Ndërlidhjet

Fajon: Shpresoj që liberalizimi i vizave të ndodhë sivjet


Tanja Fajon
Tanja Fajon

Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka përgëzuar vendin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi duke shfaqur shpresën se qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo nuk ka përmendur ndonjë datë specifike se kur mund të ndodhë një gjë e tillë, mirëpo ka thënë se Bashkimi Evropian do të punojë në këtë proces nëse janë plotësuar të gjitha kushtet. Sipas saj, mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së në parim nuk paraqet problem në çështjen e vizave.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Fajon, cilët janë hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian për sa i përket procesit të heqjes së regjimit të vizave?

Tanja Fajon: Së pari, urime për Kosovën dhe urime për deputetët për këtë hap mjaft të rëndësishëm, si dhe siç po shpresoj unë, për regjimin pa viza për Kosovën së shpejti. Natyrisht, ne dhe unë si raportuese në Parlamentin Evropian, do të bëjmë gjithçka që sa më shpejt ta kemi edhe vendimin e Komisionit Evropian se tash janë përmbushur të gjitha kushtet, si dhe kushti tjetër, i fundit që ka qenë, lufta kundër korrupsionit, që pastaj të mund ta hedhim në votim në Parlamentin Evropian. Unë pres që kur ta kemi dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian - unë që dje i kam thirrur komisionarët së bashku me kolegët që këtë ta bëjmë sa më shpejt që është e mundur dhe të mos humbim kohë - dhe që pastaj ta votojmë në Parlamentin Evropian. Edhe një herë, pres që do të ketë mbështetje të mirë dhe unë do të bëjë gjithçka për këtë. Pastaj të drejtohemi kah Këshilli dhe vendet e Bashkimit Evropian aty. Duhet të punojmë shumë së bashku me politikanët tuaj në dialogun me Brukselin, në mënyrë që të mund t’i krijojmë shpejt kushtet që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të pritet votimi në Parlamentin Evropian?

Tanja Fajon: Tash, varet. Ne e kemi në prill. Ne po verifikojmë dhe në prill Komisioni do të japë raportin për përparimin. Në qoftë se aty do të ketë rekomandim pozitiv, kjo është një nga mundësitë e rëndësishme. Pra, unë pastaj do të shkojë në Parlament, do ta vendos për votim dhe pastaj të shohim se çfarë ndodhë. Kush e di. Unë pres që kjo të ndodhë para pushimit vjetor. Ky do të ishte skenar ideal. Do të thotë, do ta kishim edhe një institucion më pak në rrugë. Pastaj, mbeten vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat duhet të japin pajtimin dhe më pas duhet të punojmë edhe me ministrat në Këshill.

Radio Evropa e Lirë: Kur, pra, mund të pritet puna në Këshill, në rast se në Parlament kalon kjo çështje?

Tanja Fajon: Sinqerisht, e kam të vështirë ta them. Unë besoj që ata do të jenë aq të vetëdijshëm, që kur kushtet janë të përmbushura, të mos humbin tepër kohë. Natyrisht, ne do të punojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Por, nuk mundem tash të caktoj datë dhe asgjë, sepse nuk varet prej meje. Unë mund të bëjë gjithçka që është pjesë e punës sime, në Parlamentin Evropian, me kolegët në Parlament dhe natyrisht që edhe ne do të bëjmë një lloj presioni në Këshill që sa më shpejt që është e mundur ta miratojnë liberalizimin e vizave. Po shpresoj njëjtë, ashtu siç ka thënë edhe ministrja juaj, gjatë këtij viti.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë shanset që kjo të ndodhë deri në dhjetor të viti 2018?

Tanja Fajon: Mendoj se është vështirë që ta them. Kosova sigurisht që tash e ka bërë atë hapin e madh. Edhe një herë, e dimë të gjithë se hapat e mëtutjeshëm janë: Komisioni Evropian dhe Parlamenti, si dhe në fund, vendet anëtare. Nuk mund të them më tepër se sa të premtoj se do të bëjmë gjithçka që është e mundur edhe me politikanët në vendin tuaj, por edhe në anën e Bashkimit Evropian, që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm sa më shpejt që është e mundur.

Radio Evropa e Lirë: A mund të paraqesë problem kushti për luftën kundër korrupsionit?

Tanja Fajon: Në këtë moment nuk e kam të njohur këtë. Ato që po i dëgjoj dhe lexoj nga ana e ministrave tuaj, është se janë përmbushur të gjitha kushtet. Por këtë duhet ta dëgjoj edhe nga ana e Komisionit Evropian. Shpresoj që këtë që po e dëgjojmë jo zyrtarisht, së shpejti ta dëgjojmë edhe zyrtarisht, gjë që do të ofrojë sigurinë se ne mund të lëvizim tutje.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta frenojnë këtë proces pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën?

Tanja Fajon: Mendoj që kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave, kjo është një çështje e ndarë dhe në parim nuk do të duhej të ishte problem. Ne kemi biseduar me disa nga vendet dhe mendoj që nuk bëhet fjalë mosnjohja e Kosovës atëherë kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG