Kushti për deklarim të pasurisë lë jofunksional Këshillin e Cilësisë

Kosovë: kampusi i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" (2021)

Tre anëtarë ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Kosovë, kanë dhënë dorëheqje duke mos pranuar të deklarojnë publikisht pasurinë e tyre.

Pikërisht për këtë arsye ishin dorëhequr edhe tre ish-anëtarët e KShC-së në shkurt, derisa Ministrisë së Arsimit i ka mbetur zgjidhje e vetme anashkalimi i këtij kushti për këta zyrtarë, në një Ligj të ri për Agjencinë e Akredimit apo Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ vendimarrës brenda Agjencisë Kosovare për Akreditim, me kompetenca për akreditimin e universiteteve publike dhe private në Kosovë.

Ky këshill zakonisht përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

Më 27 korrik, Alison Felce, Cassie Barnhardt dhe Werner Stueber dhanë dorëheqje nga këto pozita, ndërsa anëtarë të këshillit vazhdojnë të mbesin: Hasnije Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Dukagjin Zeka dhe Rozafa Koliqi.

Nëse anëtarët e dorëhequr nuk zëvendësohen brenda disa muajve, Këshilli mund të bllokohet pasi nuk kanë të drejtë vendimmarrjeje, lidhur me akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, pa pasur të paktën një anëtar ndërkombëtar prezent.

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kundër Korrupsion, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se zyrtarët që u dorëhoqën të martën, kishin qenë të njoftuar që nga emërimi i tyre për obligimin që e kanë sa i përket deklarimit të pasurisë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të sigurojë komentin e anëtarëve të dorëhequr lidhur me këtë çështje, mirëpo dy prej tyre nuk janë përgjigjur. Ndërkaq, Werner Stueber kërkoi që pyetjet për këtë çështje t’i adresohen Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Problem i përsëritur

Çështja e obligimit për deklarimin e pasurisë i ka shkaktuar telashe të vazhdueshme Agjencisë së Akreditimit, përkatësisht Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Në shkurt të këtij viti, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo kishin dhënë dorëheqje po ashtu duke refuzuar të deklarojnë pasurinë sipas ligjeve në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Nuk ka burg për ata që nuk e deklarojnë pasurinë

Hasnije Ilazi, kryesuese e Këshillit Shtetëror të Cilësisë tha për Radion Evropa e Lirë se ky problem nuk ishte dashur të përsëritej dy herë brenda një viti.

“Unë mendoj që pas herës së parë është dashur të mendohet, të ndërmerren disa hapa që të tejkalohen këto vështirësi”, tha ajo.

Procesi i vlerësimit dhe akreditimit të universiteteve zgjat një vit dhe Ilazi ka treguar që tashmë për këtë vit kanë përfunduar të gjithë procesin e vendimarrjes që kërkon të ketë prezent një anëtar ndërkombëtar.

Megjithatë, ajo thotë se përveç telasheve që mund të vijnë të ardhmen si pasojë e mungesës së anëtarëve ndërkombëtarë, mungesën e tyre do ta ndiejnë edhe profesionalisht.

“Kjo nuk është vetëm që në njëfarë forme bllokohet në të ardhmen procesi i akreditimit, por e kemi parë që gjatë kësaj periudhe ka qenë një ndihmesë e madhe për këshillin. Ata kanë qenë ekspertë që kanë përvojë shumë të gjatë në arsim dhe vijnë prej vendeve të cilat veç i kanë standardet shumë të larta për arritjen e cilësisë në arsim”, tha ajo.

Në anën tjetër, Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit, thotë se në këtë format, Agjencia e Akreditimit e ka të pamundur pavarësinë dhe profesionalizmin.

“Bordet duhet të kenë rol strategjik në sigurim të cilësisë, jo operacional të interferimit në proces, njëjtë sikurse që edhe vet AKA-ja duhet të dëshmojë për kompetencë dhe meritokraci. Në mungesë të kësaj, duhet seriozisht të shqyrtojmë akreditime ndërkombëtare nga agjenci kredibile”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Pasuria e “dyshimtë” e zyrtarëve shtetërorë

Zgjidhja te ndryshimet ligjore

Megjithëse është obligim ligjor, anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ndër vite nuk kanë bërë deklarimin e pasurisë.

Formularët e deklarimit të pasurisë, parashohin se duhet të deklarohet pasuria e paluajtshme, ajo e luajtshme (mbi 3 mijë euro), zotërimi i aksioneve në shoqëri tregtare, posedimi i letrave me vlerë, paratë e gatshme, të ardhurat vjetore, detyrimet financiare.

Përveç deklaruesit, duhet të bëhet e ditur edhe pasuria si më lartë e bashkëshortit ose bashkëshortes, prindërve dhe fëmijëve.

Agjencia Kundër Korrupsion ka deklaruar se “për anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, janë ndërmarrë masat konform ligjit”, pa treguar se cilat masa janë ndërmarrë.

Ata po ashtu ka theksuar Agjencia Kundër Korrupsionit, e ka njoftuar Ministrinë e Arsimit se çdo zyrtar qoftë vendor apo ndërkombëtar, është i obliguar që të zbatojë ligjin dhe nuk ka përjashtime për askënd.

Deri më tani, puna e Agjencisë Kosovare të Akredimit, përkatësisht Këshillit Shtetëror të Cilësisë, është rregulluar përmes akteve nënligjore, ndërsa ende nuk ka një ligj të veçantë për këtë agjenci.

Momentalisht, Ministria e Arsimit ka formuar një grup punues që po punon në draftimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit.

Hasnije Ilazi tha se një ligj që rregullon punën e agjencisë, mund të ndikojë edhe në largimin e ndikimit politik që në të kaluarën i ka kushtuar kësaj agjencie me largim nga organizatat ndërkombëtare për cilësi në arsimin e lartë.

Përkatësisht, më 2018, organizata ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e kishte përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie nga qeveria që atëherë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Ndërsa Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nuk ia kishte vazhduar anëtarësinë AKA-së në vitin 2019.

SHIKONI EDHE: Për largimin e Kosovës nga ENQA fajësohet politika

Sipas Ilazit, grupi punues për draft-Ligjin për Agjencinë e Akreditimit, ka propozuar që ligji t’ia mundësojë anëtarëve ndërkombëtarë që të deklarojnë pasurinë pjesërisht.

“Ne jemi mbledhur me një grup punues, Ministria e Arsimit ka filluar me hartimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit. Ajo çka kemi propozuar ne është që stafi ndërkombëtar të deklarohet për pasurinë që e fiton në Kosovë dhe jo komplet për pasurinë që e ka”, tha ajo.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit për Radion Evropa e Lirë ka thënë se “Ligji për deklarimin e pasurisë është në proces të rishikimit dhe gjatë ndryshimit të tij do të adresohet edhe kjo çështje.”

Sipas Ministrisë, të tri këto pozita do të plotësohen sapo të ndryshohet ky ligj.

SHIKONI EDHE: Pasojat e largimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Cilësi në Arsim