Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 17 tetor se ka kryer sulme me raketa dhe ka shkatërruar dy helikopterë rusë, një depo municionesh dhe artileri.
Megjithatë, ushtria nuk dha detaje se në cilën zonë kanë ndodhur sulmet raketore.
Ndaras, Qendra për komunikime strategjike e forcave të armatosura të Ukrainës tha në Telegram se forcat ukrainase më 17 tetor kanë kryer sulme të suksesshme ndaj helikopterëve rusë dhe pajisje të tjera në një bazë ajrore afër qytetit të pushtuar të Luhanskut në rajonin lindor të Donjeckut, por edhe në Berdjanska, në rajonin jugor të Zaporizhjës.
Megjithatë, zyrtari i instaluar nga Moska në pjesën e pushtuar të Zaporizhjës, Vladimir Rogov, tha se raketat ukrainase janë shkatërruar.
Një ditë më herët, zyrtarët ushtarakë ukrainas raportuan se gjatë kësaj jave ushtria ukrainase ka shkatërruar tre avionë luftarakë rusë Su-25 në rajonin e Donjeckut.
Sipas të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar, Moska ka humbur 318 avionë dhe 317 helikopterë gjatë luftimeve. Moska nuk raporton për humbjet sa i përket pajisjeve ushtarake gjatë luftës në Ukrainë.