Ndërlidhjet

Çka qëndron pas tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës?


Rezervistët e separatistëve në lindje të Ukrainës duke u trajnuar në afërsi të qytetit Luhansk. 23 shtator 2021.
Rezervistët e separatistëve në lindje të Ukrainës duke u trajnuar në afërsi të qytetit Luhansk. 23 shtator 2021.

Associated Press

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë janë të shqetësuar lidhur me grumbullimin e ushtrisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, që mund të sinjalizojë për planet e Moskës për ta pushtuar atë.

Kremlini ka insistuar se nuk ka qëllime të tilla dhe e ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë se po bëjnë pretendime të tilla për të mbuluar “planet e tyre agresive”.

Është e paqartë nëse grumbullimi i trupave ruse paralajmëron ndonjë sulm. Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar garanci perëndimore që pengojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë dhe dërgimi i trupave në kufi mund të jetë një mesazh për këtë gjë.

Më poshtë mund të mësoni për tensionet aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës:

Ku i ka rrënjët përplasja ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës?

Ukraina, që ishte pjesë e Perandorisë ruse për shumë shekuj para se të bëhej republikë sovjetike, fitoi pavarësinë pasi Bashkimi Sovjetik u shpërbë më 1991. Shteti po punon që të lë pas trashëgimin nga Perandoria ruse dhe po krijon raporte gjithnjë e më të ngushta me Perëndimin.

Vendimi i presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych – që ishte i afërt me Kremlinin – për të kundërshtuar marrëveshjen e anëtarësimit me Bashkimin Evropian në favor të raporteve më të ngushta me Moskën, nxiti protesta masive, që çuan në rrëzimin e tij nga pushteti më 2014. Rusia u kundërpërgjigj duke aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë dhe duke mbështetur separatistët, që nisën kryengritje në lindje të Ukrainës.

Ukraina dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e trupave dhe armëve te rebelët. Moska i mohon këto akuza, duke thënë se rusët që u janë bashkuar separatistëve, ishin vullnetarë.

Mbi 14,000 persona kanë vdekur në luftimet në rajonin lindor të Ukrainës, që njihet si Donbas.

Një marrëveshje e paqes, e arritur më 2015 me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë, ndihmoi që të ndërpriteshin luftimet e shkallës së gjerë, por përpjekjet për të arritur një marrëveshje politike kanë dështuar dhe përleshjet sporadike kanë vazhduar përgjatë linjës së tensionuar të kontaktit.

Më herët gjatë këtij viti, për shkak të shkeljeve të një armëpushimi në lindje dhe grumbullimi i trupave ruse pranë Ukrainës, rriti frikën për shpërthimin e ndonjë lufte, por tensionet u ulën kur Moska tërhoqi pjesën më të madhe të forcave të saja, pas manovrave në muajin prill.

Grumbullimi i fundit i ushtrisë ruse pranë kufirit me Ukrainën

Javën e kaluar, zyrtarët amerikanë të inteligjencës vlerësuan se Rusia po planifikon të vendosë 175,000 trupa dhe pothuajse shumica e tyre veçse janë stacionuar në disa pika pranë kufirit me Ukrainën, në përgatitje të një pushtimi të mundshëm, që mund të nisë në fillim të vitit 2022.

Ukraina është ankuar se Moska ka mbajtur mbi 90,000 trupa jo shumë larg kufirit ndërmjet dy shteteve, pas mbajtjes së stërvitjeve të mëdha ushtarake në perëndim të Rusisë gjatë vjeshtës.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes tha se pjesëtarët e njësisë së 41-të të ushtrisë ruse kanë qëndruar në afërsi të Yelnya, një qytet që gjendet rreth 260 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov më 3 dhjetor u tha ligjvënësve se numri i trupave ruse në afërsi të Ukrainës dhe Krimesë së kontrolluar nga Rusia, vlerësohet se është 94,300, duke paralajmëruar se në janar mund të ndodhë një “përshkallëzim i shkallës së gjerë”.

Për më tepër, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase tha se Rusia ka rreth 2,100 pjesëtarë të personelit ushtarak në pjesën e kontrolluar nga separatistët në lindje të Ukrainës dhe se zyrtarët rusë kanë nën kontroll të gjitha pozicionet e forcave separatiste. Moska në vazhdimësi ka mohuar se ka prezencë të forcave ushtarake në lindje të Ukrainës.

Rusia nuk ka ofruar asnjë detaj lidhur me numrin e trupave të saja dhe vendet ku janë të pozicionuara, duke thënë se dërgimi i trupave në territorin e saj nuk duhet t’i interesojë askujt.

Çka dëshiron Moska?

Kremlini e ka akuzuar Ukrainën se ka dështuar të respektojë marrëveshjen e paqes të vitit 2015 dhe ka kritikuar Perëndimin se ka dështuar që të inkurajojë Ukrainën që ta respektojë këtë marrëveshje. Ky pakt ishte një puç diplomatik për Moskën, pasi kërkoi që Ukraina t’u jepte autonomi të gjerë rajoneve të kontrolluara nga rebelët dhe të ofrojë amnisti për rebelët.

Në anën tjetër, Ukraina ka potencuar shkeljet e armëpushimit nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe ka insistuar se ka prezencë të vazhdueshme të trupave ruse në lindje të vendit, pavarësisht mohimeve të Kremlinit.

Në mesin e akuzave, Rusia ka refuzuar një takim katërpalësh me Ukrainën, Francën dhe Gjermaninë, duke thënë se ky takim është i padobishëm për shkak të refuzimit të Ukrainës që t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2015.

Moska ka kritikuar fuqishëm SHBA-në dhe aleatët e saj të NATO-s që i kanë ofruar armë Ukrainës, dhe për mbajtjen e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, duke theksuar se kjo e inkurajon Ukrainën që të tentojë me forcë të rimarrë kontrollin e zonave të rebelëve.

Më herët gjatë këtij viti, Putini tha se një përpjekje nga Ukraina për të rimarrë kontrollin në lindje, do të kishte “pasoja të rënda për shtetin ukrainas”.

Presidenti rus në vazhdimësi i ka përshkruar rusët dhe ukrainasit si “një popull” dhe ka pretenduar se Ukraina padrejtësisht gjatë kohës sovjetike ka marrë tokat që historikisht kanë qenë ruse.

Putini ka theksuar se aspiratat e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s paraqesin vijë të kuqe për Moskën dhe gjithashtu ka shprehur shqetësimin lidhur me planet e disa anëtarëve të NATO-s që të krijojnë qendra të trajnimeve ushtarake në Ukrainë. Ai ka thënë se një gjë e tillë do t’u jepte prezencë ushtarake, pa pasur nevojë që Ukraina t’i bashkohej NATO-s.

Javën e kaluar, Putini theksoi se Rusia do të kërkojë “garanci të besueshme dhe afatgjata të sigurisë” nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, “që do të përjashtonin çdo lëvizje të mëtejme të NATO-s drejt lindjes dhe vendosjes së sistemeve të armëve që do të na kërcënonin ne në afërsi të territorit rus”.

Ai akuzoi se “kërcënimet po rriten në kufirin tonë perëndimor”, teksa NATO-ja ka vendosur infrastrukturë ushtarake afër Rusisë dhe ka kërkuar nga Perëndimi që të angazhohet në bisedime substanciale për këtë çështje, duke shtuar se Moskës nuk do t’i duhen vetëm garancitë verbale, por “garanci ligjore”.

Më 7 dhjetor, presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin zhvilluan një takim virtual, ku diskutuan për çështjen e Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk ka bërë “zotime ose koncesione” sa i përket kërkesave të Putinit.

“Presidenti Biden shprehu shqetësimin e thellë të SHBA-së dhe aleatëve tanë evropian mbi përshkallëzimin e forcave të Rusisë në përreth Ukrainës dhe ia bëri të qartë se SHBA-ja dhe aleatët tanë do të përgjigjen me masa të forta ekonomike dhe masa të tjera, nëse do të ketë përshkallëzim ushtarak”, tha Shtëpia e Bardhë.

Putini në këtë takim ka kërkuar “garanci ligjore” që do t’ia ndalonin zgjerimin NATO-s drejt lindjes, por duket se në takimin dyorësh, asnjëra palë nuk hoqi dorë nga qëndrimet e tyre.

Kremlini tha se Putini i ka thënë Bidenit se NATO-ja po forcon potencialin e saj ushtarak pranë kufijve të Rusisë “dhe po bën përpjekje të rrezikshme për ta pushtuar territorin ukrainas”.

“Prandaj, Rusia është seriozisht e interesuar për marrjen e garancive të besueshme, garanci ligjore që do të përjashtonin mundësinë e zgjerimit të NATO-s në lindje dhe vendosjen e sisteme të armëve sulmuese në shtetet ngjitur me Rusinë”, tha Kremlini.

A është real kërcënimi nga një pushtim rus?

Rusia ka refuzuar idenë se ka plane për pushim, duke e cilësuar këtë si fushatë shpifjeje të Perëndimit dhe ka akuzuar se këto pretendime mund të fshehin pas vetes qëllimin ukrainas për një sulm në lindje. Ukraina mohon se ka plane të tilla.

Disa vëzhgues e kanë interpretuar grumbullimin e trupave ruse si një demonstrim nga Putini se Rusia është e gatshme të rrisë presionin për të bindur NATO-n që të respektojë vijat e kuqe të Moskës dhe të ndalojë së dërguari trupa dhe armë në Ukrainë.

Muajin e kaluar, Putini tha se ishte i kënaqur që paralajmërimet e Moskës më në fund tërhoqën vëmendje dhe shkaktuan “stres të caktuar” në Perëndim. Ai ka shtuar se: “Është e nevojshme që t’i mbajmë ata në atë gjendje për aq kohë sa të mundemi, në mënyrë që të mos u shkojë mendja të nisin ndonjë konflikt në kufijtë tanë perëndimorë, konflikt që ne na duhet”.

Zyrtarët amerikanë pranuan se qëllimet e Moskës janë të paqarta, por vunë në dukje se sjelljet e Rusisë në të kaluarën, janë shkak për shqetësim.

Më 3 dhjetor, presidenti amerikan, Joe Biden u zotua se do t’ia bëjë “shumë, shumë të vështirë” Putinit që të sulmojë Ukrainën, duke thënë se administrata e tij do të nisë një sërë iniciativash që synojnë ta pengojnë agresionin rus.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG