Ndërlidhjet

Punëtorët e sektorit privat: Orar i stërzgjatur me pak pushim


Punëtorë ndërtimi në Prishtinë.
Punëtorë ndërtimi në Prishtinë.

Ditët e pushimit vjetor janë një periudhë pasigurie për R.R, punëtore në një dyqan ushqimor në Prishtinë.

Kjo, pasi sipas saj, fakti se a do t’i lejohet marrja e pushimit dhjetëditor varet nga dëshira e punëdhënësit.

“Është dashur kohë që ta kërkoja pushimin, a do të ma jepnin apo jo dhe është dashur ta mendosh se a do ta marrësh pushimin dhe kështu nuk kemi mundur të bëjmë plane”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është ndër sfidat e shumta, që R.R duhet të kalojë për të marrë rrogën prej 280 eurosh, duke punuar me vetëm një ditë pushim në javë.

Paga mesatare bruto në sektorin privat në vitin 2020 ishte 380 euro derisa në sektorin publik ajo arrin në mbi 500 euro.

Sipas saj, megjithëse është e punësuar si arkëtare, disa herë i është dashur që të kryejë punë të tjera brenda dyqanit ushqimor.

“Ka qenë një kohë që është dashur t’i bësh të gjitha, jo veç arkëtare që kam qenë, po është dashur të bëhem edhe sektoriste dhe pastruese, të gjitha i kam bërë”, shpjegon ajo.

Ngjashëm me të, shumë punëtorë të sektorit privat bien viktima të strategjive të ndryshme të kompanive private për ikjen nga tatimet në dëm të të drejtave të punëtorëve.

Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në vend me mbi 220 mijë punëtorë.

Ekspertët e konsiderojnë sektorin privat si shtyllë të ekonomisë së Kosovës, megjithëse shkalla e informalitetit vazhdon të jetë e lartë.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani thotë për Radion Evropa e Lirë se këtij sektori i duhet edhe mbështetje institucionale.

“Pjesa dërmuese e ekonomisë varet nga sektori privat, prandaj qeveria duhet që me masat e veta të politikës fiskale, të politikës së tregtisë së jashtme si dhe politikën kreditore, ta mbështesë në pikëpamje institucionale sektorin privat”, thotë ai.

Sipas tij, problemin që bizneset dhe përkatësisht punëtorët e kompanive private e kanë pasur ndër vite, është theksuar gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë deri në tetor të vitit 2020 janë mbyllur 761 biznese të cilat kanë pasur të punësuar 1.316 punëtorë në Kosovë.

Pak inspektime apo pak ankesa?

Inspektorati i Punës në Kosovë është institucioni primar që përkujdeset për të drejtat e punëtorëve në vend.

Të gjithë punëtorët në nivel vendi kanë të drejtë ankese në këtë inspektorat sipas Ligjit të punës dhe ankesat mund t’i bëjnë përmes telefonit, emailit apo paraqitjes fizike. Inspektorati funksionon në departamente edhe nëpër shtatë komunat kryesore të Kosovës.

Momentalisht, në nivel vendi, janë të punësuar 38 inspektorë të punës.

Sipas të dhënave që Inspektorati i Punës ia ka dhënë Radio Evropës së Lirë, në vitin 2020 i kanë marrë 646 ankesa në sektorin privat.

Megjithatë kur flitet për sanksionet për këto shkelje, inspektorati ka ofruar të dhëna që përfshijnë edhe sektorin publik dhe atë privat. Sipas këtyre të dhënave, brenda vitit 2020 ishin shqiptuar 1.440 vërejtje me shkrim, ndërsa ishin shqiptuar 115 gjoba.

Punëtorët në anën tjetër nuk e shohin si opsion të parë ankesën tek Inspektorati i Punës.

R.R thotë se në inspektorat nuk është ankuar asnjëherë, pasi edhe ankesat në menaxhment nuk janë përfillur mjaftueshëm.

Sipas Avni Ajdinit nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura në Kosovë, frika e punëtorëve në sektorin privat ka bërë që të ketë edhe mungesë të bashkimeve sindikale.

“Për fat të keq nuk guxojnë të themelojnë shoqata sindikale në këtë sektor sepse nuk i lë punëdhënësi, kështu që edhe ne si BSPK nuk kemi qasje të mirëfilltë në këtë sektor”, thotë ai për REL.

Megjithatë, sipas ankesave individuale dhe anonime që pranojnë, Ajdini thotë se disa prej shkeljeve më të mëdha kanë të bëjnë me orarin e punës.

“Për shembull punëtorët punojnë nga 12 orë dhe paguhen për tetë orë, punojnë edhe pa kontrata. Pra, punëdhënësit janë shkelësit më të mëdhenj ndaj punëtorëve sepse nuk i trajtojnë si punëtorë”, thotë ai.

Edhe Inspektorati i Punës thotë se këto janë ankesat më të shpeshta.

“Problemet më të shpeshta, punëtorët në sektorin privat i kanë në realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës si: moslidhja e kontratave të punës, mosdefnimi i përgjegjësive dhe detyrimeve të ndërsjella të palëve në procesin e punës, mospagesa e pagave dhe orëve shtesë të punës për angazhimet jashtë orarit të punës, ditëve të festave, angazhimit në punë ditëve të pushimit javor, respektimi dhe pagesa për pushime vjetore etj..”, thuhet në përgjigjen me shkrim të inspektoratit.

Premtimet e qeverisë dhe kërkesat e sektorit privat

Sektori privat ka përfshirë një pjesë të madhe të premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje që tani drejton Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte premtuar se qeveria e re të cilën ai e drejton, do të rrisë numrin e inspektorëve të punës në drejtim të rritjes së respektimit të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

Deri më tani numri i inspektorëve nuk është rritur, madje ky numër është ulur nga 42 sa ishte në vitin 2020 në 38.

Në anën tjetër, bizneset janë ankuar në vazhdimësi veçanërisht që nga paraqitja në Kosovë e pandemisë COVID-19, për gjendjen e rrezikshme ekonomike dhe luftës për mbijetesë të bizneseve.

Përfaqësues të bizneseve, deputetë nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndihmojë bizneset me mjete financiare, në mënyrë që të rikuperohen pasojat e shkaktuara nga pandemia.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për komentim të kësaj çështje, mirëpo ditë më parë ai kishte thënë se Kosova nuk ka arritur që të ndihmojë bizneset për të rikuperuar humbjet ekonomike, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas profesorit të ekonomisë, Musa Limani, vështirësitë që politikat fiskale ia kanë shkaktuar bizneseve kanë çuar edhe te tentativat për evazion fiskal dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve.

“Deri më tani të gjitha qeveritë duke përjashtuar këtë të fundit, nuk e kanë mbështetur sa duhet sektorin privat me politikat fiskale. Ne kemi rast kur janë ngarkuar me TVSH edhe lënda e parë, mandej janë ngarkuar edhe pagat të cilat janë minimale”, thotë ai.

R.R thotë se ajo është një ndër shumë punëtorë që hasin sfidat e ngjashme, por mungesa e një organizimi që do t’i mundësonte ankesë pa rrezikuar vendin e punës, po vazhdon të mbajë në heshtje këto raste.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG