Ndërlidhjet

Në Kosovë licencohen 29 laboratorë privatë për testimet për COVID-19


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Ministria e Shëndetësisë të hënën licencoi 29 institucione shëndetësore private, për të kryer teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, 27 institucione private shëndetësore do të kryejnë teste serologjike, ndërsa dy laboratorë ato me metodën PCR.

Dy laboratorët që janë licencuar për të kryer testime me metodën PCR janë laboratori mjekëror klinik “UBT” në Lipjan, dhe laboratori mjekësor i mikrobiologjisë klinike “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë.

Edomond Hajrizi, pronar i laboratorit mjekësor klinik "UBT" në Lipjan, i licencuar për testim me metodën PCR dhe testim serologjik, tha për Radion Evropa e Lirë se nga java e ardhshme do të fillojnë me testime.

“Tash infrastruktura ekziston. Ne duhet të bëjmë furnizimin me kite (material që mundëson procedurën e testimit) sepse nuk mund të bësh furnizime pa e pasur të drejtën dhe pasi që t’i marrim, do të fillojmë me kryerjen e testeve. Ne i kemi kontaktet me furnitorë, i kemi marrëveshjet dhe besoj që shumë shpejt mund të fillojmë, nga java e ardhshme. Kitet mendojmë t’i marrim nga Gjermania”, thotë Hajrizi.

Hajrizi thotë se brenda ditës do të mund të bëjnë deri në 200 testime me metodën PCR, ndërsa teste serologjike, për shkak të procedurës më të shpejtë, sipas tij, do të mund të bëjnë një numër më të madh të testimeve.

Ai shton se testet për COVID -19 që do të kryhen në këtë laborator, do të bëhen konfrom standardeve dhe ka një metodologji të standardizuar.

Sipas tij, këto teste që do të bëhen në këtë laborator, do të duhej të pranohen nga të gjitha shtete në botë.

Sa i përket çmimeve për testet me metodën PCR dhe testet serologjike, Hajziri thotë se ende nuk i kanë caktuar.

“Ende nuk i kemi përcaktuar çmimet, varet nga kitet të cilat e definojnë çmimin kryesor. Për neve është më rëndësi që po mundemi ta ofrojmë këtë (shërbim)”, thotë ai.

Ai thotë se në baza ditore janë të obliguar të raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Detyra e parë është të testojmë personat, t’i japim rezultatet ndërsa na mbetet edhe në aspektin hulumtues të kontribuojmë”, thotë Hajrizi.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë po ashtu njofton se në ditët në vijim do të shqyrtohen edhe aplikacionet e laboratorëve të tjerë privatë, të cilët kanë aplikuar për të marrë licenën për testimet për COVID-19.

Inspektorati shëndetësor, nga 11 gushti do të nisë inspektimet në institucionet e licencuara, për të parë gatishmërinë e tyre për të kryer testimet, si dhe për të verifikuar të dhënat e prezantura nga këto institucione, shton kjo ministri.

Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Çmimi i një testi serologjik, jo më shumë se 20 euro

Për testime serologjike për COVID-19, ka aplikuar edhe laboratori privat në Prishtinë ‘Analiza’.

Valon Sopa, udhëheqës i këtij laboratorit, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë se a janë licencuar. Ky laborator ka aplikuar për kryerjen e testeve serologjike.

Sa i përket çmimeve për teste serologjike që do të mund të kryhen në këtë laborator, Sopa thotë se nuk do të jetë më i lartë se 20 euro.

“Çmimet i përcaktojmë vet. Ende nuk e dimë saktë pasi që nuk i kemi marrë ende testet nga doganat për të cilat na diktojnë çmimet, por kështu do të jenë (20 euro). Këto çmime nuk na janë diktuar nga askush. Por, janë çmime të arsyeshme duke pasur parasysh edhe situatën”, thotë Sopa.

Komuna e Prishtinës fillon të kryejë teste serologjike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Disa spitale në Prishtinë kanë paralajmëruar se mund të bëjnë teste me metodën PCR për COVID-19, dhe çmimi mundet të jetë deri në 50 euro.

Ofertat dhe kërkesat diktojnë çmimet

Sa i përket çmimeve, autoritetet në Kosovë nuk mund ta përcaktojnë çmimin, pasi që sektori privat i nënshtrohet konkurrencës së tregut të lirë. Oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë patën deklaruar se me lejimin e testimeve në sektorin privat do të mbikëqyren nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), si institucioni i vetëm që kryen teste valide për COVID-19.

“Raportimi në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik duhet të jetë në baza ditore”, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti zëdhënës në Ministri të Shëndetësisë.

Kosova me pak testime për COVID-19

Deri tani në Kosovë teste për COVID-19 ka kryer vetëm IKSHPK-ja, derisa më 17 korrik kanë filluar të bëhen teste serologjike edhe në sektorin primar shëndetësor, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

Që nga paraqitja e rasteve të para më koronavirus në Kosovë më 13 mars, Kosova është vlerësuar se ka bërë pak teste për COVID-19.

Momentalisht në IKSHPK bëhen prej 400 deri në 500 testime në ditë.

Deri më datën 9 gusht, IKSHPK-ja ka testuar 40,646 persona të dyshimtë për koronavirusin e ri.

Ministria e Shëndetësisë, deri në fund të këtij viti ka thënë se është menduar t’i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19, por edhe të shihet shkalla e imunitetit të fituar të popullatës, të cilët nuk janë diagnostikuar asnjëherë me koronavirus.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG