Liberalizim të vizave, jo azil nëpër Evropë

Ilustrim

Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, thonë përfaqësuesit e institucioneve. Sipas tyre, me përmbushjen e kritereve të parapara nga Komisioni Evropian, tani gjithçka mbetet te vendimet fillimisht të Komisionit Evropian, e më pas edhe te vendet veç e veç të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që shprehet besimi se pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë dhe standardit të ulët të jetesës në Kosovë, qytetarët nuk do të mund të keqpërdorin liberalizimin për të kërkuar punë nëpër vendet e BE-së, që do të paraqiste shkelje të rregullave.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të enjten se në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian nga dhjetori i këtij viti, qytetarët do ta kenë mundësinë të lëvizin lirshëm.

“Kosovarët nuk do të kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian. Ne dëshirojmë të lëvizim lirshëm për të studiuar, për të shkëmbyer përvoja, mallra me vendet e BE-së”, deklaroi Veseli.

Ai tha, po ashtu, se institucionet e vendit, do t'i respektojnë të gjitha ligjet dhe marrëveshjet, duke u zotuar se nuk do të ketë problem me vendet e BE-se që janë pjesë e zonës Shengen.

"Jemi një vend i lirë, kemi ecur përpara shumë, në të njëjtën kohës është diçka e cila na takon. Liberalizimi i vizave do të ndodhë. Ne duam të lëvizim lirshëm se ne jemi pjesë e këtij kontinenti dhe ne do të respektojmë gjithë kornizën legale të vendeve të Bashkimit Evropian", tha Veseli.

Ndërkaq, Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deri më tash nuk ka ndonjë pengesë apo shqetësim lidhur me atë se pas obligimeve që do të merren për procesin e liberalizmit të vizave, mund të mos ketë respektim të tyre.

"Nuk ka ndonjë shqetësim të brendshëm sa i përket këtij procesi. Ne presim që muaji i ardhshëm, qershori të jetë muaj i një rekomandimi pozitiv sa i takon procesit të liberalizmit të vizave. Natyrisht, se pas kësaj do të vijë një fushatë e gjerë e aktorëve të Kosovës bashkë me përfaqësuesit e BE-së, të cilët do t'i informojnë qytetarët lidhur me përgjegjësit dhe obligimet që Kosova merr përsipër", tha Deliu – Kodra.

* Video më poshtë është nga arkivi

Your browser doesn’t support HTML5

Opinionet e qytetarëve për liberalizimin

Ajo theksoi se ka një interesim të qytetarëve për të lëvizur në vendet e BE-së, por siç u shpreh ajo, nuk mund të ketë dalje të shumta të të rinjve.

"Unë e shoh si hapje të perspektivës për të rinjtë dhe atyre që kanë familjarë për t’i vizituar, por besoj shumë se institucionet do ta menaxhojnë edhe këtë aspekt", shtoi Deliu - Kodra.

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, kanë ngritur shqetësimet e tyre për mundësinë që pas liberalizimit të vizave, si pasojë e papunësisë së madhe një numër i madh i të rinjve t’i mësyjnë vendet e BE-së.

Jehona Lushaku - Sadriu, njohëse e çështjeve të integrimeve evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet t’i informojnë qytetarët më shumë në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave dhe në rast të liberalizimit. T’i informojnë edhe për obligimet që kanë në rast se lëvizin drejt zonës Shengen.

"Ka kufizime sa i takon numrit të ditëve dhe pastaj punësimit, shërimit, qëndrimit. Të gjitha këto janë të kufizuara dhe ka manual të cila Ministria e Integrimit do të duhej ta plasonte të qytetarët dhe t'i informonte mirë, po edhe për pasojat nëse ata i stërzgjatin vizitat ose qëndrimin e tyre në shtetet e BE-së", tha Lushaku -Sadriu.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.