Kërkesa e Listës Serbe për një komunë të re serbe në Kosovë, të njëmbëdhjetën me radhë, nuk është kërkesë e re dhe nuk ka qenë kusht i këtij subjekti politik për krijimin e kuorumit në Kuvendin e Kosovës, për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të ri të Kosovës, thonë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Listës Serbe është e hershme, madje qysh para themelimit të qeverisë aktuale, si dhe e ngjashme me kërkesat që kanë edhe komunitetet apo bashkësitë tjera etnike në Kosovë.
Sipas tij, në këtë ministri, tashmë janë të deponuara 29 kërkesa për komuna të reja, qoftë nga komuniteti shumicë i shqiptarëve, por edhe nga komuniteti boshnjak, serb dhe të tjerë.
Por, sipas tij, lidhur me kërkesën e Listës Serbe që të formohet komuna e cila do t’i përfshinte fshatrat: Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë, të cilat aktualisht i takojnë komunave të Vushtrrisë dhe Obiliqit, fillimisht do të vërtetohet mundësia e qëndrueshmërisë së një komune të tillë, për të qenë funksionale, gjë që është proces për të gjitha rastet kur formohen komunat e reja.
“Nëse ne shohim se ka nevojë diku, në çfarëdo rrethi apo ambienti, që të krijohen komuna të reja, atëherë është çështje që do ta vendosim më vonë. Megjithatë, unë j’u them se nuk ka pasur kushtëzime për votimin e presidentit. Pra, ne e diskutojmë në vazhdimësi, si me Listën Serbe, si me komunitetin boshnjak, si me komunitetin me shumicë shqiptare në vende të ndryshme, themelimin e komunave të reja. Vendim të tillë nuk ka.”
“Nëse do të ketë vendim për themelimin e komunave të reja, kjo, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet pasi që ne ta kemi fizibilitetin, pasi t’i kemi disa kushte, të cilat do të na mundësonin që ne, nëse themelojmë komuna të reja, ato vërtetë të jenë komuna që do të mund ta mbanin veten”, ka shpjeguar Gecaj.
Zëvendësministri Gecaj ka shtuar se koalicioni qeverisës ka marrëveshje me partnerin e saj në koalicion, Listën Serbe, dhe sipas tij, deri në fund të mandatit, qeveria do të shohë të gjitha mundësitë që ajo marrëveshje të realizohet.
Por, se kur do të mund të përfundonte vërtetimi i mundësisë së qëndrueshmërisë së komunës eventuale të re me shumicë serbe, zëvendësministri Gecaj nuk precizon ndonjë afat.
“Ne do ta bëjmë atë kurdo që ne konsiderojmë se jemi të gatshëm për një proces të tillë. Por, nuk mund të jap afate”, ka thënë Gecaj.
Megjithatë, deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili ka mohuar që themelimi i një komune të re me shumicë serbe të ketë qenë kusht i këtij subjekti politik për votimin e Thaçit për president të ri, ka konfirmuar se e gjithë kjo ka qenë, siç e ka quajtur ai, kompromis rreth idesë për themelimin e komunës së re.
Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çmos që serbët të ndjehen në Kosovë, siç thotë ai, si në shtëpinë e tyre, dhe qendra ku duhet të orientohen është Prishtina dhe jo Beogradi.
Në këtë rast, sipas tij, mund të arsyetohet krijimi i një komune të re me shumicë serbe, por, kompromiset duhet të jenë të dyanshme.
“Në këtë aspekt, kjo është në rregull. Mirëpo, kur bëhen kompromiset e tilla, duhet parë historinë e tyre; se a është bërë për ta marrë votën e tyre për zgjedhjen e zotit Thaçi për president të vendit, apo vërtetë ky kompromis është bërë për hir të integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës."
"Nga këto kompromise duhet të përfitojë edhe pala tjetër, dhe në këtë rast është Ushtria e Kosovës, që e pret votën e dyfishtë të komunitetit serb për të kaluar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Matoshi.
Ai ka shtuar se ngritja e çështjes së themelimit të komunës së re me shumicë serbe dhe zgjedhja e Thaçit për president të ri mund të jenë rastësi, por, sipas tij, është krijuar përshtypja se ekziston kompromisi. Sipas Matoshit, në rast se nuk ka reciprocitet, atëherë kompromiset e tilla janë për pushtet personal dhe jo për të mirën e vendit.
“Kjo e lë shijen e tillë. Ndonëse ende është vetëm spekulim, por, shija mbetet se është një kompromis për pushtet personal”, ka thënë Matoshi.
Matoshi ka theksuar se mbetet të shihet nëse përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës janë të gatshëm t’i bëjnë kompromiset dhe t’i kthejnë favoret, apo ato do t’i përdorin për vete dhe për ta forcuar ndikimin e Beogradit në Kosovë, e jo të Prishtinës tek serbët e Kosovës.