Lista Serbe kremtoi fitoren ndaj institucioneve të Kosovës

Lista Serbe duke festuar me zyrtarë të Serbisë, 11 qershor

Lista Serbe, e cila sipas rezultateve të deritashme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë mbi 5 për qind të votave, e ka përjetuar këtë rezultat si fitore jo vetëm karshi subjekteve tjera politike serbe pjesëmarrëse në zgjedhje, por edhe karshi institucioneve të Kosovës dhe faktorëve të caktuar ndërkombëtarë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar, kanë festuar të dielën në mbrëmje, në komunat veriore të Kosovës, siç e kanë quajtur ata, fitoren e tyre, si dhe vazhdimësinë e pranisë së shtetit të Serbisë në Kosovë.

Gjatë kremtes së Listës Serbe dhe simpatizantëve të tyre në Leposaviq, Slavko Simiq, kryetar i kësaj liste, ka thënë se deri në fitoren e subjektit që ai drejton, është zhvilluar luftë e vërtetë përball institucioneve të Kosovës.

Na qoftë me fat vëllezër dhe motra. U qoftë me fat edhe qytetarëve të Komunës së Leposaviqit, por edhe qytetarëve të komunës së Graçanicës, të cilët kanë udhëhequr një luftë të vërtetë kundër institucioneve të Prishtinës, në ditët e kaluara, sepse vërtetë kemi hasur në obstruksione. Me fat i qoftë, para së gjithash, popullit serb në Kosovë, por edhe Qeverisë së Serbisë. Me fat i qoftë edhe kryetarit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Simiq.

Your browser doesn’t support HTML5

Proces i qetë zgjedhor në komunat me shumicë serbe

I pranishëm në veri të Kosovës, gjatë gjithë ditës sa ka zgjatur procesi zgjedhor në vend, ka qenë edhe Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë.

Ai gjithashtu ka marrë pjesë në kremten e Listës Serbe dhe simpatizantëve të saj. Gjuriq ka akuzuar institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se kanë dashur që komunitetit serb në Kosovë t’ia imponojnë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në institucionet qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë dashur që përfaqësuesit serb t’i zgjedhin në vend të serbëve. Vendet e QUINT-it kanë dashur t’i zgjedhin përfaqësuesit e serbëve. Këtë ka dashur ta bëj edhe Prishtina. Të gjithë kanë dashur ta bëjnë këtë përkundër dëshirës së serbëve. E pra, kjo nuk mund të bëhet. Populli serb në Kosovë i ka zgjedhur përfaqësuesit e saj legjitim dhe i është përgjigjur thirrjes së Aleksandar Vuçiqit. Serbia dhe populli serb janë fituesit e vërtetë dhe absolut këtu në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën u ka thënë medieve serbe se Lista Serbe ka arritur rezultat të mirë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe i ka falënderuar serbët e Kosovë, për siç ka thënë ai, disiplinën e treguar. Sipas tij, rezultati i Listës Serbe nuk është i kënaqshëm për qarqe të caktuara ndërkombëtare dhe për shqiptarët, të cilët, siç ka thënë ai, dëshirojnë të kenë kontrollin mbi serbët.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

I falënderoj serbët që kanë qenë të disiplinuar dhe kanë votuar për interesat e veta dhe kanë treguar se dëshirojnë vazhdimin e bisedimeve, vazhdimin e dialogut. Ata jetojnë në atë territor dhe dëshirojnë të kemi dialog serioz me shqiptarët, por edhe e dinë se duhet t’i ruajmë interesat serbe, por edhe të Serbisë në Kosovë”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë gjithashtu ka komentuar rezultatet e subjekteve politike shqiptare, duke e quajtur fitoren e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, si fitore të koalicionit "luftarak, terrorist” ose “koalicion i veteranëve”, të cilët, siç ka thënë ai, i kanë kërcënuar gjithmonë dhe hapur serbët. Lëvizjen e Vetëvendosje ai e ka cilësuar si lëvizje ekstremiste.

Në anën tjetër, mbetet mjaft diskutabile nëse Lista Serbe do të pranonte të jetë pjesë e një Qeverie, të cilën do ta drejtonte një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti serb Vuçiq ka theksuar se mundësia e vazhdimit të bisedimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike fituese, kushdo që do të qeverisë Kosovën, do të paraqesë vështirësi për Serbinë, ndonëse dialogu, sipas tij, nuk ka alternativë.