Valon Berisha, para tre vjetësh, ka humbur jetën në vendin e tij të punës në sektorin e ndërtimtarisë në Fushë Kosovë. Valoni, që në atë kohë ishte 29 vjeç, la pas gruan dhe dy fëmijë, tregon për Radion Evropa e Lirë, vëllai i Valonit, Ramadan Berisha.
Berisha tregon se Valoni kishte të përfunduar Fakultetin e Shkencave Sportive, kurse ishte duke vazhduar studimet master në njërin nga kolegjet private në Kosovë. Në mungesë të gjetjes se një vendi tjetër të punës, thotë ai, Valoni ishte detyruar të punojë në sektorin e ndërtimtarisë.
“Kushte të mira të punës nuk kanë pasur si të gjitha kompanitë tjera, por nuk është ankuar, sepse të gjithë punëtorët kanë punuar njëjtë”, tha Berisha.
Humbja e jetës se Valonit nuk mund të kompensohet, thotë Berisha. Megjithatë kompania në të cilën ka punuar Valoni, për të lehtësuar jetën e familjes se tij, në formë kompensimi gruas dhe fëmijëve të tij (3 dhe 4 vjeç) i ka dhënë një banesë në Fushë Kosovë dhe një ndihmë financiare 150 euro në muaj deri sa fëmija i vogël të mbushë 18 vjeç.
“Fajin kryesor e ka edhe shteti, jo vetëm kompania. Shteti i lejon kompanitë private të punojnë pa pajisje mbrojtëse dhe kompania punon pa to, pasi është më lirë. Sepse më vendos skele, mjete mbrojtëse, rrethoja kushton më shtrenjtë për kompaninë”, tha Berisha.
Përveç Valonit, sipas Inspektoratit të Punës, në pesë vitet e fundit (2016-2020), 74 qytetarë kanë humbur jetën, kurse 530 janë lënduar në vendet e tyre të punës.
Numri më i madh i vdekjeve në vendin e punës gjatë kësaj periudhe, sipas Inspektoratit të Punës ka ndodhur në vitin 2018, me 23 raste, kurse vitin e kaluar 11 persona kanë humbur jetën gjatë orarit të punës.
Kurse, një punëtor, më 4 prill 2021, ka humbur jetën në vendin e punës në Prishtinë, ndërsa një tjetër po ashtu në vendin e punës është lënduar më 06 prill, që të dytë në sektorin e ndërtimtarisë.
Edhe fëmijë të lënduar në vendin e punës
Në Raportin e Punës për vitin 2020 të publikuar nga Inspektorati i Punës, thuhet se gjatë vitit të kaluar, katër fëmijë kanë pësuar aksidente në vendet e tyre të punës.
“Njëri nga ta ka pësuar aksident me pasoja të pariparueshme, i ka humbur dy gishta të dorës, në cilindrin e makinës për përpunimin e qeseve të najlonit; njëri ka prerë dorën e djathtë deri sa ishte duke e pastruar shiritin transportues nga mbetjet e betonit teksa ai ishte në lëvizje; një fëmijë nën moshën 13 vjeçe duke luajtur në afërsi të vendit ku kryheshin punime në vendosjen e rrethojave në oborrin e shkollës, ka pësuar lëndime të rënda nga goditja që mori prej rrëzimit të një pjese të rrethojës dhe një tjetër i punësuar nën moshën 18 vjeç, ka pësuar aksident në vendin e punës nga flaka e sistemit të saldimit.”
Ndërtimtaria, sektor i rrezikshëm
Ndërtimtaria, sipas organizatave që mbikëqyrin punën në këtë fushë, po vlerësohet si sektori më i rrezikshëm për punë, pasi vetëm vitin e kaluar, në këtë punë kanë ndodhur 30 aksidente (vdekje dhe lëndime).
Gati të gjithë punëtorët në sektorin privat në Kosovë, punojnë pa sigurim shëndetësor dhe pa sigurim jetësor.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdni, tha se mungesa e kulturës se mbajtjes së pajisjeve mbrojtëse të punës, është shkaku kryesor i vdekjeve të punëtorëve. Ajdini për këtë fajëson edhe kompanitë private por edhe punëtorët që hezitojnë t’i përdorin pajisjet mbrojtëse.
“Ne kemi mbajtur trajnime për të vetëdijesuar punëtorët që pa mjete mbrojtëse, mos të pranojnë detyrën fare, që mos të rrezikojnë jetën. Puna më e rrezikshme është ndërtimtaria, dhe duhet të ketë shumë kujdes. Unë kërkoj nga Inspektorati i Punës që prioritet për inspektime, kontrolla të shpeshta të ketë në sektorin e ndërtimtarisë. Sepse vdekjet e punëtorëve që po ndodhin shpesh, nuk mund të kompensohen”, tha Ajdini.
IKS: Alarmante, shifrat e vdekjeve në vendin e punës
Shifrat e vdekjeve në vendin e punës janë alarmante për shtetin e Kosovës, me një popullsi me më pak se dy milionë banorë, thotë Brikenë Hoxha, udhëheqëse e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), institut ky që monitoron kushtet e punës në sektorin privat.
Ajo thotë se gjatë monitorimit të punës në këtë sektor, mungesa e kushteve minimale të sigurisë në punë, aspekti socio-ekonomik, aspekti ligjor dhe mungesa e transparencës, janë shkaqet kryesore të vdekjeve.
“Bazuar në mesataren e vdekjeve në 100 mijë të të punësuarve, Kosova e ka shkallën më të lartë të vdekjeve në rajon. Si pasojë e aksidenteve, 6.5 vdekje ndodhin në 100 mijë punonjës, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian, mesatarja e fataliteteve në punë është 1.83. Ky është një shqetësim, më të cilin institucionet e caktuara, konkretisht inspektorët e punës duhet të merren më seriozisht”, thekson Hoxha.
Ajo vlerëson se bizneset private janë duke i shfrytëzuar dy mangësi në shoqëri, që i detyrojnë qytetarët të punojnë pa kushte adekuate të punës: neglizhencën e shtetit dhe nivelin e lartë të papunësisë.
“Punëtorët në sektorin privat nuk janë në gjendje ta negociojnë kontratën e tyre të punës, ata nuk janë mjaftueshëm të fuqishëm për të kërkuar të drejtat e tyre që u takojnë më ligj dhe që ligji i garanton”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Gjobat nga 5.000 deri në 35 mijë euro
Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë, rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.
Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve. Po ashtu, punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë, në të kundërtën, shqiptohen gjoba nga 5,000 deri në 35,000 euro.
Në raportin e punës të Inspektoratit të Punës për vitin 2020, vetëm në sektorin e ndërtimit, vitin e kaluar kanë ndodhur 30 aksidente. Për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, në përgjithësi, inspektorati ka shqiptuar masën e gjobës ndaj 115 punëdhënësve, prej tyre 45 gjoba vetëm në sektorin e ndërtimit.
Facebook Forum