Mjekësia e punës drejt shuarjes 

Punëtorët gjatë ndërtimit të një ndërtese të re afër Prishtinës. Foto ilustrim.

Nga rreth 4,800 mjekë sa ka Kosova, vetëm 20 janë të specializuar në mjekësinë e punës, ndërsa specializime për këtë degë nuk janë hapur për më shumë se dy dekada.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se katër mjekë të punës tashmë janë pensionuar dhe se shumica e të tjerëve janë në prag të pensionimit.

“Kosova është prej vendeve të pakta në botë që nuk ka listë të sëmundjeve profesionale [sëmundjeve në vend të punës]. Dhe, kush do të ishin më të thirrur për t’u marrë me këtë çështje sesa mjekët e punës”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

Mjekësia e punës fokusohet në ruajtjen e shëndetit të punëtorëve, duke përfshirë parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve dhe lëndimeve të tyre.

Sipas Inspektoratit të Punës në Kosovë, në vitin 2021, nëntë qytetarë kanë humbur jetën në vend të punës, 40 kanë marrë lëndime të rënda dhe 139 lëndime të lehta.

Në periudhën 2016-2020, ndërkaq, 74 qytetarë kanë vdekur në vend të punës, kurse 530 janë lënduar.

SHIKONI EDHE: Puna që kushton me jetë

Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, e cila ka selinë në Gjakovë, funksionon tash për tash me vetëm një mjek të punës. Nga muaji mars rrezikon të mbetet me asnjë, thotë drejtori Luan Nagavci.

“Për fat të keq, ky mjek që është tani, muajin tjetër pensionohet”, bën të ditur ai.

Me situatë të ngjashme përballet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Aktualisht, mjekë të punës aty janë dy - njëra prej tyre Shpresa Kuqi.

“Kemi qenë pesë, tre kolegë të mi kanë dalë në pension dhe tash jemi dy. Unë jam deri në muajin gusht, ndërsa kolegu im do të vazhdojë disa muaj pas meje”, thotë Kuqi, e cila detyrën e mjekës së punës e kryen qysh në vitin 1983.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kuqi tregon për rëndësinë që, sipas saj, ka mjeku i punës. Ai është përcaktues i aftësisë së punës për një punëtor, thotë ajo.

“Unë mendoj se një person nuk duhet të punësohet dhe nuk ka të drejtë të punësohet pa e marrë një certifikatë se është në gjendje të mirë psikike, fizike dhe mendore për të filluar një marrëdhënie pune”, thotë Kuqi.

SHIKONI EDHE: Punëtorët e sektorit privat: Orar i stërzgjatur me pak pushim

Për 20 vjet, vetëm pesë specializime për mjekë të punës

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës bën të ditur se në konkursin e fundit të specializimeve, më 2020-2021, janë ndarë pesë vende për specializim në mjekësi të punës - të parat që nga koha e pasluftës.

Specializimi në këtë degë zgjat katër vjet.

“Specilizantët kanë nisur programin e shkollimit specialistik në mars, 2021. Do të ndaheshin edhe më shumë vende sigurisht, por interesimi i mjekëve ka qenë për kaq vende”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Specialisti i mjekësisë familjare, Sami Uka, thotë se prej vitit 2000 e këndej, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë përpjekje që mjekësinë e punës ta përfshijnë në kuadër të mjekësisë familjare.

SHIKONI EDHE: Rrëmuja me specializantët  

Sipas tij, kjo qasje është e gabuar, sepse, siç thotë, shëndeti profesional kërkon angazhimin e mjekëve specifikë, me përgatitje të veçantë për sëmundjet e mjedisit punues dhe për kushtet e punës që duhen ofruar.

“Kohëve të fundit, kjo është një nevojë e shtuar, pasi vazhdimisht kemi probleme specifike të punëtorëve, jo vetëm probleme shëndetësore, por edhe vdekje, si pasojë e mungesës së kushteve higjienike dhe kushteve adekuate të punës. Është koha që të mendohet seriozisht për këtë profil, që ka ekzistuar në të kaluarën”, thotë Uka.

Pse është e rëndësishme mjekësia e punës?

Naim Bajraktari udhëheq një kompani në Prishtinë, e cila merret me vlerësimin e sigurisë në punë.

Ai thotë se punëdhënësit e vuajnë mungesën e mjekëve të punës.

“Kur zbulohen dëmtuesit apo mundësitë e rrezikut në një vend pune, ai që përcakton shkallën e rrezikshmërisë, është specialisti i mjekësisë së punës. Ne, si ekspertë të sigurisë në punë, mund të jemi inxhinierë, juristë apo biologë, por nuk jemi mjekë. Ne nuk dimë se me çfarë masash dhe me çka duhet të trajtohen punëtorët”, thotë Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Ndërtimtaria, profesioni më vdekjeprurës në Kosovë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, objektiva të mjekësisë së punës janë: ruajtja dhe promovimi i shëndetit të punëtorëve, përmirësimi i kushteve të punës dhe mjedisit të punës, si dhe zhvillimi i organizimit të punës dhe kulturave të punës.

Sipas OBSH-së, çdo vit, 12.2 milionë njerëz, kryesisht në vendet në zhvillim, vdesin nga sëmundje jo të transmetueshme, derisa janë ende në moshë aktive pune.

OBSH vazhdimisht u bën thirrje vendeve që të zhvillojnë politika kombëtare dhe plane veprimi për shëndetin në punë.