Institucionet private shëndetësore në Kosovë mund të përfundojnë me licencë të përhershme - pa pasur nevojë ta ripërtërijnë atë.
Me ligjin aktual, vlefshmëria e kësaj licence është pesë vjet, por, sipas një projektligji të ri, leja për ofrim të kujdesit shëndetësor në institucione private do të ishte pa afat.
Përfaqësues të Odës së Mjekëve thonë se leja e përhershme do të rrisë cilësinë e shërbimeve, por të tjerë mendojnë të kundërtën, duke thënë se ripërtëritja e licencës është një lloj mekanizmi për kontrollin e shërbimeve në këto institucione.
Në Kosovë veprojnë 1.675 institucione private shëndetësore. Prej tyre, 28 janë spitale, kurse të tjerat: poliklinika, laboratorë e ambulanca specialistike.
SHIKONI EDHE: Bredhja nëpër spitale të huaja për të kërkuar shërimBekim Haxhiu, anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, thotë se është kundër licencimit të përhershëm të institucioneve private shëndetësore.
“Duhet të ketë rilicencim, sepse institucionet private mund të marrin licencën e përhershme dhe, pas pesë vjetësh, të mbeten pa stafin esencial. Pra, duhet të ketë një rikonfirmim të përmbushjes së kritereve të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve”, thotë Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.
Projektligji i ri për Shëndetësinë është propozuar nga partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Ky projektligj është diskutuar në Komisionin e Shëndetësisë më 12 korrik, por ai nuk është mbështetur nga partia në pushtet - Lëvizja Vetëvendosje, dhe nuk dihet se kur mund të dalë për shqyrtim në Kuvend.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, i cili ka marrë pjesë në grupin punues të projektligjit, thotë se leja e punës e institucioneve private shëndetësore duhet të jetë e përhershme.
“...kurse akreditimi i shërbimeve, që është kontrolli i drejtpërdrejtë mbi shërbimet dhe aparaturat e nevojshme për ato shërbime, duhet të bëhet çdo tre vjet. Ky është propozim i Odës [së Mjekëve] dhe është në dobi të të gjithëve - edhe institucioneve, edhe pacientëve”, thotë Sejdiu.
Sipas ligjit aktual, disa nga kushtet për licencimin e institucioneve private shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë, përfshijnë: licencën profesionale për personelin shëndetësor, kontratën për furnizim me gjak dhe produkte të gjakut, kontratën për shërbimin e morgut dhe lejen nga komuna përkatëse për punën e institucionit privat shëndetësor, konform ligjit për ndërtim.
Institucionet private, për dhe kundër
Cen Bytyqi, pronar i ambulancës specialistike “Ortopedia” në Prishtinë, e konsideron si më të favorshme licencën për një periudhë të caktuar. Ai thotë se, vitin e kaluar, e ka ripërtërirë licencën.
“Unë mendoj se duhet të ketë rilicencim, sepse duhet të përcillet puna, me pajisje të reja, me kritere të reja... Kështu që, për të ngritur cilësinë më mirë, duhet të ketë përsëritje të licencës”, thotë ai.
Licencat e përhershme do të çonin në shërbime më të dobëta shëndetësore, thotë edhe Bujar Vitija, gazetar në revistën kosovare “Shneta”, i cili kryesisht përcjell sektorin e shëndetësisë.
“Licencimi i kufizuar pesëvjeçar funksionon si mekanizëm mbikëqyrës për cilësinë e shërbimeve në institucionet private”, thotë ai.
Por, në spitalin privat “Olive” në Prishtinë thonë se mirëpresin heqjen e mundshme të licencës apo të, siç shprehen, burokracive.
Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, nga “Olive” thonë se, paralelisht me këtë, do të duhej të shtoheshin kapacitetet e monitorimit, që “do të siguronin cilësi në shërbime nga të gjitha institucionet, pa përjashtim”.
Një herë në tre vjet mund të inspektohet një institucion shëndetësor
Në Inspektoratin Shëndetësor të Kosovës thonë se janë vetëm dhjetë inspektorë që i inspektojnë të gjitha institucionet shëndetësore, private dhe publike.
Duke llogaritur numrin e institucioneve shëndetësore, numri aktual i inspektorëve është i pamjaftueshëm, thotë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë Shaban Osmanaj, zëvendës i kryeinspektorit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë.
SHIKONI EDHE: Institucionet shëndetësore nuk ka kush t’i inspektojëNë bazë të llogaritjes së ritmit të punës, thuhet në deklaratën e tij, një institucion mund të inspektohet një herë në tre vjet.
Osmanaj, po ashtu, bën të ditur se nga fillimi i vitit të kaluar e deri më tash janë kryer mbi 1.400 inspektime në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor - publik dhe privat.
Sipas tij, në 343 raste janë identifikuar parregullsi dhe janë shqiptuar dënime, kurse 96 institucione janë mbyllur ose u është ndaluar përkohësisht veprimtaria, deri në eliminimin e parregullsive të evidentuara.
Si parregullsi më të shpeshta përmenden: të ushtruarit e veprimtarisë shëndetësore pa autorizim apo leje nga Ministria e Shëndetësisë, referimi i pacientëve nga niveli shëndetësor publik në atë privat, e të tjera.
SHIKONI EDHE: Me 630 euro në muaj në Kosovë, mjekët ia mësyjnë BE-sëPër parregullsi eventuale në institucionet shëndetësore, qytetarët e Kosovës mund të bëjnë ankesa në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në raportin vjetor të kësaj ministrie bëhet e ditur se numri i ankesave, më 2021, ka qenë 287 - prej tyre, 24 për institucionet private shëndetësore.