Duke ndezur njëmijë qirinj në Beograd, disa qindra qytetarë kërkuan nga autoritetet në Serbi dhe në Kosovë që urgjentisht t’i ndjekin ata që urdhëruan dhe kryen vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Tubimi u mbajt para Kishës së Shën Markut, me ftesë të Opozitës së Bashkuar të Serbisë, saktësisht njëmijë ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, udhëheqës i Nismës Qytetare Liria, Demokracia, Drejtësia, në Mitrovicën e Veriut.
Gordana Petroviq nga Beogradi ishte në mesin e të tubuarve.
"Kam ardhur nga revolta e thellë. Nuk mund të pranoj që në një shtet të civilizuar - që do të duhej të ishte ligjor, sepse nëse nuk është ligjor, atëherë nuk është shtet - tash e njëmijë ditë nuk ka asnjë të vërtetë se kush e vrau Oliver Ivanoviqin. Kjo është me të vërtetë e papranueshme. Vrasja e Oliver Ivanoviqit është një e shtënë në të gjithë ne. Dhe, ju lutem ndalojeni atë të shtënë; shtet, ndaloje atë të shtënë”, tha Petroviq.
Zoran Llutovac, kryetar i Partisë Demokratike opozitare në Serbi, tha se është përgjegjësi e madhe e qeverisë që t’i japë përgjigje pyetjes së kush e vrau Ivanoviqin.
“Kjo është një çështje e drejtësisë, një çështje e qëndrimit të shtetit ndaj atyre që qëllojnë në shtet. Sepse, të shtënat mbi Oliver Ivanoviqin janë të shtëna në mendjen e shëndoshë, në një politikë që përpiqej të kuptonte dhe përpiqej të bënte tolerancë“, tha Llutovac.
Njëmijë ditë nga vrasja e Ivanoviqit u shënuan nga qytetarët edhe në Mitrovicën e Veriut, në vendin e vrasjes së tij.
Dejan Nedelkoviq, mik i familjes Ivanoviq dhe një nga organizatorët e tubimit, kujtoi se as sot nuk dihen vrasësit e as ata që dhanë urdhrin.
“Kishte njëmijë ditë heshtje të institucioneve në Serbi, në Kosovë dhe të institucioneve ndërkombëtare për vrasjen e Ivanoviqit. Ai do të jetojë për aq kohë sa secili prej nesh jeton këtu; ne do ta kujtojmë punën dhe veprën e tij. Oliver, shumë faleminderit për gjithçka”, tha Nedelkoviq.
Ivanoviq është vrarë me armë zjarri më 16 janar, 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Për këtë krim, deri më tash, askush nuk është dënuar.
Për më shumë rreth këtij rasti, lexoni këtu.