Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Hashim Thaçin në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Në këtë post, Thaçi është zgjedhur në rrethin e tretë të votimit, pasi që nëdy rrethet e para, ai nuk arriti të siguronte 80 votat e nevojshme.
Lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, si kundër- kandidat kishte bashkëpartiakun, Rafet Rama, i cili në rrethin e fundit nuk arriti të sigurojë asnjë votë.
Me t'u zgjedhur në postin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar se do të punojë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Falënderoj PDK-në, LDK-në, Listën Serbe, 6 plusin dhe deputetët e pavarur. Ju siguroj se besimi juaj do të jetë një shpresë e re për Republikën e Kosovës, do të punoj gjithnjë në shërbim të vendit dhe të qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet demokratike, duke punuar për rend dhe ligj, për të ndërtuar Kosovën e re dhe për të punuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE dhe për partneritet të fuqishëm me SHBA-në”, është shprehur Thaçi në fjalimin e tij të parë si president para Kuvendit.
“Të jeni të sigurt se do të punoj edhe më fuqishëm për dialogun institucional. Sot në këtë moment madhështor dhe të veçantë edhe për mua dëshiroj të përkujtoj herozimin e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve dhe presidentin historik Ibrahim Rugova dhe të gjithë njerëzit që kontribuan për shtetin e Kosovës", ka theksuar Thaçi.
Por, deri te votimi për presidentin e ri të Kosovës, seanca ishte e përshkuar me shumë tensione, gaz lotsjellës e ndërhyrje të sigurimit. Opozita, u deklarua bindshëm kundër Thaçit president, duke e cilësuar atë si një figurë që nuk sjell unitet, por përçarje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar Thaçin si kreator të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çka sipas tij, po e çon Kosovën kah bosnjëzimi.
"Kosova ka nevojë për zgjedhje parlamentare dhe Kuvend të ri, e më pas edhe për President të ri e qeverisje të re", ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se nuk u lexua biografia e kandidatëve para qytetarëve të vendit, pasi në të ka shumë të pavërteta.
"Ka shumë paqartësi rreth biografisë së Thaçit, e shumë gjëra të rrejshme në të", ka thënë Kurti.
"Bëhet fjalë për shpifje brenda biografisë së Thaçit", ka thënë Kurti, duke iu referuar anglishtes së Thaçit, e po ashtu rreth angazhimit të Thaçit për lëvizjen popullore për çlirimin e Kosovës.
Ndërsa, duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Kurti ka thënë se kjo superfuqi nuk ka partneritet me vendet e dobëta si Kosova.
Ai ka thënë se populli dëshiron t’i dojë Shtetet e Bashkuara.
“Këta (pushteti) nuk mund të ndërtojnë partneritet e aleancë me SHBA-të, pasi këtu bëhet tifozeri për ta. Unë dua që të kemi edhe partneritet dhe aleancë me SHBA-në”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se gjendja e popullsisë së Kosovës është pasojë e kësaj qeverie dhe qeverive të mëhershme.
Për dallim nga seancat e fundit, të cilat opozita i ka ndërpre kryesisht në fillim, përmes hedhjes së gazit lotsjellës në sallë, kësaj radhe gazi lotsjellës u hodh pasi që u shterën diskutimet.
Me veprimet e opozitës, sërish është shprehur i pakënaqur ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.
“Me duhet të shpreh sërish frustrimin tim pasi që opozita e ka penguar një proces demokratik në Kuvend”, ka thënë Delawie. Ai ka rikujtuar opozitën, se këto institucione kanë dalë nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës.
Për shkak të sjelljeve të tilla të opozitës, 11 deputetë janë suspenduar, kurse procedura e votimit për president është ndjekur nga afër vetëm nga deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda.
Sidoqoftë, Kosova tashmë ka presidentin e ri të zgjedhur pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.
Përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka festuar këtë moment, bazuar në deklaratat e liderëve opozitar, tani kriza politike do të thellohet, pasi që opozita nuk do ta njoh si legjitim as institucionin e presidentit.
Procedura e zgjedhjes është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, ku pas tre rrathëve të votimit, Thaçi mori 71 vota të deputetëve.
Zgjedhja e Thaçit në këtë post është përcjellë me kundërshtime të ashpra të opozitës e cila në dy raste ndërpreu seancën duke hedhur gaz lotsjellës.
Për më shumë hollësi se si janë zhvilluar ngjarjet të premten, lexoni blogun tonë këtu.
Kush është Hashim Thaçi?
Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur atëbotë edhe me nofkën “Gjarpëri”, Hashim Thaçi, 47 vjeç, është zgjedhur të premten president i Republikës së Kosovës.
I lindur në komunën e Skënderajt në vitin 1968, zoti Thaçi në kohën e studimeve emigroi në Zvicër, ku edhe filloi veprimtarinë e tij politike.
Pas luftës në Kosovë, ai formoi Partinë Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila rreth vetes mbledh numrin më të madh të ish pjesëtarëve të UÇK-së.
PDK-ja zgjedhjet e para të përgjithshme i fitoi më 17 nëntor të vitit 2007, pas të cilave zgjedhje, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës.
Në vitin 2008, më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ishte Hashim Thaçi ai që e lexoi deklaratën e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, gjatë mandatit të parë si kryeministër, por edhe të dytit si kryeministër, zoti Thaçi është përballur me kriticizëm për dështimet në luftën kundër korrupsionit, shkallën e lartë të varfërisë dhe papunësisë, por edhe për përpjekjet e qeverisë për të vënë kontroll mbi mediat vendore në Kosovë.
Zoti Thaçi u vu në qendër të mediave botërore në dhjetor të vitit 2010, në një raport të Këshillit të Evropës, mbi krimin e organizuar, e në të cilin thuhej se “kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar të tipit mafia, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”.
Qeveria në Kosovë pati hedhur poshtë vendosmërisht akuzat dhe pati ofruar bashkëpunim të plotë me hetuesit.
Sidoqoftë, zoti Thaçi në postin e presidentit të Republikës vjen pas zonjës Atifete Jahjaga, mandati i së cilës si presidente e vendit i skadon më 7 prill, 2016.