Kritikohet platforma e Ekipit negociator për dialogun me Serbinë

Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, gjatë një takimi me presidentin, Hashim Thaçi. Fotografi nga arkivi.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, por nuk ka kaluar votimin për platformën për dialogun, pasi nuk kishte vota të mjaftueshme. Sido që të jetë, anëtarët e komisionit kanë zhvilluar një debat ku kanë hedhur kritika të ndërsjella lidhur me atë se a duhet të ketë platformë për dialogun, të hartuar nga Ekipi negociator.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani në vlerësimin e saj për platformën tha se pa u miratuar Ligji për dialogun, çdo dokument që prodhohet nga ai Ekip është i pavlefshëm.

Osmani tha pos tjerash se në parimin e katër të platformës, thuhet se do të shqyrtohen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, e ky parim sipas Osmanit, është problematik sepse për Serbinë, siç tha ajo, çështje e hapur është territori i Kosovës.

"Rezultati që e kemi para nesh është një dokument që as nuk e mbron territorin e Kosovës dhe rrjedhimisht nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e saj", tha Osmani.

SHIKONI EDHE: Me platformë, por pa unitet në dialog

Nga ana tjetër, anëtari i komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se nëse në shtetin e Kosovës, ka nevojë për ndonjë platformë, ajo do të duhej të ishte, si të ndalet presidenti Hashim Thaçi që të mos të bëjë shkëmbim të territorit të Kosovës me Serbinë.

"Presidenti nuk përfaqëson politikë të veten, kokë më vete, të cilën e zbulon vet si politikë të jashtme të Kosovës. Ai e përfaqëson politikën e jashtme të Kosovës, të definuar nga Parlamenti dhe të artikuluar në Kushtetutë. Gjithçka që presidenti shkon përtej kësaj në formulimin e politikës së jashtme, dijeni që e ka shkelur Kushtetutën", tha Konjufca.

Kurse, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Evgjeni Thaçi- Dragusha, kritikoi deputetët e Vetëvendosje, duke u thënë se ata janë duke menduar njësojë siç mund të mendojnë politikanët në Serbi për Kosovën.

"Si po mund ta vendosni veten në pozicionin e Serbisë dhe të mendoni si ata se çka po kërkoni në dialog. Askush nuk e ka përmendur shkëmbimin e territoreve, ndarjen e Kosovës, përveç juve", tha Thaçi- Dragusha.

SHIKONI EDHE: Çfarë marrëveshje po synon Kosova në dialogun me Serbinë?

Deputetët e tjerë nga partitë politike në pushtet, thanë se në këtë moment politik në të cilin ndodhet Kosova, duhet të ketë një unitet dhe pajtim për të mbrojtur interesat e vendit.

Deputetja, Time Kadriaj, nënkryetare e komisionit, nga radhët e partisë në pushtet, Aleanca për Ardhmërinë Kosovës, tha se qëllimi i Qeverisë është ta mbrojë sovranitetin e vendit.

"Është mirë që kemi një dokument që është bazë dhe ta ketë delegacion, por pse jo këtu edhe të parimi i gjashtë të thuhet se territori i Kosovës është i pa negociuar", tha Kadriaj.

Për deputetin tjetër të Partisë Demokratike të Kosovës, Ilmi Reçica, karshi dialog me Serbinë të duhet të qëndrojnë bashkë të gjithë.

Ai tha se është shumë e domosdoshme që sa më shpejt çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë të mbyllen.

"Edhe ligji edhe platforma, ashtu siç janë me plotësim-ndryshime, me mundësi për t'i begatuar mund të jenë dokumentet shumë me peshë dhe të rëndësishme", tha Reçica.

SHIKONI EDHE: Platforma për dialogun nuk përfshin korrigjimin e kufijve

Kuvendi i Kosovës me dy shkurt më 61 vota për, ka votuar në leximin e parë Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, kërkon që dy palët të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila veç tjerash, do t’u hapte rrugë drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.