Ukraina ka thënë se do t’i kërkojë NATO-s që të rrisë bashkëpunimin ushtarak me Kievin dhe të përgatisë sanksione ekonomike në kuadër të masave për të parandaluar sulmet e Rusisë ndaj këtij shteti.
Liderët e aleancës veriatlantike do të zhvillojnë të mërkurën, 1 dhjetor, takimin e dytë në Letoni, ndërkohë që rriten shqetësimet për prezencë ushtarake ruse afër kufirit ukrainas.
“Ne besojmë se nëse bashkojmë forcat, nëse veprojmë në mënyrë të koordinuar, ne do të mund të pengojmë presidentin rus, Vladimir Putin dhe të demotivojmë atë nga zgjedhja e skenarit më të keq, që është operacioni ushtarak”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pasi është nisur për të biseduar me homologët e NATO-s në kryeqytetin e Letonisë, Rigë.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, ka thënë se çfarëdo operacioni ushtarak që do të mund të rrezikonte sovranitetin e Ukrainës, do të ketë pasoja të rënda, dhe se shteti i tij do të jetë i gatshëm për t’u përgjigjur me sanksione të ashpra.
Komentet e Kofodit kanë qenë në linjë me paralajmërimet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe të ministrave tjerë të Jashtëm të bllokut të NATO-s, të cilët në ditën e parë të takimit, të zhvilluar më 30 nëntor, kanë thënë se Rusia do të paguajë çmim të shtrenjtë për çfarëdo agresioni ushtarak kundër Ukrainës.
Moska, në anën tjetër, i ka tërhequr vërejtjen NATO-s, që të mos kalojë “linjën e kuqe”.
Ukraina – e cila synon të bëhet anëtare e NATO-s, hap që është kundërshtuar ashpër nga Moska – ka thënë se Rusia është duke mbajtur mijëra trupa dhe pajisje të rënda afër kufirit të përbashkët, situatë që ka rritur shqetësimet për pushtim të mundshëm.
Rusia, e cila ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe përkrah separatistët që luftojnë kundër Kievit në luftën që ka lënë të vdekur më shumë se 13,200 njerëz në shtatë vjetët e fundit, ka hedhur poshtë sugjerimet se është duke planifikuar sulm dhe fajëson Ukrainën dhe përkrahësit e Perëndimit se janë duke nxitur tensione.