“Ky është vendi im” - Liberalizimi i vizave s’i largon turistët kosovarë nga Boga

Turistë në qendrën e skijimit në fshatin Bogë të Pejës, më 22 dhjetor 2024.

Këpucët e dimrit të fëmijëve dhe shtresat e lëmuara të sajave lënë shenja mbi dëborën që vezullon nën rrezet e diellit.

Edhe në temperatura nën zero gradë Celsius, pista e skijimit në fshatin Bogë në Pejë - pjesa perëndimore e Kosovës - ka joshur dhjetëra turistë nga zona të ndryshme të vendit në një ditë me diell në fund të janarit.

Fëmijë duke tërhequr një sajë në qendrën e skijimit, në Bogë.

Duke tërhequr një sajë prapa vetes, Mimoza Dreshaj argëton djalin e saj pesëvjeçar.

E lindur në këtë fshat, ajo kthehet këtu çdo dimër për të shijuar bardhësinë e borës dhe kënaqësinë e sporteve dimërore, si skijimin.

“Ky është vendi im. Jo që nuk kam mundësi të udhëtoj jashtë shtetit, por unë dua ta mbështes vendin tim”, thotë Mimoza për Radion Evropa e Lirë.

Mimoza Dreshaj, turiste në qendrën e skijimit në Bogë.

Që nga 1 janari, Mimoza dhe të gjithë ata që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës mund të udhëtojnë nëpër vendet e zonës Schengen - ku kryesisht përfshihen shtetet e Bashkimit Evropian - pa pasur nevojë të pajisen me viza turistike paraprakisht.

Edhe para liberalizimit të vizave, Mimoza tregon se ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme të Evropës. Por, destinacion i vetëm për familjen e saj gjatë dimrit ka qenë Boga.

Bashkëshorti dhe djali i Mimoza Dreshaj, duke u lëshuar me sajë, në Bogë.

“Si të bjerë pak borë, ne duhet të jemi këtu patjetër. Pavarësisht mundësive, se ndoshta infrastruktura mungon, por bashkëfshatarët këtu e zhvillojnë mirë turizmin”, thotë Mimoza, që tani jeton në qytetin e Pejës.

Në vitet e fundit, numri i turistëve në rajonin e Pejës nga pjesë të tjera të Kosovës është rritur dukshëm, veçanërisht kur merret parasysh numri i netëve që ata kanë qëndruar nëpër hotele apo vila turistike.

E, me gjithë mundësinë që pasionin e skijimit ta praktikojë në pista më të zhvilluara në vende të ndryshme të Evropës, Mimoza nuk tundohet nga këto opsione.

“Të gjithë këta njerëz që punojnë e ndërtojnë këtu, ne duhet t’i mbështesim. Nëse ne nuk i vizitojmë, atëherë kush tjetër...?!”, thotë ajo, duke shtuar se i di sfidat e fshatrave të Bogës, që shpeshherë thotë se përballen me mungesë rryme e rrjeti telefonik.

Një banor i fshatit Bogë, në Pejë.

Problemet e infrastrukturës i përjetoi atë të hënë edhe Arianit Berisha, një i ri nga Peja, që po skijonte në Bogë bashkë me shokët e tij të ngushtë.

Pasi e ngjiti një pjesë të pistës përmes linjës teleferike, Arianiti mbeti në pritje që linja të fillonte të lëvizte sërish. Pas rreth 15 minutave, ai u dorëzua dhe filloi të skijonte nga ajo zonë.

Arianit Berisha, duke u ngjitur në pistën e skijimit në Bogë.

Me gjëra të tilla, ai tregon se nuk është përballur gjatë udhëtimeve të tij në Zvicër e Austri, ku edhe ka skijuar. Por, Boga e josh për shkak të afërsisë dhe mundësisë që ta vizitojë çdo vikend.

“Vij këtu me shokë, sepse është afër. Pimë ndonjë birrë edhe lëshohemi me ski. Por, dallimi me Zvicër e Austri është si nata me ditë”, thotë Arianiti.

Një grup turistësh shijojnë diellin pranë pistës së skijimit në Bogë.

Për këtë dallim është i vetëdijshëm edhe një tjetër turist në Bogë, Berat Musliu, nga Vushtrria. Me tre fëmijët e tij përkrah vetes, Berati tregon se, megjithatë, këtë rajon e viziton një ose dy herë në vit.

“Kryesisht shkojmë në vendet malore të Kosovës për shkak të skijimit. Klima ka ndryshuar paksa dhe në shumë vende të Kosovës po ka pak borë. Vetëm vendet malore ta japin mundësinë për ta shijuar pak dimrin dhe për të skijuar”, thotë ai.

Berat Musliu, turist në qendrën e skijimit në Bogë.

Berati nuk e përjashton mundësinë që së shpejti ta provojë skijimin edhe ndokund tjetër në Evropë, por shpreson se edhe Kosova do të bëjë më shumë për të investuar në qendrat e skijimit që ka.

Qeveria e Kosovës e ka zhvillimin e sektorit të turizmit pjesë të programit qeverisës për vitet 2021-2025. Në këtë program, vëmendje të veçantë merr turizmi malor, që përfshin qendrat e skijimit, rritjen e kapaciteteve akomoduese njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës përkatëse.

Një burrë duke tërhequr një sajë, në qendrën e skijimit në fshatin Bogë të Pejës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku gjendet edhe Departamenti për Turizmin, nuk u përgjigj në pyetjet e REL-it lidhur me këtë temë, e veçanërisht për ndikimin që mund ta ketë liberalizimi i vizave në turizmin e brendshëm në Kosovë.

Pronarë të vilave përreth qendrës së skijimit në Bogë i thanë REL-it se nuk kanë vërejtur ndonjë rënie të numrit të turistëve pas liberalizimit të vizave.

Disa vila të ndërtuara pranë qendrës së skijimit në fshatin Bogë të Pejës.

Njëri, megjithatë, tha se numri ka qenë në rënie në vitet e fundit, ndërsa një tjetër tha se vetëm mungesa e borës ndikon në rënien e turistëve.

Kosova është e ndarë në pesë rajone turistike: rajoni qendror i Prishtinës; rajoni turistik i Alpeve Shqiptare - Bjeshkët e Nemuna; rajoni turistik i Sharrit; rajoni turistik i Anamoravës dhe rajoni turistik i Mitrovicës.

Bora josh turistët drejt Brezovicës

Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimes, Ujëvara e Mirushës, Burimi i Drinit të Bardhë, Prevalla dhe disa monumente kulturore janë destinacione të njohura turistike.

Një profesor i gjeografisë në Shkollën Fillore “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, Kushtrim Rogova, është frekuentues i të gjitha këtyre destinacioneve.

Kushtrim Rogova dhe bashkëshortja e tij, të ulur pranë qendrës së skijimit në Bogë të Pejës.

Megjithatë, para se të vendoste të shkonte në Bogë këtë herë, ai kishte shqyrtuar mundësinë ta shfrytëzonte pushimin për të udhëtuar diku tjetër në Evropë.

“Ta them të drejtën e kam pasur dilemë. Edhe e kam plan për të ardhmen e afërt që të shkoj në një vizitë diku. Por, s’do të thotë që tash të sillemi sikur të na kishin zgjidhur, të vrapojmë krejt [drejt vendeve të zonës Schengen]”, thotë Kushtrimi.

Një burrë duke skijuar në fshatin Bogë të Pejës.

Ai tregon se, bashkë me bashkëshorten dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, viziton shpeshherë qendrat e skijimit nëpër Kosovë, si në Bogë, Brezovicë e Brod. Udhëtimet e tij i përcjell edhe me fotografi, të cilat më vonë i publikon në llogarinë e tij në Instagram.

“Kam dëshirë ta promovoj vendin tim. Mundohem sa më shumë ta nxis atdhedashurinë edhe te nxënësit. Kam qejf t’ua fus në zemër”, thotë Kushtrimi, teksa shijon pamjet e Bogës nga një karrige, përkrah bashkëshortes.

Një djalë duke skijuar në Bogë të Pejës.

Fshati i Bogës gjendet rreth 1.400 metra në lartësi mbidetare, pranë majës së Hajlës. Fshati, ku në vitet e fundit janë ndërtuar shumë vila e resorte turistike, është i rrethuar nga malet e Rugovës.