Asnjëra nga partitë politike në Kosovë, të cilat pritet të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk i kanë të harmonizuara deklarimet ideologjike me veprimet konkrete të tyre, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Agon Maliqi.
Sipas tyre, në listat zgjedhore, veç e veç, të subjekteve politike që garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, mungon një koherencë e njerëzve që do të ishin bindës që t’i çonin përpara projektet ideologjike, përbrenda një kornize specifike, në bazë të orientimeve të deklaruara ideologjike të partive përkatëse.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pasi këto parti nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.
Subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-së. Periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar.
Listat e paharmonizuara ideologjikisht
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se listat zgjedhore i paraqesin interesat afatshkurtra, qoftë të klaneve të ndryshme përbrenda partive apo të qëllimeve të liderëve politikë për një pozicionim populist, i cili garanton maksimalizim të votës.
SHIKONI EDHE: Mosbesimi në premtimet klishe të partive politikeNë listat e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, sipas tij, ka aq shumë improvizime sa që nuk mund të flitet për një planifikim strategjik afatgjatë, por vetëm për qëllime dhe interesa afatshkurtra.
“Listat zgjedhore e reflektojnë qartësisht këtë çakordim ideologjik të partive politike, sepse është e pamundur që brenda një liste të ketë përfaqësues, të cilët kanë qëndrime krejtësisht të kundërta me njëri-tjetrin, qoftë në aspektin ideologjik, qoftë në aspektin politik, por edhe në atë fetar. Ka një diskrepancë të konsiderueshme në mes qëllimeve që proklamohen dhe kandidatëve që janë në ato lista”, thekson Muhaxhiri.
Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që vetë partitë politike kanë probleme me profilizimin e saktë ideologjik, për shkak se ato kryesisht profilizohen në bazë të interesave të ngushta.
SHIKONI EDHE: Rrjetet ngufaten nga profilet e presidentëve dhe kryeministrave“Kryesisht, (partitë politike) kanë identitetet e tyre të bazuara në historinë e dhunshme të Kosovës, në ato çarjet dhe thyerjet e mëdha që i kemi pasë, si dhe në shpërndarjen e favoreve në bazë të rajoneve ose të interesave të drejtpërdrejta. Aty ka shumë pak hapësirë për diçka ideologjike. Vërehet edhe nga mesazhet e partive, që më shumë janë të fokusuar në këto zgjedhje në këto dimensionet historike, sesa në oferta politike që kanë ngjyra ideologjike. Tani edhe listat janë reflektim i kësaj”, thotë Maliqi.
Orientimet e deklaruara dhe veprimet konkrete
Njohësit e zhvillimeve politike, Muhaxhiri dhe Maliqi, vlerësojnë se, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është e deklaruar si parti e majtë, aktualisht brenda saj ka një, siç e quajnë ata, “mishmash ideologjik”.
Maliqi thotë se LVV-ja “do ta ketë vështirë ta menaxhojë atë mishmash, sepse aty është një koalicion në mes tri apo katër rrymave të saj”.
Muhaxhiri thotë se “flirtimi i LVV-së me faktorin fetar e bën problematik orientim e saj ideologjik të majtë të deklaruar”, sepse “në fund do t’i duhet të zgjedhë ndërmjet kontrastit në respektimin e vlerave të majta ose dorëzimit përapara kërkesave të djathta”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deklarohet si parti e qendrës së djathtë, gjatë qeverisjeve të saj ka pasur shumë elemente që i takojnë së majtës.
“LDK-ja më tepër është e përqendruar në sigurimin e besnikërisë partiake, si parim kryesor”, thotë Maliqi.
Sipas Muhaxhirit “gjatë qeverisjeve të saj, LDK-ja ka pasur shumë elemente që i takojnë së majtës dhe nuk mund të bëhet fjalë për një fuqizim të veprave konkrete në ndërlidhje me pozicionimin ideologjik”.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila fillimisht ishte konsideruar me orientim ideologjik të majtë, vitet e fundit e ka ndërruar pozicionin dhe deklarohet se është e djathtë.
Por, siç thotë Muhaxhiri, “marrë parasysh strukturën udhëheqëse të PDK-së, nuk mund të bëhet fjalë për djathtizëm të saj, sepse pjesa më e madhe e lidershipit të saj i ka takuar ideologjisë së majtë dhe nuk ka arritur ta bëjë kapërcimin në orientim të djathtë për kohë të shkurtë”.
SHIKONI EDHE: Verifikimi vështirëson votimin nga diasporaMaliqi thotë se PDK-ja ka mbetur ndërmjet gjeneratës së vjetër dhe të re të politikaneve të saj “në përpjekje për reformim dhe afirmim të brezit të ri. Por, aty nuk ka asgjë revolucionare”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt është deklaruar e djathtë, ndërkaq Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, si parti e majtë. Por, siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, vetë mënyra e funksionimit të tyre, e cila bazohet në lidership total, i ulë dhe i zbehë vlerat ideologjike që kanë për orientim këto parti, sepse interest grupore dhe klanore janë në shpërputhje me një funksionim të bazuar në preferencat ideologjike.
Programe të improvizuara
Të dy këta njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se për aq sa përbërjet e listave zgjedhore pasqyrojnë realitetin e orientimeve ideologjike të deklaruara të partive politike, që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, për aq do të pasqyrojnë edhe orientimet ideologjike të programeve, të cilat këto parti do të japin si oferta zgjedhore.
SHIKONI EDHE: Fushata e partive politike, me programe të përafërtaMuhaxhiri shpreh mendimin se krijimet e listave zgjedhore edhe ndërtimet e programeve partiake, janë rezultate të mënyrës dhe formës së funksionimit të partive.
“Nëse janë bërë improvizime të mëdha në procesin e krijimit të listave, atëherë është e logjikshme të pritet se do të ketë edhe improvizime në krijimet e programeve, por edhe në mënyrën e realizimit të këtyre programeve në praktikë, kushdo që të jetë në qeveri. Pra, nuk mund të presim një konsistencë të madhe të partive politike në raport me parimet ideologjike”, vlerëson Muhaxhiri.
SHIKONI EDHE: Kuota gjinore, tavan i qelqtë për partitëEdhe Maliqi shpreh mendimin se nuk do të ketë konsistencë ideologjike as në lista dhe as në programet që do t’i ofertojnë partitë politike para zgjedhësve. Sipas tij, kjo është kryesisht për arsyen se kur partitë përballen me pushtetin, njëkohësisht përballen edhe me realitetin që ua imponon orientimin e tyre, qoftë për politikën e jashtme, qoftë për atë të brendshme.
“Për shembull, tash po shoh që ka parti të profilizuara si të djathta, sikurse PDK-ja, që po premtojnë rritje të pagës minimale në 300 euro, gjë që është jokoherente me profilin e tyre dhe në të njëjtën kohë, me gjasë e parealizueshme në realitet, për shkak se do të nënkuptonte edhe rritje për veteranët. Kjo, përballë buxhetit, do të ishte e papërballueshme. Premtimet dhe listat, në njëfarë forme, nuk janë shpeshherë të bazuara në realitet dhe ajo çfarë premtohet dhe ofrohet, shumë shpesh del diçka krejt tjetër kur këto parti vijnë në pushtet dhe duhet të marrin vendime”, shprehet Maliqi.
Partitë politike, të cilat i kanë publikuar listat zgjedhore, tashmë jozyrtarisht kanë nisur fushatat zgjedhore me aktivistët dhe mbështetësit e tyre. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zyrtarisht partitë politike do të kenë dhjetë ditë në dispozicion për të bërë fushatë, nga data 3 deri më 12 shkurt.