Ndërlidhjet

Kryeministri polak: NATO të zgjohet përballë Rusisë


Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se aleatët e NATO-s “duhet të zgjohen” përballë përpjekjeve ruse për të destabilizuar rajonin.

Në një intervistë për BBC-në, Morawiecki tha se ngjarjet e fundit tregojnë se Kremlini dhe aleatët e tij duan “ta ndryshojnë sistemin gjeopolitik” dhe “ta përçajnë Bashkimin Evropian”.

Morawiecki përmendi këtu rritjen e pranisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, rritjen e çmimeve të gazit dhe krizën me migrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë.

Ai i bëri komentet në prag të një takimi të ministrave të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së martë.

NATO, e cila është aleanca më e fuqishme e mbrojtjes në botë, dhe udhëheqësit e BE-së e kanë akuzuar Bjellorusinë së voni për orkestrimin e krizës me migrantë në kufirin e saj me Poloninë.

Morawiecki tha se “nuk është tepër vonë për të vepruar”, por shtoi se mund të jetë vonë pas disa muajsh.

“Gjëra të këqija mund të ndodhin në Ukrainë, për shembull; ose, mund të ketë një problem tjetër të madh me migracionin në të gjithë Evropën”, tha Morawiecki.

Ai tha se beson se “autor” i krizës me migrantë është udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka, por, sipas tij, “ai e ka sponsorin e tij, ai e ka drejtorin e tij” në Kremlin - duke iu referuar kështu presidentit rus, Vladimir Putin.

“Të gjitha pjesët e enigmës së bashku paraqesin një pamje jo shumë të mirë”, tha Morawiecki.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, takohen të martën në Riga të Letonisë për bisedime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG