Marrëveshja e arritur në Uashington, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në kontekstin juridik cilësohet si marrëveshje me natyrë hibride apo në kuadër të saj si zotime, që janë akte të njëanshme juridike, thonë ekspertë të çështjeve juridike ndërkombëtare. Sipas tyre, zotimi i njëanshëm është formë e marrjes së detyrimeve në planin ndërkombëtar.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizimin ekonomik, që ka 16 pika. Të dyja palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i kanë nënshkruar zotimet e tyre.
Njëkohësisht, presidenti Trump ka nënshkruar një letër përmes të cilës ai i ka përgëzuar palët për guximin lidhur me arritjen e përparimit për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i quajti këto negociata si përparim diplomatik historik, duke shtuar se normalizimi ekonomik i arritur në Shtëpinë e Bardhë, është çelësi për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.
Hasani: SHBA-ja garantuese e zbatimit të marrëveshjes
Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumenti i nënshkruar nga pala e Kosovës në Uashington, është akt juridik i detyrueshëm për palët. Sipas tij, zotim i njëanshëm i secilës palë, Serbisë dhe Kosovës, është kundrejt shtetit amerikan.
“Detyrimi, kur merret njëanshëm, siç është marrë prej Serbisë dhe prej Kosovës, në esencë është njëjtë sikurse te marrëveshja. Nuk asnjë dallim. Është çështje e teknikës juridike dhe nuk është çështje që e prekë substancën e detyrimit. Pra, detyrimet mbesin juridikisht të vlefshme”, theksoi Hasani.
Në rastin konkret, sipas profesor Hasanit, të dyja palët janë zotuar kundrejt SHBA-së për realizimin e disa veprimeve dhe detyrave, që janë kryesisht zotime të natyrës ekonomike, por edhe të natyrës politike, të sigurisë, sikurse çështja e luftimit të terrorizmit, raporti i Kosovës ndaj Lindjes së Mesme, raporti i Kosovës ndaj iniciativave rajonale, që tashmë cilësohet si ‘mini-Shengen” dhe të tjera.
Siç thotë profesor Hasani, pavarësisht që bëhet fjalë për zotime të njëanshme, asnjëra palë nuk mund t’i ikë zbatimit të akteve juridike. Për më shumë, sipas tij, për zbatimin e këtyre zotimeve tashmë është paraparë përfshirja e kompanive amerikane, që do të angazhohen në çështjet ekonomike të marrëveshjes, si dhe për investime të jashtme. Kjo, sipas tij, nënkupton që vetë SHBA-ja është përfshirë në, siç e quan ai, “lojën, me të cilën askush nuk mund të tallet”.
“Nuk mund t’i ikin, sepse detyrimet secila palë i ka marrë me vullnet, kundrejt SHBA-së dhe njëra-tjetrës. SHBA-ja është garantues i zbatimeve. Me kërkesën e shprehur të palëve, SHBA-ja është garantuese e zotimit”, tha Hasani.
Marrëveshja e Uashingtonit nuk i nënshtrohet ratifikimit parlamentar
Profesor Hasani theksoi që dokumenti i nënshkruar në Uashington nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk ka nevojë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, për shkak se në pjesën më të madhe nuk përmban norma vetekzekutuese.
Për zbatimin e disa prej pikave të marrëveshjes, sipas tij "mund të ketë nevojë për akte juridike, të cilat mund të jenë ligje të brendshme të Kosovës, mund të jenë marrëveshje të reja ndërkombëtare bilaterale, trelaterale ose multilaterale".
Edhe Visar Morina, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se marrë parasysh mënyrën se si janë formuluar pikat e marrëveshjes, pra, “në formë të zotimeve dhe përkushtimeve, si dhe strukturimit formal të tyre në dokument”, ato nuk mund të ratifikohen në atë mënyrë nga kuvendi.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, profesor Morina thotë që Kushtetuta e Kosovës përcakton "ratifikim të detyrueshëm parlamentar vetëm nëse çështjet kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, të drejtat dhe liritë themelore, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare; si dhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës”.
“Për mendimin tim, këto zotime politike të firmosura në dokumentin disa pikësh do të kenë nevojë të operacionalizohen më tej në formë të marrëveshjeve të veçanta bilaterale, për të rregulluar dhe specifikuar më tej detyrimet e palëve shtetërore lidhur me, për shembull, operacionalizimin e Pikës së përbashkët kufitare në Merdare apo njohjen reciproke të diplomave dhe certifikatave profesionale. Vetëm pastaj, ato i nënshtrohen procedurave të ratifikimit parlamentar apo presidencial, në rastet kur janë të zbatueshme”, tha Morina.
Marrëveshja e 4 shtatorit parasheh bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Palët janë zotuar se do të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.
Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetjet e personave të pagjetur.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen “zonës së mini-Shengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova, sipas marrëveshjes, po ashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar nga Hoti, Kosova dhe Izraeli e janë pajtuar ta njohin njëri-tjetrin.