Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, i cili njëherësh është edhe bashkëkryesues i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka komentuar të enjten deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se idenë për korrigjimin e kufirit e ka marrë nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ahmeti ka thënë se deri më tash askush zyrtarisht nuk e ka bërë një kërkesë të tillë në Bruksel.
“Nëse e paska propozuar Rugova e bën kjo më të mirë apo si është puna? Dje e dëgjova (v.j. ministrin e Jashtëm serb) Daçiq se ky është propozim i tij më pas e dëgjova (v.j. presidentin serb) Vuçiq që ai e paska përkrah për një kohë të gjatë. Është e qartë kërkesa sepse askush në Kosovë nuk do ta kërkonte këtë. Kjo është e qartë se është kërkesë e Serbisë, por e them zyrtarisht se formalisht në takime asnjëherë nuk është përmendur as nga ndërmjetësuesit në Bruksel as që kemi dëgjuar se e ka kërkuar Serbia”, është shprehur Ahmeti.
Sipas kryetarit të Prishtinës, platforma e delegacionit të Kosvës, nuk është kundër dialogut me Serbinë. Sipas tij, ajo çfarë është dëgjuar deri më tash nga ana e Serbisë, janë vetëm ankesat e jo ndonjë kërkesë e saktë.
“Por ne e kemi të qartë se çfarë duam. Ne duam njohje nga Serbia në kufijtë ekzistues që i kemi, pa nivel të tretë të qeverisjes. Pastaj mund të flasim për çështje të të drejtave të minoriteteve apo çështje tjera. Kërkesat tona janë të qarta, duhet të flasim për dëmet e luftës, pensionet dhe gjitha temat që i kemi ngritur”, ka shtuar ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur disa herë se ideja për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është përmendur edhe nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në vitin 1994.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Procesi i dialogut pritet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja shtetet.