Interpretimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2014, në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, duket se nuk i ka zgjidhur të gjitha dilemat.
Interpretime të ndryshme vërehen sidomos kur bëhet fjalë për të drejtën që edhe koalicioni, partia apo subjekti që zë vendin e dytë në zgjedhje, ta ketë të drejtën të propozojë mandatarin për formimin e qeverisë.
Propozimi i mandatarit, fillimisht, i takon koalicionit apo partisë politike që i fiton zgjedhjet. Që në rastin e zgjedhjeve të fundit parlamentare të 11 qershorit, nënkupton koalicionin PAN, përkatësisht koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.
Ndërkaq, në rast se koalicioni PAN dështon që ta formojë qeverinë, mbetet e diskutueshme se a e ka të drejtën për mandatar edhe Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti i dytë i dalë në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.
Njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë se Kosova mund të përballet me një krizë politike në rast se formimi i qeverisë dështon në rrethin e parë dhe presidenti nuk e jep këtë mundësi për dikë tjetër.
Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rastin e dytë, presidenti nuk guxon ta kontestojë një shumicë parlamentare nëse ajo i arrin 61 vota.
"Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin në herën e dytë, megjithëse ka zbrazëtira dhe nuk është në mënyrë precize i saktësuar, konsideroj se është i qartë për aq sa të tregojë se në herën e dytë diskrecioni i presidentit nuk është çështje e vullnetit dhe e preferencave personale të presidentit se kujt dëshiron t'ia japë mandatarin, por duhet të jetë në bazë të asaj se kush e ka shumicën parlamentare në Kuvend dhe kush e ka fuqinë për ta krijuar qeverinë", vlerëson Krasniqi.
Në rast të bllokadës, sipas Krasniqit, mund të ketë edhe ndërhyrje apo ndërmjetësim nga faktori ndërkombëtar.
"Në rast se presidenti do të kryejë një veprim bllokues dhe të insistojë vetëm në partinë e parë, përkatësisht në ish-patinë e tij, PDK-në, atëherë pa dyshim që faktori ndërkombëtar do të mobilizohet dhe përmes presionit të vet do të përpiqet që ta zhbllokojë këtë situatë. Këtë e kemi parë ne në rajon dhe shumë vende të tjera ku demokracia ka qenë e brishtë", shton Krasniqi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka marrë konfirmimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (koalicioni PAN) dhe mandatari për kryeministër (Ramush Haradinaj) se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të formohet pa vonesa.
Sa i përket mundësisë që mandatari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, të dështojë të sigurojë votat për formimin e Qeverisë dhe mundësisë që Thaçi më pas t’ia japë mandatin kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, presidenti Thaçi tha se nuk mund t’i parashikojë as paragjykojë zhvillimet e ardhshme.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se nëse koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma [PAN] dështon që ta krijojë qeverinë, presidenti duhet që t’ia japë mundësinë një shumice tjetër parlamentare, e cila mund ta formojë qeverinë.
Ai mendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuesi i vitit 2014, është shumë i qartë dhe se sipas tij, aty ka një bazë të mjaftueshme se si duhet të veprohet në rastet për dhënien e mandati një koalicioni apo subjekti politik.
"Presidenti i vendit i ka kompetencat kushtetuese dhe diskrecionin që ia garanton Kushtetuta për të vendosur në rast se dështon krijimi i qeverisë nga ana e subjekti fitues, në këtë rast nga koalicion PAN”.
“Presidenti është i obliguar që në rast të kësaj situate, t’ia bartë përgjegjësinë për krijimin e institucioneve shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës, respektivisht një kandidati tjetër, i cili mund të jetë edhe kandidat nga po i njëjti subjekt fitues ose një kandidat tjetër. Pra, presidenti në këtë rast duhet ta shfrytëzojë diskrecionin e tij në mënyrë shumë korrekte, në mënyrë që t’i krijojë institucionet dhe të shmangë me çdo kusht zgjedhjet e reja", thotë Mushkolaj.
Edhe Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë që në procesin e formimit të institucioneve të përfshihet si lehtësues edhe faktori ndërkombëtar.
"Ashtu siç ka pasur vazhdimisht raste, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit, mund të ketë përfshirje në mënyrë që institucionet të krijohen sa më shpejt. Të gjitha partitë politike duhet ta dinë se Kosova nuk e ka luksin e zvarritjes pa nevojë të krijimit të institucioneve", theksonMushkolaj.
Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Më pas, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.