moskë, kjo organizatë më 2022 fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Bashkëudhëheqësi i organizatës, Oleg Orlov, 70 vjeç, muajin e kaluar u dënua me dy vjet e gjysmë burgim për shkak të kritikave ndaj luftës në Ukrainë.

Një tjetër udhëheqës i grupeve për të drejtat e njeriut, Grigory Melkonyants është i burgosur. Ai bashkëudhëhiqte Golos, organizatë që kishte monitoruar zgjedhjet ruse që nga viti 2000. Ai gjendet në paraburgim nën akuza që gjerësisht shihen si përpjekje për t’i bërë presion grupit para zgjedhjeve presidenciale të këtij muaji.

Arrestimi i tij vitin e kaluar nuk ishte befasi, tha udhëheqësi tjetër i grupit, Stanislav Andreychuk, gjatë një interviste për Associated Press. Sipas tij, kjo ndodhi për shkak se Golos ishte nën presion që kur dha detaje për shkeljet e mëdha në zgjedhjet presidenciale të vitit 2011, që çuan në organizimin e protestave masive.

Presioni ndaj Golosit ndodhi kohë pas kohe dhe grupi gjatë kësaj kohe kishte edhe hapësirë të punonte në mënyrë konstruktive me autoritetet zgjedhore. Madje, ky grup ishte përfitues i dy granteve presidenciale.

“Ne jemi si një qytet në breg të lumit. Lumi e ha bregun dhe më pas bregu tërhiqet ngadalë... Dhe në një periudhë, ne e gjejmë veten buzë shkëmbinjve”, tha Andriychuk.

Avokatët

Avokatët që përfaqësojnë kritikët e Kremlinit dhe punojnë në rastet e motivuara politikisht po ashtu janë përballur me presion në rritje. Disa prej avokatë të njohur janë larguar nga Rusia nga frika e përndjekjes.

Grupi për të drejtat e njeriut dhe ndihmë juridike, Agora, u shpall i “padëshirueshëm” më 2023. Ky vendim nënkupton që operacionet e grupit dhe çdo bashkëpunim me të është i jashtëligjshëm.

Tre avokatë që përfaqësonin Aleksei Navalnyn janë në burg nën akuza për përfshirje me një organizatë ekstremiste. Bashkëpunëtorët e udhëheqësit të ndjerë opozitar kanë thënë se kjo ishte një mënyrë për ta izoluar atë në kohën sa ishte në burg.

Avokati i njohur për të drejtat e njeriut, Ivan Pavlov, tha për AP-në se presioni ka frikësuar disa avokatë për t’u marrë me raste politike. Pavlov u largua nga Rusia më 2021 teksa po mbronte ish-gazetarin, Ivan Safronov, nën akuza për tradhti. Pasi Pavlov foli publikisht për rastin, autoritetet hapën një hetim penal ndaj tij dhe ia ndaluan që të përdorte telefonin dhe internetit. “Ata më paralizuan punën”, tha ai.

Dmitry Talantov, një tjetër avokat i Safronovit, u arrestua më 2022 për kritikat ndaj luftës dhe aktualisht po përballet me gjyq. Nëse gjendet fajtor, ai mund të dënohet deri me 10 vjet burgim.

Komuniteti LGBTQ+

Shtypja ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+ po vazhdon për më shumë se një dekadë dhe represioni shpesh është shoqëruar me kritikat e Putinit ndaj shteteve perëndimore, që sipas tij, po tentojnë t’ia imponojnë Rusisë vlerat e tyre. Më 2022, autoritetet miratuan një ligj që ndalon propagandën e “lidhjeve jotradicionale seksuale” në mesin e të rriturve, gjë që në mënyrë efektive bënë të jashtëligjshme çdo mbështetje publike për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Një tjetër ligj i miratuar më 2023 ndalon procedurat e ndryshimit të gjinisë si dhe ndryshimin e gjinisë së një personi në dokumentet zyrtare.

Në nëntor, Gjykata Supreme ndaloi atë që Qeveria e quajti “lëvizje” LGBTQ+ në Rusi, duke e etiketuar si organizatë ekstremiste. Ky vendim nënkupton se në Rusi ndalohet çdo aktivizëm për LGBTQ+. Pak pas kësaj, autoritetet nisën të shpërndanin gjoba për përdorimin e gjësendeve me ngjyrat e flamurit të ylberit.

Igor Kochetkov, avokues i të drejtave të njeriut dhe themelues i Rrjetit LGBT rus, i tha AP-së se vendimi i Gjykatës Supreme kishte të bënte më shumë me ideologjinë sesa me diçka tjetër.

“Deri më tani nuk kemi parë përpjekje për të ndaluar lidhjet mes homoseksualëve” dhe kriminalizimin e tyre siç kishte ndodhur gjatë Bashkimit Sovjetik, tha Kochetkov. Megjithatë, është një përpjekje për të shtypur “çdo mendim të pavarur që nuk është në vijë me ideologjinë zyrtare të shtetit... dhe çdo aktivitet i organizuar shoqëror që Qeveria nuk mund ta kontrollojë”, shtoi ai.

Besimtarët

Ndoshta, në mënyrë të ngjashme, Qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, kanë goditur besimet dhe grupet më të vogla fetare dhe disa prej tyre janë ndaluar. Autoritetet kanë shkuar edhe më tej me Dëshmitarët e Jehovait, duke përndjekur ligjërisht qindra besimtarë në mbarë Rusinë. Shpesh, ata janë përndjekur vetëm se janë mbledhur që të luten.

Më 2017, Gjykata Supreme shpalli organizatë terroriste Dëshmitarët e Jehovait, dhe të gjithë personat e lidhur me të ekspozohen nga akuza të mundshme penale.

Zëdhënësi i Dëshmitarëve të Jehovait, Jarrod Lopes, tha se mbi 400 besimtarë janë arrestuar që atëherë dhe 131 gra dhe burra gjenden në burgje. Pothuajse, 800 pjesëtarë të Dëshmitarëve të Jehovait përballen me akuza dhe mbi 500 prej tyre janë shtuar në regjistrin e Rusisë për ekstremistët dhe terroristët.

“Është absurde për ne, sepse... pjesë e sistemit tonë të besimit është që t’iu bindemi autoriteteve. Ne duam të jemi qytetarë të mirë. Ne duam të ndihmojmë komunitetet tona”, tha ai për AP-në. “Ne po ashtu nuk jemi kundër Qeverisë, ne jemi neutralë. Ne nuk do të organizojmë protesta”.

Më 2018, vetëm Putini tha se “Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë po ashtu, nuk e kuptoj pse duhet t’i shtypim” dhe premtoi se vetë do të merrej me këtë çështje. Por, numri i arrestimeve dhe bastisjeve ndaj tyre vetëm se është rritur.

Putin e ka distancuar veten nga strukturat e zbatimit të ligjit dhe sigurisë që kryejnë shtypjen, tha Tatyana Stanovaya, hulumtuese e lartë në Qendrën Carnegie për Rusi dhe Euroazi.

“Ata kanë një domen të caktuar, kanë një mandat në këtë domen dhe veprojnë në bazë të tij”, tha Stanovaya. “Putini e di këtë dhe pajtohet me të... Kjo i shkon për shtati atij”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG