Adem Mikullovci, në Kosovë njihet në radhë të parë si aktor. Por, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut, 1990.
Tani, Mikullovci është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Si deputeti më i vjetër, ai së bashku me deputetin më të ri të përbërjes së ardhshme të legjislativit do të drejtojnë seancën e parë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.
Në një bisedë të shkurtë për Radion Evropa e Lirë, Adem Mikullovci beson se Vetëvendosje do të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe përjashton çdo mundësi që ai ta votojë ndonjë kandidat për kryeministër nga subjektet tjera politike.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju keni qenë delegat i Kuvendit para luftës, ndërkohë që siguruat votat të jeni edhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës. A prisni që Kuvendi i Republikës së Kosovës të arrijë të shmang ngërçin institucional, që po paralajmërohet rreth formimit të Qeverisë?
Adem Mikullovci: Unë pres që gjithsesi të kalohet ky ngërç sepse duhet të formohet Qeveria e re dhe të vazhdojë punën Kuvendi në përbërjen e legjislacionit të ri. Besoj shumë që PAN-i nuk do t’i ketë votat, nuk do ta formojë Qeverinë.
Qeverinë do ta formojmë ne si partia më e votuar, me numrin më të madh të deputetëve, pa koalicion me askënd. Kështu që pres që pas disa ditësh, Presidenti i Kosovës ta emërojë Albin Kurtin si kryeministër, si kandidatin më të votuar dhe Kurti ta formojë Qeverinë e re.
Radio Evropa e Lirë: Emri juaj është lakuar kur flitet për votën për kandidatin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj. Do të votoni për zotin Haradinaj?
Adem Mikullovci: Unë nuk po kuptoj si ka mund të lakohet emir im në media. Por, them se unë jam aktor dhe kam profesion të studioj karakteret e njerëzve, psikologjinë e njerëzve, qëndrimet e njerëzve, dhe njerëzit më pa karakter, më të ndytë, hiena, qentë e luftës janë ata njerëz që kërcejnë nga një parti në tjetrën sipas nevojës të rastit për përfitime personale. Mund të ndodhë gjithçka në jetë, por një nuk mund të ndodhë, që unë të votoj për PAN –in, pra të ndërroj ideologjinë time.
Pse iu kam bashkëngjitë unë Vetëvendosjes - për me qenë pjesëtarë i një partie që po vjen, që do të sjellë ndryshime për të mirë, dhe këto ndryshime do t’i sjellë Vetëvendosja.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju si deputeti më i vjetër në Kuvend, a jeni i gatshëm të ndërmjetësoni në negociata në mes partive politike rreth koalicioneve të reja?
Adem Mikullovci: Jo. Pse të përzihem unë në mes tyre. Ata kanë bërë koalicione krye më vete. Ata i kanë programet e veta, planet e veta. Ne si Vetëvendosje nuk kemi nevojë fare të përzihemi në marrëveshjet e tyre, në planet e tyre. Ne e kemi programin tonë 40 pikësh, të cilin e ka paraqitur Albin Kurti dhe Vetëvendosje për Qeverinë e re, dhe absolutisht nuk ka nevojë që unë të përzihem në punët e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Po ju, si Vetëvendosje, do të bëni koalicion me ndonjë parti?
Adem Mikullovci: E këtë nuk e di. Nuk di si do të vjen puna. Ndoshta do të detyrohemi, pas dështimit që do të ndodh me PAN-in, e që mendoj se do të ndodhë. Por edhe nëse bëjmë koalicion, ne do ta bëjmë në një mënyrë tjetër, plan tjetër, program tjetër.