Kosovarët me ajër të ndotur jashtë dhe brenda shtëpisë

Obiliqi, Prishtina dhe Fushë Kosova janë tri komuna që vazhdimisht përballen me nivel të lartë të ndotjes së ajrit.

Pamje e ajrit të ndotur në Fushë Kosovë.

Ndotja e ajrit në Obiliq.

Ajri i ndotur në Prishtinë.

Ajri në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë ndotet kryesisht nga dy termocentralet e vjetruara në Obiliq, Kosova A dhe Kosova B.

Kosova prodhon mbi 90 për qind të energjisë elektrike nga djegia e qymyrit në këto termocentrale.

Dy faktorë tjerë që rrisin nivelin e ndotjes së ajrit janë djegia e qymyrit nga amvisëritë dhe nga qarkullimi i automjeteve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit nga industria dhe ndotja e ajrit në shtëpi janë shqetësime të mëdha shëndetësore në Kosovë.

Ndotja e ajrit, sipas OBSH-së, kontribuon në sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes.
Për të reduktuar ndotjen, ndër tjerash, Kosova ka në fuqi një vendim që nuk lejon regjistrimin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet nga dita e prodhimit.
 

Një anketë me 2.000 familje vuri në pah ndërgjegjësim të kufizuar, sidomos në zonat rurale ku banorët rezultuan se përballen me shumë probleme shëndetësore, si irritime të syve, hundës, fytit  dhe probleme me frymëmarrjen.

Gratë, të cilat merreshin kryesisht me gatimin, sipas anketës ishin më të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit të brendshëm. 
 

Krahas ndotjes së përgjithshme të ajrit, sipas anketës, pirja e duhanit dhe përdorimi i burimeve të dëmshme për gatim dhe ngrohje përkeqësojnë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare.
 

Ndotja e ajrit përkeqësohet veçanërisht kur ulen temperaturat. Kuvendi i Kosovës ka miratuar strategjinë për Energji 2022-2031. Me këtë strategji Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme. Strategjia, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050.

 

Ndotja e ajrit në rajonin e Prishtinës vërehet gati çdo stinë të vitit. Në këto fotografi të shkrepura në muajin prill të këtij viti shihen tymtarët e termocentraleve duke ndotur ajrin.Fotografi e bërë në prill të vitit 2024.

Ndotja e ajrit nga tymtarët e termocentraleve në Obiliq ndërsa aty pranë është kjo shtëpi ku jetojnë banorë. Fotografi e bërë në prill të vitit 2024.

Pamje nga ndotja e ajrit në Plementin, Obiliq. Fotografi e bërë në prill të vitit 2024.

Ndotja nga gazrat që lirohen nga termocentralet në Obiliq. Fotografi e bërë në prill të vitit 2024.

Banorë në Plementin e mbuluar nga ndotja e ajrit, Obiliq, prill 2024.

Ndotja e ajrit nga termocentrali Kosova B.