Telefonata që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka pasur javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, mund të përfundojë si njëra nga më të rëndësishmet e presidencës së tij.
Dhe kjo, sigurisht, nuk ka qenë hera e parë që presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë të ashpër me homologun e tij ukrainas, në lidhje me Rusinë.
Zelenskiy ka biseduar 90 minuta në telefon me Bidenin, më 9 dhjetor.
Qëllimi ishte të diskutohej biseda që Biden ka zhvilluar paraprakisht me njeriun, i cili ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë afër kufirit me Ukrainën: presidentin rus, Vladimir Putin.
Biden, i cili më herët e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake amerikane në Ukrainë, në rast të ndonjë pushtimi të ri, “ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Publikisht, kërcënimi indirekt i Putinit me luftë ka të bëjë kryesisht me perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
SHIKONI EDHE: Biden e siguron Ukrainën për mbështetjen amerikanePor, paralajmërimet e Putinit kanë të bëjnë edhe me konfliktin në lindje të Ukrainës, që vazhdon tash e shtatë vjet. Zgjidhjen e tij e kanë penguar mosmarrëveshjet për zbatimin e traktatit të propozuar të paqes, i cili njihet gjerësisht si Marrëveshjet e Minskut.
Atëherë, çfarë saktësisht i ka thënë Biden Zelenskiyt? A po kërkon ai lëshime nga Kievi, ashtu siç ka sugjeruar së paku një raport? Dhe, a i ka premtuar ai koncesione Putinit, në kurriz të Ukrainës, ashtu siç ka sugjeruar së paku një raport tjetër?
“Kjo është pyetje e madhe”, thotë Orysia Lutsevych, kryesuese e Forumit ukrainas në Programin e Rusisë dhe Euroazisë pranë institutit kërkimor Chatham House, me seli në Londër.
“Të jem e sinqertë, kjo pyetje ka kuptim të bëhet vetëm nga perspektiva negociuese, të shihet se çfarë lëshimesh legjitime janë të gatshëm të bëjnë ukrainasit. Kjo është një pyetje që duhet ta bëjnë ukrainasit. Çfarë lloj kompromisi mund të bëni për të shmangur luftën?”, thotë Lutsevych për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: SHBA-Rusi: Deklarata të ndryshme për takimin e njëjtëPublikisht dhe privatisht, Shtëpia e Bardhë sigurt thotë: jo, Biden nuk i ka kërkuar Zelenskiyt të bëjë lëshime; ai është zotuar se Uashingtoni dhe aleatët evropianë do ta godasin Rusinë me sanksione të rënda ekonomike, nëse fillon një ofensivë të re.
“E di se ka pasur shumë zhurmë në shtyp nëse ka pasur ose jo lëshime. Është e qartë se nuk ka pasur”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, më 9 dhjetor.
“Mendoj se presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë se ai u qëndron prapa parimeve tona”, ka shtuar ajo.
Biden “e ka bërë të qartë se një shtet nuk mund ta detyrojë tjetrin t’i ndryshojë kufijtë, një shtet nuk mund t’i thotë tjetrit ta ndryshojë politikën dhe shtetet nuk mund t’u tregojnë të tjerave se me kë mund të punojnë”, ka thënë më vonë një zyrtar i lartë i administratës.
Në Kiev, zyrtarët e administratës së Zelenskiyt kanë vlerësuar se Biden është mbështetës i anëtarësimit eventual të Ukrainës në NATO - gjë të cilën Kremlini e ka kundërshtuar publikisht.
“Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë se vendimi i Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO është vendim i popullit ukrainas, i shtetit sovran dhe të pavarur të Ukrainës. Dhe ai as që ka qenë gati të diskutojë për këtë çështje. Kjo varet nga Ukraina dhe anëtarët e NATO-s”, ka thënë shefi i shtabit të Zelenskiyt, Andriy Yermak, në një program televiziv në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Çka qëndron pas tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës?Një nga sinjalet e rrezikshme që ka dalë nga telefonata Biden-Zelenskiy është se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen më shumë në procesin e zgjidhjes së konfliktit në rajonin Donbas, në lindje të Ukrainës, thotë Maria Zolkina, analiste politike në Fondacionin e Nismave Demokratike, me seli në Kiev.
Kjo nënkupton negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, të cilat do ta vinin Ukrainën në rrezik për t'u përjashtuar, shton ajo.
“Nëse nuk jemi në tryezë, jemi jashtë procesit”, thotë Zolkina për Radion Evropa e Lirë.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane ka bërë përpjekje t’i zvogëlojë shqetësimet e tilla, duke thënë se Biden “ia ka bërë të qartë Zelenskiyt...”, se “nëse Ukraina është në agjendë, atëherë Ukraina është në tryezë”.
Zhvillimi i Zelenskiyt
E vetmja rrugë për të përfunduar luftën në Donbas është e përcaktuar me Marrëveshjet e Minskut, përkatësisht armëpushimet e nënshkruara në shtator të vitit 2014 dhe në shkurt të vitit 2015, të cilat ofrojnë kornizë - ndonëse të diskutueshme - për marrëveshje të paqes.
Por, djalli fshihet në detaje: si dhe kur të bëhet tërheqja nga të dyja anët; si dhe kujt do t'i jepte amnisti Kievi; si dhe kur do t’i mbante Ukraina zgjedhjet lokale në rajonet e kontrolluara nga separatistët pro-rusë dhe do t'u jepte atyre status të veçantë; si dhe kur do të rimerrte Kievi kontrollin e plotë në kufirin e tij me Rusinë në ato zona?
Një problem i madh është se as Kievi dhe as Moska nuk besojnë se pala tjetër negocion me qëllime të mira.
SHIKONI EDHE: Ukraina i bën thirrje NATO-s të marrë masa parandaluese ndaj MoskësMohimi i vazhdueshëm i Rusisë për përfshirjen në luftimet në lindje të Ukrainës - pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën - nuk ndihmon në këtë situatë.
Vetë Zelenskiy ka shënuar fitore të madhe në zgjedhjet e vitit 2019, duke premtuar edhe përfundimin e luftës.
Në fillim, ai ka pasur disa fitore të vogla. Pesë muaj pasi është zgjedhur president, ai ka siguruar një shkëmbim të të burgosurve me Rusinë. Tridhjetë e pesë ukrainas, që janë mbajtur në Rusi - disa prej tyre me vite - janë kthyer në shtëpi.
Që atëherë, pozicioni i Zelenskiyt ndaj Rusisë është ashpërsuar, gjë që, me sa duket, ka shkaktuar zemërim në Kremlin.
Zelenskiy, i cili ka të drejtë të garojë për mandatin e dytë presidencial në vitin 2024, ka shpeshtuar thirrjet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Një ditë pas video-konferencës me Bidenin, javën e kaluar, Putin ka folur sërish për pozicionin e Rusisë për këtë çështje - edhe pse NATO-ja nuk ka dhënë asnjë shenjë se Ukraina do të ftohet që të anëtarësohet në radhët e saj, gjatë viteve të ardhshme.
“Ne jemi të shqetësuar për perspektivat e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO, pasi kjo do të rezultojë përfundimisht me shpërndarjen e kontingjenteve ushtarake, bazave dhe armëve, që përbëjnë kërcënim për ne”, ka thënë Putin.
SHIKONI EDHE: Rusia akuzon Perëndimin për "histeri" në raport me konfliktin në UkrainëDuke vënë në dukje se sistemet e mbrojtjes raketore të SHBA-së janë duke u vendosur në Poloni dhe Rumani, Putin ka thënë se Rusia i ka “të gjitha arsyet për të besuar se e njëjta gjë do të ndodhë nëse Ukraina i bashkohet NATO-s, por në tokën ukrainase”.
“Si mund të mos mendojmë për këtë?”, ka pyetur Putin.
Por, nuk janë vetëm ukrainasit ata që janë nervozuar me bisedën Biden-Putin.
Gjatë telefonatës, sipas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, të dy udhëheqësit kanë rënë dakord që të organizojnë bisedime të reja për një varg çështjesh, përfshirë ankesat ruse për NATO-n.
Biden ka thënë pastaj se shpreson se Shtëpia e Bardhë do të njoftojë së shpejti për takime të nivelit të lartë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me katër aleatët kryesorë të NATO-s.
Kjo ka shqetësuar anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore, të cilët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëvizjeve kërcënuese të Moskës. Biden, pastaj, ka zhvilluar një telefonatë tjetër me grupin e njohur si “Nënta e Bukureshtit”, i cili përfshin shtetet baltike dhe Poloninë.
Një diplomat polak, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se Varshava ka frikë se qasja e SHBA-së ndaj Ukrainës, shkon në dëm të Ukrainës dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Ukraina gati për çfarëdo aksioni me RusinëBiden dhe Zelenskiy kanë folur së paku dy herë më parë - një herë personalisht - për çështje që kanë përfshirë edhe Rusinë.
Në qershor, Shtëpia e Bardhë e Bidenit ka zgjedhur të mos vendosë sanksione ndaj Rrjedhës së Veriut 2 - një tubacion nën Detin Baltik, që i mundëson Rusisë të dërgojë më shumë gaz në Evropë, duke e anashkaluar rrjetin e tubacioneve të Ukrainës.
Zelenskiy e ka shprehur publikisht zemërimin dhe ka zhvilluar një telefonatë me Bidenin.
Në shtator, pastaj, Zelenskiy është pritur në Shtëpinë e Bardhë, ku Biden dhe zyrtarët e tjerë amerikanë e kanë siguruar për mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.
Takimi më vonë ka rezultuar me një “partneritet të ri strategjik”, që përfshin bashkëpunim specifik për çështje të mbrojtjes.
Por, që atëherë, Moska e ka kërcënuar Ukrainën, duke dërguar dhjetëra mijëra trupa - ndoshta më shumë se 100,000 - në rajonet pranë kufijve me Ukrainën dhe në Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
SHIKONI EDHE: Në rrezik të vazhdueshëm: Jeta e ukrainasve pranë frontit të luftësNë një raport të publikuar në fillim të këtij viti - shumë kohë përpara grumbullimit të trupave ruse - Qendra Razumkov, një institut i pavarur i Kievit, ka zbuluar se 70 për qind e ukrainasve mbështesin një referendum publik për anëtarësimin në NATO.
Dhe, një tjetër anketë e publikuar javën e kaluar, ka treguar se 54 për qind e të anketuarve besojnë se marrëveshjet e Minskut duhen rishikuar ose rinegociuar.
Anketa ka zbuluar gjithashtu se 56 për qind e të anketuarve favorizojnë negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë; 41 për qind i kundërshtojnë.
Sondazhi i grupit Reiting në Kiev ka anketuar 2,500 ukrainas, në periudhën 6-8 dhjetor.