Ndërlidhjet

Nuk ka burg për ata që nuk e deklarojnë pasurinë


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë në Kosovë, sipas Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Derisa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Mirëpo, për një çështje të tillë asnjë nga zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë nuk janë dënuar me burg.

Madje edhe në rastet kur ndodh të shqiptohet dënim me burg, i njëjti me pëlqim të palëve, shndërrohet në dënim me gjobë.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), dënimet, sa i përket mosdeklarimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë, janë shumë të ulëta.

Leotrim Gashi nga ky institut, tha për Radion Evropa e Lirë se po të kishin qenë dënimet më të ashpra, atëherë do të kishte më pak zyrtarë, të cilët nuk do ta deklaronin pasurinë.

“Pavarësisht që një zyrtar nuk e bën deklarimin e pasurisë, të njëjtit marrin dënime minimale, qoftë dënime me kusht ose dënime me gjobë, mirëpo nuk kemi parë që një zyrtar publik që e nuk ka deklaruar pasurinë, t’i shqiptohet një dënim me burgim”, tha Gashi.

Sipas tij, duhet të ketë hetime më të thella lidhur me deklarimin e rremë të pasurisë.

“Si AKK-ja, ashtu edhe prokuroria dhe policia, duhet të jenë më seriozë në hetim të rasteve për deklarim të rrejshëm të pasurisë, dhe po ashtu edhe gjykata në rastet kur vërteton se zyrtarët me dashje nuk kanë bërë deklarimin e pasurisë, atëherë ndaj tyre të shqiptohen dënime më të larta”, tha Gashi.

Sipas IKD-së, shumica e rasteve të mosdeklarimit ose deklarimit të rremë, dënohen me kusht ose me gjobë në vlerë prej 300 eurosh.

AKK: Mbi 100 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit

Rreth 5 mijë zyrtarë shtetërorë në Kosovë kanë pasur obligim që ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Në afatin prej 30 ditësh, nga data 1 mars deri më 31 mars, mbi 100 prej këtyre zyrtarëve nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor, tha për Radion Evropa e Lirë Agron Behrami, shef i Divizionit për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Sipas tij, vitin e kaluar dhe këtë vit, procesi i deklarimit të pasurisë ka qenë më i vështirë si pasojë e pandemisë, pasi pranimi i palëve ka qenë i ndaluar dhe të gjitha komunikimet janë bërë online.

“Në mesin e këtyre zyrtarëve, 4.783 zyrtarë publikë kanë përmbushur obligim ligjor brenda afatit ligjor dhe kanë dorëzuar formularët e tyre. Ndërsa pas afatit e kanë deklaruar pasurinë 56 zyrtarë të lartë publikë. Njëzetepesë nuk e kanë deklaruar fare dhe 28 prej tyre për arsye shëndetësore dhe arsye tjera nuk kanë mundur ta deklarojnë”, tha Behrami.

Behrami tha se për të gjitha rastet që nuk i respektojnë afatet për deklarim të pasurisë, agjencia ngrit kallëzime penale.

“Të gjitha këto raste, në përjashtim të rasteve kur kanë arsye bindëse për agjencinë, të gjitha rastet tjera do t’i procedojmë për kallëzime penale. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke i proceduar këto raste”, tha Behrami.

Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG