Kundërsulmi i Ukrainës nuk po shkon aq mirë sa kishin shpresuar

Një shenjë rrugore e Avidijivkas e shpuar nga plumbat në rajonin e Donjeckut të shkatërruar nga lufta në Ukrainë.

Në qytetin industrial lindor të shkatërruar të Avdijivkas, trupat ukrainase po përpiqen të shmangin rrethimin nga një ofensivë e shumëfishtë ruse. Kjo është përpjekja më e madhe e koordinuar që kur Moska filloi pushtimin në shkurt të vitit 2022.

Rreth 500 kilometra në jugperëndim po ndodh diçka tjetër: ukrainasit po kalojnë lumin Dnjepër.

Tash e dy javë, këmbësoria detare e Ukrainës dhe njësi të tjera janë përballur me sulmet nga parashutistët rusë dhe shpesh janë bombarduar nga avionët luftarakë dhe artileria, në një vendndodhje përgjatë bregut lindor të lumit. Një bloger rus i luftës, i cili ka vëzhguar nga afër raportoi këtë javë për një urë të dytë ukrainase mbi lumë.

Nuk është aspak e qartë nëse përpjekja do të ketë sukses; kalimet e lumenjve janë të ndërlikuara dhe të rrezikshme edhe për ushtritë më të pajisura. Ekspertët thanë se forcat ukrainase do të duhet të lëvizin përtej ujit më shumë trupa dhe pajisje të rënda të blinduara, nëse do të ketë ndonjë shpresë për hapjen e një fronti të ri të madh kundër trupave ruse.

SHIKONI EDHE: Forcat ukrainase shënojnë përparim në rajonin e Zaporizhjas

Kalimi i lumit është një lajm i mirë për ofensivën ukrainase që nisi në qershor dhe do t'ia bënte dimrin më të vështirë Rusisë. E kundërta është një shenjë e dëshpërimit në përpjekjen për t'ia pamundësuar Rusisë që të mbajë kontrollin e korridorit dhe të arrijë në detin Azot.

“Mbrojtja ruse tani është e thellë, e përgatitur mirë dhe e mbështetur me rezerva të konsiderueshme, ndërsa Ukraina tani po lufton kryesisht me forcat e ngritura që nga pushtimi i vitit 2022 dhe që asnjëherë nuk kanë pasur kohë për t'u stërvitur siç duhet në nivel brigade dhe më lart", tha Stephen Biddle, një këshilltar i gjeneralit amerikan, David Petraeus, gjatë luftës në Irak dhe tani profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbisë.

"Ky kombinim nuk është i përshtatshëm për të shënuar sukses të shpejtë në sulm", tha ai.

SHIKONI EDHE: Rusia sulmon lindjen e Ukrainës, teksa analistët parashikojnë ofensivë të re

Rusia kundërpërgjigjet

Në jug të Zaporizhjas, një nga tri vendet ku Ukraina u përqendrua kur nisi kundërofensivën e saj në qershor, trupat ukrainase përdorën armatimin e furnizuar nga perëndimi që përfshinte tanket Leopard, automjetet e blinduara Bradley, automjetet e këmbësorisë Marder.

Përpjekjet dështuan dhe një sasi e madhe e pajisjeve perëndimore u dëmtua ose u shkatërrua.

Trupat ukrainase nuk kanë shkuar shumë më tej, pas thyerjes së një ose dy seksioneve të mbrojtjes në jug të qytetit Zaporizhja të Orikhiv, në shtator. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington tha se “forcat e Kievit përparuan mesatarisht vetëm 90 metra në ditë në frontin jugor gjatë kulmit të ofensivës së tyre verore”.

Megjithatë, sipas kësaj qendre, “përparimi i ngadalshëm në frontin jugor nuk do të thotë se Ukraina po dështon ose do të dështojë në objektivat e saj”.

Por, përparimi i ngadalshëm paraqet një sfidë të madhe për ushtrinë ukrainase dhe për udhëheqësit politikë.

Ndërsa, Instituti Royal United Service, një organizatë kërkimore në Londër, në një raport muajin e kaluar tha se mungesa e përparimit në ofensivën e verës do të thotë se Kievi duhet të luftojë me kujdes nëse dëshiron të mbajë iniciativën.

SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se ka rrëzuar 12 dronë të Rusisë

‘Provoje’

Vitin e kaluar në rajonin Herson, trupat ukrainase rritën presionin ndaj brigadave ruse që kishin mbrojtur brigjet perëndimore të Dnjepër, të kontrolluara nga Rusia që në javët e para të pushtimit.

Në nëntor të vitit 2022, pas disa muajsh të sulmeve, forcat ruse u tërhoqën në bregun përballë ku ndërtuan fortifikime dhe hodhën raketa në qytetin Herson, duke terrorizuar civilët dhe duke goditur pozicionet ukrainase.

Në javët në vijim, Ukraina filloi të dërgonte njësi të vogla përtej lumit duke organizuar sulme të vogla në Kinburn Spit, në grykën e Dnjeprit , por nuk arritën t'i largojnë forcat ruse.

Një digë e madhe e lumit Dnjepër në Nova Kakhovka, që kishte qenë nën kontrollin rus, u shkatërrua në qershor dhe mijëra hektarë në rrjedhën e poshtme u përmbytën. Kjo e ndërlikoi edhe përparimin e Ukrainës.

SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për digën e shkatërruar ukrainase dhe cilat janë pasojat?

Më 18 tetor, blogerët rusë të luftës raportuan se trupat nga brigadat 35 dhe 36 të Këmbësorisë Detare të Ukrainës kishin kaluar lumin Dnjepër. Një raport tha se njësitë arritën në fshatin Pishçanivka, rreth dy kilometra në juglindje të bregut të lumit.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dukej se vërtetoi raportet për kalimin e lumit.

Trupat ukrainase kishin hyrë në fshatin Krynki, rreth 20 kilometra nga Pishçhanivka, shkroi më 30 tetor Rybar, një kanal telegrami i lidhur me një ish-oficer të shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes në Rusi.

Forcat ukrainase “arritën të menaxhojnë një bazë: qendra e fshatit mbahet nga dhjetëra anëtarë të njësive ukrainase. Gjithëpërfshirja [e forcave ukrainase] është e vështirësuar nga zjarri i rëndë i artilerisë dhe operacionet e luftës elektronike të armikut", raportoi kanali.

SHIKONI EDHE: Rusia kryen sulme të reja me dronë dhe raketa ndaj caqeve civile në Ukrainë

Nuk kishte asnjë konfirmim të pavarur të raportit, megjithëse zyrtarët ukrainas të emergjencës thanë se Krynki u bombardua nga ajri gjatë natës.

“Fakti që ata kanë qenë në gjendje të kalojnë me sukses lumin dhe të vendosin dy ose tri ura, është një arritje e rëndësishme dhe tregon se rusët kanë probleme me një sërë operacionesh të njëpasnjëshme në verilindje, lindje dhe jug të vendit në këtë moment”, tha Mick Ryan, një gjeneralmajor në pension i ushtrisë australiane, i cili ka shkruar gjerësisht për luftën në Ukrainë.

“Është ende herët dhe mbetet e paqartë nëse kjo është një provë për t'i tërhequr rusët më në lindje apo është një operacion i rëndësishëm më vete. Ndjenja ime është se ukrainasit kanë vendosur të 'provojnë dhe të shohin se çfarë mundësish mund të kenë'”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Në lindje, trupat ruse kryen sulme nga dy drejtime të ndara në Avdijivka më 10 tetor. I fortifikuar rëndë dhe shtëpi e termocentralit më të madh në Ukrainë, qyteti ka qenë nën kontrollin ukrainas që nga viti 2014.

Fillimisht, trupat ruse pësuan humbje të mëdha; Shtëpia e Bardhë javën e kaluar pretendoi se të paktën 125 automjete të blinduara ruse dhe pajisje me vlerë, më shumë se një batalion, ishin shkatërruar përreth Avdijivkas. Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington vlerësoi se Rusia kishte humbur qindra burra dhe më shumë se 100 automjete të blinduara dhe tanke.

SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se ka sulmuar “me sukses” bazat ajrore ruse në Luhansk dhe Zaporizhja

Kosto e konsiderueshme

Rusia është ngritur paraprakisht, duke pushtuar disa pozicione në veri dhe në jug të qytetit dhe duke shtuar frikën për një rrethim të trupave të Ukrainës. Në ditët e fundit, Ukraina raportohet se ka ridislokuar njësi nga Brigada e saj e 47-të e Mekanizuar , një nga njësitë më me përvojë dhe më të pajisura, nga linjat e frontit pranë Orikhiv në Avdijivka, që tregon se komandantët ukrainas mund të jenë frikësuar nga një shembje e linjave të tyre.

“Ka një vendim politik, një urdhër politik për ta pushtuar këtë qytet në një të ardhme të afërt dhe… mendoj se do të ketë operacione serioze ushtarake duke përdorur të gjitha forcat që kanë atje; ata po dërgojnë gjithashtu rezerva atje”, tha për Radion Evropa e Lirë, Oleksiy Hetman, një analist ushtarak ukrainas.

Ai tha se sulmi në Avdijivka mund të jetë gjithashtu një tregues se Rusia besonte se kundërofensiva e Ukrainës po mbaronte dhe forcat e saj mund të kapnin iniciativën.

“Rusët menduan se ishte një pikë e dobët në vijën ukrainase dhe... kishin një përshtypje se ukrainasit ishin afër kulminimit [kundërofensive] dhe kjo mund të ishte një mundësi për të testuar atë teori”, tha ai. "Unë mendoj se rusët kanë zbuluar se ukrainasit nuk kanë arritur ende kulmin dhe kanë njësi rezervë të afta për t'u marrë me të".

Më shumë se një javë më vonë, forcat ruse zgjeruan përpjekjet për të filluar avancimin në pesë ose gjashtë vende të tjera përgjatë seksionit të vijës së frontit prej 1200 kilometrash që kalon përmes Donbasit - rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Më tej në veri, forcat ruse po synojnë gjithashtu Kupijanskun, në lumin Oskil në rajonin e Harkivit; trupat ukrainase pushtuan qytetin mes një ofensive të papritur vitin e kaluar.

"Shanset për një përparim rus (p.sh. në Avdijivka) nuk janë shumë më të larta", i tha Biddle Radios Evropa e Lirë. “Nëse ata përdorin burime të mjaftueshme në këtë luftë, ata ndoshta mund të marrin qytetin, siç bënë në Bahmut.

“Dhe, nëse ukrainasit përpiqen të rezistojnë shumë gjatë, ata mund të humbasin disa forca në një rrethim", tha ai.

Kundërofensiva e Ukrainës “sigurisht i shkaktoi një humbje të konsiderueshme ushtrisë ruse”, tha Michael Kofman, një analist ushtarak rus në Carnegie Endowment for International Peace, më 18 tetor.

“Nga pikëpamja e një operacioni sulmues, ushtria ukrainase bëri mjaft mirë, sigurisht për aq sa mund të pritej në kushtet dhe nivelin e trajnimit që kishin në dispozicion”, tha ai.

Përgatiti: Gentiana Kadrija