Deklarata doganore e mallrave, fatura komerciale, certifikata e origjinës, janë disa dokumente të cilat kërkohen për të eksportuar një produkt nga Kosova për në një shtet tjetër. Por, në shumë raste, këto dokumente në të cilat shkruan Republika e Kosovës nuk pranohen nga autoritetet doganore në Serbi, bëjnë të ditur zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve të cilët eksportojnë në Serbi.
Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, po konsiderohet nga përfaqësues të bizneseve se do të mund të eliminojë këto barriera.
SHIKONI EDHE: Edhe pas heqjes së barrierave, Serbia nuk e kthen tregun kosovarAdriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe në rastin e eksportit të produkteve nga Kosova në Serbi vendosin pengesa herë pas here duke mos njohur dokumentet të cilat lëshohen nga institucionet e Kosovës.
“Me Serbinë kemi disa probleme të natyrave që më shumë janë politike sesa teknike, kemi probleme të certifikatave fitosanitare të cilat herë pas here nuk pranohen. Kemi pastaj problemet tek daljet zyrtare. Autoritetet e Serbisë nuk e llogarisin dalje zyrtare nëse një maune ka dalur nga një pikëkalim kufitar. Nëse del nga pika kufitare në Merdare ata e quajnë transit të brendshëm dhe nganjëherë mauna me mallra duhet të shkojë nga Maqedonia (e Veriut)”, sqaron Stavileci.
Në muajin korrik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova kishte eksportuar mallra në Serbi në vlerë prej rreth 3,814 milionë euro. Derisa, Serbia kishte eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 18,914 milionë euro.
Produktet ‘Made in Kosova’, nuk konsumohen nga serbët
SHIKONI EDHE: Prodhuesit kosovarë heqin dorë nga tregu i Serbisë
Shaqir Palushi, pronari i kompanisë "Frutex" nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, tha për Radion Evropa e Lirë, se përveç barrierave që Serbia i vendos produkteve nga Kosova, problemi qëndron se produktet e Kosovës nuk preferohen nga konsumatorët në Serbi.
“Produktet tona eksportohen juridikisht në Serbi, por shumica e produkteve shkon në Luginën e Preshevës (treg me shumicë shqiptare), por në pjesën tjetër të Serbisë është e pamundur për shkak të paragjykimeve nga ana e tregtarëve, por edhe nga konsumatorët serbë të cilët produktet finale që shkruan 'Made in Kosova' nuk i konsumojnë. Nga viti në vit kemi pasur pengesa. Fillimisht ka pasur pengesa nuk janë pranuar disa nga dokumentet ku shkruan Kosovë, por më vonë janë pranuar, por ka pasur herë pas here që kanë krijuar barriera dhe nuk na janë lejuar produktet të hynë në Serbi”, thotë ai.
Kryesisht certifikatat fitosanitare janë ato të cilat nuk pranohen nga Serbia, thotë Palushi.
Certifikatë fitosanitare është dokumenti që e vërteton gjendjen shëndetësore të dërgesës i lëshuar nga shërbimi fitosanitar për shëndetin e mallrave nga vendi i prejardhjes.
Marrëveshja e Uashingtonit do të eliminojë barrierat
Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Aleanca Kosovare e Biznesit konsiderohet se mund të eliminojë të gjitha barrierat tregtare që Serbia i ka bërë Kosovës.
Agim Shahini kryetar i kësaj shoqate ekonomike tha për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje do t’iu hap mundësi prodhuesve nga Kosova që produktet e tyre t’i eksportojnë në Serbi.
“Pas marrëveshjes së Uashingtonit, Kosovës i është hapur një port i eksportit në Serbi. Së fundi një komani nga Kosova dhe një kompani nga Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje prej 1 milionë euro eksport të verës dhe kjo hap mundësinë edhe prodhuesve tjerë vendor të eksportojnë në këtë treg që ka qenë i ndalur për prodhimet e Kosovës duke pasur parasysh që Serbia vazhdimisht ka krijuar pengesa dhe barriera jo tarifore”, thotë Shahini.
SHIKONI EDHE: Marrëveshja Kosovë-Serbi në Uashington, akt juridik detyrues për palëtKompania 'Agrokosova Holding' nga Kosova dhe kompania “Euro Test” nga Serbia, ditë më parë kanë nënshkruar një marrëveshje e cila kap vlerën e 1 milion eurove dhe si e tillë kjo marrëveshje mundëson që produktet e Kosovës të shiten në Serbi me mbishkrimin 'Made in Kosova'.
Në vitin 2019, Serbia, për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës kishte eksportuar mallra në vlerë afër 5 milionë euro, sipas Doganave të Kosovës, por, para vendosjes së kësaj takse në nëntor të vitit 2018, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë në një vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit.
Taksa ndaj produkteve me orgjinë nga Serbia është hequr nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti.