S’ka shpjegim pse u tërhoq urdhërarresti ndaj Radoiçiqit

Millan Radoiçiq. Foto nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka treguar arsyet se pse ka tërhequr urdhërarrestin për Millan Radoiçiq, i cili është ndër të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, gjatë së hënës, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën për revokim të urdhërarrestit për Millan Radoiçiq.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Gjykata Themelore e Prishtinës përpos që ka konfirmuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Për më shumë informacione mund t’i drejtoheni prokurorisë, pasi që çështja është në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Sipas Themelores, Departamenti Special me datë 19.02.2021 ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës “për tërheqjen e urdhërarrestit kundër të pandehurit M.R., ndërsa gjykata me datë 23.02.2021 ka aprovuar kërkesën e prokurorisë”.

Shoqëria civile: Prokuroria Speciale duhet të ofrojë transparencë

Por, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se Prokuroria Speciale duhet që të japë më shumë informacione për këtë rast.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria Speciale e Kosovës duhet ta sigurojë opinionin se tërheqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin është veprim ligjor.

“Unë besoj se është në interes të publikut që Prokurori i Shtetit të informojë publikun, të japë sqarime shtesë në mënyrë që të sigurohemi se është zbatuar ligji në rastin konkret. Nëse një gjë e tillë është bërë thjesht për arsye tjera dhe të pabazuara në ligj, atëherë sigurisht se prokurori duhet të japë llogari”, thotë Miftaraj.

SHIKONI EDHE: Protesta në Beograd dhe Mitrovicë të Veriut: Kush e vrau Ivanoviqin?

Nga ana tjetër, Genc Nimoni nga Organizata “Çohu”, thotë se është e rëndësishme të dihen arsyet pse ka qenë i nevojshëm tërheqja e urdhërarrestit.

“Prokuroria ka kërkuar të heqë këtë masë dhe nuk na i ka treguar arsyet pse. Ndoshta ai tash është i kapshëm dhe është arrestuar, ndoshta ka vendosur të bashkëpunoj me prokurorinë dhe këtë nuk e dimë apo ndoshta prokuroria tërësisht ka hedhur poshtë dyshimet dhe akuzat ndaj tij. Asnjërën prej këtyre nuk e dimë dhe është me rëndësi që t’i dimë”, thotë Nimoni.

LVV: Drejtësia nuk funksionon me gjykatës e prokurorë borxhli ndaj politikës

Për veprimin e prokurorisë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit. Ky subjekt politik, që pritet të formojë qeverinë e ardhshme, e ka cilësuar veprim të dyshimtë tërheqjen e urdhërarrestit për Millan Radoiçiqin.

Duke e quajtur si eksponent të krimit të organizuar, Vetëvendosje thotë se “kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës”.

SHIKONI EDHE: LVV kritikon ashpër raportimet për shfuqizim të fletarrestit për Radoiçiqin

Vetëvendosje thotë se si qeverisje e ardhshme janë të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit, por kjo gjë sipas tyre po dëshmohet se “nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar”.

Por, kush është Millan Radoiçiq dhe për çfarë akuzohet?

Emri i Millan Radoiçiqit u bë më i njohur për publikun pak kohë pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ai u vra në një atentat para selisë së partisë së tij, më 16 janar 2018, në Mitrovicën e Veriut.

Radoiçiq është në mesin e të dyshuarve kryesorë për organizimin e kësaj vrasjeje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës, Radoiçiq dyshohej se ka kryer veprën penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Një vit e gjysmë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, prokuroria lëshoi një urdhërarrest për Millan Radoiçiqin, i cili paraprakisht ishte larguar nga Kosova dhe ndodhej në arrati.

Ai akuzohej se ishte drejtues i një grupi kriminal, i cili që nga viti 2011 ka operuar në pjesën e Mitrovicës së Veriut, ku përpos organizimit dhe vrasjes së Oliver Ivanoviqit, grupi dyshohet se është përfshirë edhe në kryerjen e veprave të tjera penale.

Megjithatë, Radoiçiq ishte figurë e pranueshme për disa politikanë në Prishtinë.

Në një njoftim që ende është i publikuar në ueb-faqen e Kryeministrisë së Kosovës, shihet se si asokohe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte pritur në zyrën e tij, në cilësinë e nënkryetarit të subjektit politik, Lista Serbe, Millan Radoiçiqin.

Foto nga takimi ndërmjet Haradinajt dhe Radoiçiqit në Qeverinë e Kosovës.

Sipas njoftimit, thuhet se në takim ishte diskutuar “me theks të veçantë për aspektet e sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik e social”.

Radoiçiq ishte parë në një fotografi edhe me ish-ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Takimi kishte ndodhur në vitin 2018, në bregdetin e Malit të Zi.

Vetë Pacolli kishte mohuar se e ka njohur Radoiçiqin në kohën kur ka ndodhur takimi.

Për emisionin “Jeta në Kosovë”, Pacolli ka deklaruar se nuk e kishte njohur Millan Radoiçiqin, porse ishte ftuar për një pije nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe aty kishte rastisur të jetë edhe Radoiçiq.

Beogradi zyrtar vazhdimisht ka mohuar përfshirjen e Millan Radoiçiqit në vrasjen e Oliver Ivnoviqit.

Lidhur me lajmet për tërheqjen e urdhërarrestit për Millan Radoiçiqin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se për më shumë se dy vjet ishin përhapur gënjeshtra për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

"Për dy vjet e më shumë, ju keni dëgjuar çdo ditë se si Millan Radoiçiq është vrasësi, autori i veprës dhe Vuçiq është urdhëruesi, kjo është në nëntekst”, deklaroi Vuçiq.

Çfarë po ndodh me rastin Ivanoviq?

Më 5 shkurt 2021, para Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur një seancë përgatitore në çështjen e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq.

Të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq , Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, u deklaruan të pafajshëm.

Tre të akuzuarit e tjerë, Zvonko Vesellinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, vazhdojnë të jenë në arrati.

Kjo seancë u mbajt në bazë të aktakuzës së tretë, e cila u ngrit në nëntor të vitit 2020, sepse Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu aktakuzën në Prokurorinë Speciale për ndryshim.

SHIKONI EDHE: Vrasja e Oliver Ivanoviqit: Tri vjet, tri padi, ende pa aktgjykim

Kjo u bë pasi avokatët mbrojtës e të akuzuarve apeluan vendimin për refuzimin e kundërshtimeve të provave dhe kërkuan që akuzat të hiqen.

Aktakuza ngarkon këtë grup se që nga viti 2014 e deri në vitin 2018, ishin pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq.

Pos kësaj, ata akuzohen edhe për përpjekje të vazhdueshme për të vënë Mitrovicën e Veriut nën kontrollin e tyre.

Aktakuza pretendon se të akuzuarit me vetëdije dhe qëllimisht e kanë ndihmuar atë grup kriminal në mënyrë që të kryejë veprën penale, pra vrasjen e Oliver Ivanoviqit i cili ishte një nga politikanët më të rëndësishëm serb në Kosovë që nga përfundimi i luftës.