Haziri: LDK-ja hyn në Qeveri vetëm me rolin prijës dhe me gjithëpërfshirje

Lutfi Haziri - Fotografi nga arkivi

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rikonfigurimi i Kryesisë së Kuvendit dhe rikonfigurimi i strukturave të dialogut, është rruga më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirës për procese të rëndësishme për vendin, e me theks të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi. Haziri thotë se në rast se arrihet një marrëveshje për një Qeveri gjithëpërfshirës, LDK-së i bie që të udhëheqë me Qeverinë.

Radio Evropa e Lirë: Kemi dëgjuar disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të flasin edhe për mundësinë e krijimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të merrte përsipër disa prej proceseve aktuale politike, sidomos dialogun me Serbinë. Si e mendoni një Qeveri gjithëpërfshirëse?

Lutfi Haziri: Në fakt, është qëndrim i kryetarit të LDK-së (Isa Mustafa) dhe i Kryesisë së LDK-së në takimet që para dhjetë ditësh ne kemi organizuar me strukturat tona, është një hap përtej formulës legjitimiteti para dialogut. Duke parë që në kohën në të cilën po angazhohemi momentalisht dhe përafrimi i zgjedhjeve brenda BE-së, në fund të majit të këtij viti, po krijon një ambient jo të favorshëm për zgjedhje në Kosovë.

Legjitimiteti dhe dialogu është oferta e fundit që LDK-ja u ka bërë partive në qeverisje, sepse ata udhëheqin tri institucionet kryesore në vend dhe deri më tani kanë arritur të prodhojnë vetëm zhurmë politike dhe të shkaktojnë një lloj frike politike lidhur me negociatat Kosovë-Serbi, sepse pritja e rezultateve është frikë te njerëzit, do të jetë e dëmshme për Kosovën. Legjitimiteti, ose përmes zgjedhjeve ose përmes marrëveshjes politike, nuk ka rrugë tjetër që mundet t’i jepet, sepse ne nuk mund t’ia falim legjitimitetin tonë askujt.

Rikonfigurimi i Qeverisë, rikonfigurimi i Kryesisë së Kuvendit, rikonfigurimi i strukturave të dialogut është ajo që ne e shohim në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga të gjitha partitë politike që janë në Kuvendin e Republikës, të gjitha partitë, pa përjashtim. Ne mendojmë se duhet të ndërtohet një kulturë e unifikimit për interes të Republikës në përmbylljen sidomos të proceseve të rënda, që tash po lidhen me pritjet për prodhimin e një dokumenti ligjërisht të obligueshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Ju konsideroni që LDK-ja është përjashtuar prej këtij procesi sepse ka pasur oferta, ka pasur ftesa që LDK-ja të jetë pjesë e Ekipit negociator?

Lutfi Haziri: Ne, nga 24 maji i vitit të kaluar kemi qenë të hapur për bisedime. Kemi shkaktuar dialog të partive politike, tryeza të partive politike në parimin e rotacionit dhe gjetjes së çështjeve në interes të përbashkët. LDK-ja ka bërë ofertë të madhe për partitë në qeverisje në atë kohë, duke ofruar edhe legjitimitetin e vet politik në përmbylljen e problemeve të mëdha që ka ky vend.

SHIKONI EDHE: Rikonfigurimi i Qeverisë, opsion më i mundshëm se zgjedhjet

U refuzua sepse ne nuk pamë asnjë përpjekje të partive në qeverisje, sa herë bisedonim për çështje që ndërlidhen për një konsensus më të gjerë. Natyrisht që prodhon një efekt sepse duhet të ketë një marrëveshje edhe për një datë më të hershme të zgjedhjeve dhe sa herë e kemi përmendur mundësinë e një date të hershme të zgjedhjeve, na janë përgjigjur me numra dhe në thirrjen që të organizojmë mocion mosbesimi.

Nuk ka qenë ky qëllimi ynë primar. Natyrisht që ne punojmë që ta rrëzojmë Qeverinë, por nuk ka qenë qëllimi ynë primar që ta sakatojmë Republikën tonë në agjendat e mëdha. Në anën tjetër, është harxhuar shumë energji në absorbimin e PSD-së, si grup i vetëm politik që është përafruar me partitë në Qeveri.

Ata absorbuan atë grup politik, ndërtuan një stabilitet të rrejshëm, krijuan në shumicë gjoja të qëndrueshme, por është derë e vogël për hyrje-dalje për partitë që janë në qeverisje dhe assesi nuk mund të flasim për një stabilitet institucional, sepse po shohim edhe agjenda e Qeverisë edhe agjenda e Kuvendit, janë në një gjendje kaotike.

Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Me çfarë kushte apo kritere hyn LDK-ja në një Qeveri të tillë që do të formohej eventualisht në të ardhmen, do të thotë Qeveri gjithëpërfshirëse?

Lutfi Haziri: Për ne është interes i madh pjesëmarrja e të gjitha partive politike. Le të themi, nuk është detyrimisht një kusht që ne mund ta përmendim, por ne mendojmë, jemi të bindur se pjesëmarrja e të gjitha partive politike në Kuvend – këta që kanë mandat politik – riorganizimi i Kryesisë së Kuvendit dhe rishikimi i strukturave të dialogut, krijon një mundësi që të gjithë të marrin përgjegjësinë e vet deri në përmbylljen (e procesit të dialogut). Po ashtu, detyrimisht duhet të ketë një marrëveshje parimore për zgjedhje të hershme.

Radio Evropa e Lirë: Po Qeverinë gjithëpërfshirëse si e mendoni?

Lutfi Haziri: Rikonfigurimi i bie sipas fuqisë politike, natyrisht. Nuk ka (kushte), nuk mund të spekuloj, as në këtë nivel që janë tash sepse mandej po na përkthehet kërkesa jonë, oferta jonë për stabilitet, po përkthehet si aspiratë për pushtet. Jo.

LDK-ja e sheh rolin e vet në udhëheqje të Qeverisë vetëm përmes zgjedhjeve. Ne besojmë që legjitimiteti i vetëm që na jep mandatin e Qeverisë janë zgjedhjet.

Një Qeveri e unitetit, një marrëveshje e unitetit për t’i përballuar problemet e mëdha që ka ky vend është vetëm ofertë për ta rikonfiguruar totalisht edhe Qeverinë edhe Kryesinë e Kuvendit.

SHIKONI EDHE: A do t’i nënshtrohet ristrukturimit Qeveria Haradinaj?

Radio Evropa e Lirë: Me çka do të ishte e kënaqur, me këtë forcë që e ka LDK-ja tash...

Lutfi Haziri: Ne do të ishim të kënaqur nëse të gjithë marrin pjesë. Mandej është çështja e marrëveshjeve politike. Marrëveshjet politike do të determinonin rolin e secilit, por natyrisht i bie prijëse LDK-së detyra e ekzekutivit, aty ku ka qenë para pak vitesh. Ne në mënyrë të padrejtë na u organizua mocioni, në mënyrë tinëzare dhe besojmë shumë që një rol i LDK-së në qeverisje, çfarë ka qenë deri para dy vjetësh, është treguesi më i mirë që proceset mund të shkojnë mbarë.

Radio Evropa e Lirë: A ka konsensus brenda LDK-së për t’u përfshirë në një koalicion të ri me partitë në pushtet?

Lutfi Haziri: Ne, të them të drejtën, kemi konsensus për platformën tonë. Platforma jonë nuk është e negociueshme, është një dokument që ka marrë miratimin e të gjitha strukturave. Për ne është interes jetik, prioritet numër një, dy dhe tre është ruajtja e unitetit tonë. Kështu që, ne nuk e rrezikojmë këtë unitet me asnjë formulë tjetër.

SHIKONI EDHE: LDK: Dialogu për kufijtë është i ndaluar

Radio Evropa e Lirë: Po, përfshirja në qeverisje?

Lutfi Haziri: Vetëm në mundësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike.

Radio Evropa e Lirë: Po nëse një Qeveri e tillë nuk formohet, çfarë pozicioni do të mbajë LDK-ja karshi dialogut dhe Ekipit negociator i cili po funksionon?

Lutfi Haziri: Po funksionon, por është i pafuqishëm. Është i pafuqishëm karshi ndërmjetësit ndërkombëtar, është i pafuqishëm karshi popullatës për shkak të legjitimitetit dhe do të jetë i pafuqishëm që të arrijë një marrëveshje finale.

Ky është hendikepi më i madh i tyre. Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të shtetit, të Republikës, demokracisë që e kemi, me mjete politike dhe vetëm me mjete politike do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo tendencë që deformojnë këto qëllime në Kuvendin e Republikës. Kjo është dera jonë , institucioni dhe roli ynë në të ardhmen.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të duhej të ishte oferta e Kosovës në dialogun me Serbinë, ka shumë opsione, që nga korrigjimi apo ndryshimi i kufirit, shkëmbimet e territoreve e deri te njohja reciproke?

Lutfi Haziri: Unë, besoj se Kosova duhet të shkojë me një platformë politike, e cila jep zgjidhje finale problemeve. Nuk mund ta injorojmë problemin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në parimin e reciprocitetit apo të shprehjes së vullnetit të tyre tash më të lirë me referendumin e vitit 1992.

Ata, delegacioni, duhet ta kenë parasysh këtë vullnet të tyre dhe natyrisht që nuk mund t'i lënë të jetojnë në këtë status që e kanë atje.

Kosova nuk ka çka jep shumë, nuk ka çka ofron shumë, definitivisht. Kosova duhet t'i mbyllë çështjet e hapura me Serbinë që lidhen me luftën e fundit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse thoni se edhe Presheva e pjesë të tjera të asaj ane të jenë pjesë e Kosovës, mendoni se Serbia do të pajtohet, pa marrë edhe ajo diçka nga Kosova?

Lutfi Haziri: Po krijohet një disponim që duhet të definohet një kufi mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Në Serbi është duke u ndërtuar një vendim te vendimmarrësit që duhet një kufi në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan dhe që i bie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për konceptin e serbëve në kulturën e serbëve, ata e shohin më shumë si shqiptarë dhe serbë, sepse për ta, është shumë e dhimbshme republika e dytë e shqiptarëve në Ballkan, gati se e papërballueshme, kurse për ne është e shenjtë. Kjo rritje është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë deri në fund.

Asetet kombëtare si Ujmani, Trepça, korridori i dhjetë, një segment i korridorit të dhjetë ndërkombëtar që kalon përmes Preshevës e Bujanocit, janë gjeografikisht të pandara prej territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në veri të Kosovës kufiri aty ku është tani?

Lutfi Haziri: Nuk e shoh larg as ai që është sot. Korrigjimi për mua si Lutfi Haziri në këtë rast, sepse LDK-ja e kundërshton çdo prekje të kufirit të Kosovës të vitit 1974, për mua si Lutfi Haziri, korrigjimi do të jetë shumë i vogël me disa fshatra të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe këtu përfundon gjithçka.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju mendoni se një pjesë e territorit aktual të Kosovës do të preket në rast të ndonjë marrëveshje?

Lutfi Haziri: Definitivisht kërkesa e tyre është pjesa e veriore dhe pjesa jugore të merret në veri, sepse ata nuk janë të gatshëm ta japin as Preshevën e as Bujanocin.

Ata janë të detyruar ta japin, po plani serb është që Morava dhe Ibri të jenë kufijtë natyrorë që i ndajnë shqiptarët dhe serbët në të ardhmen.