Ndërlidhjet

Institucionet shëndetësore nuk ka kush t’i inspektojë


QKUK, fotografi nga arkivi
QKUK, fotografi nga arkivi

Mungesa e inspektorëve ka ndikuar që institucionet shëndetësore në Kosovë të inspektohen shumë rrallë, apo edhe fare.

Janë rreth 1500 institucione shëndetësore publike e private, ndërkaq, punën e inspektimit e kryejnë vetëm gjashtë inspektorë. Ndërkohë që ditëve të fundit, është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë se janë punësuar edhe katër inspektorë shëndetësorë.

Ardita Baraku, kryeinspektore në Ministrinë e Shëndetësisë thotë numri i madh i ankesave nga ana e qytetarëve për institucionet shëndetësore, kryesisht ato publike, e rëndon edhe më shumë punën e inspektorëve.

Prej 1 nëntorit të vitit 2017 janë punësuar edhe katër inspektorë të rinj, dhe numri total është dhjetë inspektorë. Kjo është më se e pamjaftueshme, për shkak se janë mbi 1500 institucione shëndetësore, që i bie se me këtë numër të inspektorëve ato mund të inspektohen vetëm një herë në tri vite”.

Vetëm për nëntë muajt e këtij viti, kanë ardhur mbi 100 ankesa nga ana e qytetarëve”, tha Baraku.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar thonë se sa herë kërkohet ndërhyrje, nga Inspektorati Shëndetësor ndërmerren masa. Shpend Fazliu, zyrtar për informim tha se atëherë kur nuk kërkohet implikim i madh buxhetor, intervenohet menjëherë në bazë të rekomandimeve të Inspektoratit Shëndetësor.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe tërë shërbimi spitalor klinik universitar i Kosovës mirëpret inspektimet nga cilitdo inspektorate, pasi konsiderojmë se inspektimet e vazhdueshme ndikojnë në ngritjen e cilësisë dhe në përmirësimet e përgjithshme, qoftë të infrastrukturës, por edhe mbarëvajtjeve së punës brenda institucioneve”.

Për vërejtjet dhe rekomandimet e dhëna që nuk kanë implikime buxhetore të mëdha, menjëherë intervenohet, derisa ato që kërkojnë investime buxhetore, presim derisa të jetë koha e përshtatshme buxhetore dhe menjëherë intervenohet”, tha Fazliu.

Ndërkohë, Ardita Baraku thotë se është paraparë që me strategjinë sektoriale shëndetësore 2017-2021 të punësohen edhe 35 inspektorë. Por, siç thotë ajo, kjo varet nga buxheti që do të përcaktohet.

Mbesim me shpresë në rritjen e numrit të inspektorëve. Gjithashtu mendoj se instrumentet tjera duhet të përforcohen që të zvogëlohet nevoja për inspektoratin shëndetësor për çdo cikërrimë, dhe mendoj se duhet të fuqizohet roli i menaxherëve të institucioneve, dhe të fuqizohet roli i Odave të profesionistëve shëndetësorë, në mënyrë që të ndahen kompetencat”, tha Baraku.

Ndryshe edhe inspektorët sanitarë, disa herë kanë potencuar faktin se kushtet higjienike-sanitare janë në një nivel të ulët, sidomos në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas tyre gjendja e kushteve higjienike-sanitare e objekteve shëndetësore në institucionet publike, është në kuadër të minimumit të normave të përcaktuara.

Përpos numrit të madh të institucioneve shëndetësore, në Kosovë ka edhe të tjera që funksionojnë pa licencë. Ministria thotë se vetëm në vitin 2016 janë mbyllur mbi dhjetë institucione private shëndetësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG