Ndërlidhjet

Blinken paralajmëron për “pasoja serioze” në rast të një agresioni të ri rus


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka paralajmëruar Moskën se çdo agresion i ri në Ukrainë do të nxiste “pasoja serioze”. Këto paralajmërime vijnë në kohën e rritjes së shqetësimeve pasi Rusia ka grumbulluar ushtrinë pranë kufirit me Ukrainën.

Duke folur më 30 nëntor, në një konferencë për media në Riga, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, Blinken tha se grumbullimi i ushtrisë ruse ishte i “pazakonshëm” dhe shtoi se “çdo veprim përshkallëzues nga Rusia do të ishte shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara”.

Në agjendën e takimit dyditor në Riga të Letonisë pritet të bisedohet për mbështetjen shtesë për ushtrinë e Ukrainës dhe forcimin e prezencës së NATO-s në kufijtë lindorë të Aleancës Veri-Atlantike.

Aleatët duan që t’ia bëjnë me dije Kremlinit se do të përballet me pasoja nëse e kërcënon Ukrainën, teksa nuk duan që të provokojnë Moskën, gjë që do të nxiste një agresion të ri.

Rusia, që ka aneksuar gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe mbështet separatistët që po luftojnë në lindje të Ukrainës që prej prillit të vitit 2014, ka mohuar se po përgatitet për një sulm dhe fajëson NATO-n se po nxit tensione.

Ndërkaq, sipas një njoftimit të Departamentit të Shtetit të publikuar më 29 nëntor, në takimin e NATO-s në Riga, Blinken do të theksojë fuqinë e raporteve transatlantike, suksesin e NATO-s për të mbrojtur komunitetin transatlantik dhe përkushtimin e administratës amerikane ndaj aleancës dhe aleatëve.

Në deklaratë u përsërit qëndrimi që SHBA-ja është e përkushtuar për mbrojtje të përbashkët dhe u theksua se aleanca po përballet me një sërë sfidash të sigurisë.

Këtu përfshihen “përshkallëzimi i agresionit rus, kërcënimet hibride dhe kibernetike dhe mënyra sesi ndryshimet klimatike po ndikojnë dhe kërcënojnë botën”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG