Ndërlidhjet

Edhe pas heqjes së barrierave, Serbia nuk e kthen tregun kosovar


Pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare. Foto nga arkivi.
Pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare. Foto nga arkivi.

Pas shfuqizimit të masave të reciprocitetit, vetëm brenda 12 ditëve, Serbia në tregun e Kosovës ka futur produkte në vlerë prej 8.5 milionë eurosh, përderisa Kosova ka eksportuar në Serbi produkte në vlerë prej vetëm 1.1 milion euro.

Këto të dhëna i bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kur nuk ka qenë në fuqi as taksa doganore 100 për qind dhe as reciprociteti, Stavileci thotë se ka një rënie të produkteve të importuara nga Serbia.

“Jemi shumë mbrapa kthimit në parametrat e njëjta, pasi që nëse merren 12 ditë që nga heqja e reciprocitetit, kemi mbi 8 milionë euro dhe nëse vazhdon ky trend nënkuptojmë që në një muaj të plotë mund të kemi deri në 16 milionë euro import të mallrave nga Serbia, derisa para zbatimit të masës 100 për qind, importi mujor nga Serbia ka arritur shifrën e 35 milionë eurove”, tha Stavileci.

Taksat e grumbulluar gjatë kësaj periudhe nga importi me Serbinë, sipas Stavilecit, janë mbi 1 milion euro.

Produktet të cilat janë importuar më së shumti gjatë kësaj kohe nga Serbia, shton Stavileci, janë produktet ushqimore dhe ato ndërtimore.

Për afër dy vjet, ndaj produkteve të Serbisë Kosova kishte vendosur taksë doganore 100 për qind dhe pas heqjes së taksës doganore, për një kohë kishte aplikuara masa të reciprocitetit.

Më 6 qershor, Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për t’i hapur rrugë dialogut Kosovë – Serbi i cili ishte ndërprerë për shkak të vendosjes së taksës doganore.

Serbia nuk mund ta kthejë tregun që e kishte para taksës

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se taksa 100 për qind për produktet nga Serbia ka pasur efekte pozitive për prodhuesit vendorë.

Disa kompani serbe, të cilat kanë eksportuar në Kosovë, sipas tyre, tanimë kanë humbur tregun, pasi që ato produkte janë zëvendësuar me produkte vendore në disa raste e në disa të tjera me produkte të vendeve tjera fqinje, por edhe tëvendeve të Bashkimit Evropian.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Radion Evropa e Lirë se taksa 100 për qind për afër dy vjet, ka ndryshuar tregun e Kosovës.

“Heqja e të gjitha masave ndaj produkteve të Serbisë ka lënë tregun e hapur të Kosovës. Bizneset tregtare të Kosovës dhe të Serbisë kanë filluar të rinegociojnë marrëveshje të reja, por tani në kushte të reja, pasi që tani që më shumë se një vit e gjysmë, produktet e Serbisë nuk ishin në tregun e Kosovës dhe ato u zëvendësuan me produktet të shteteve tjera dhe ato vendore”, thotë Shahini.

Një anketë e realizuar nga Klubi i prodhuesve në Kosovë kohë më parë, kur taksa doganore ndaj produkteve serbe ishte ende në fuqi, kishte vënë në pah se disa nga bizneset prodhuese kanë rritur punësimin deri në 30 për qind, si dhe kanë zgjeruar edhe veprimtaritë e tyre.

Shahini thotë se zëvendësimi i produkteve të Serbisë me produkte të tjera gjatë kësaj kohë, mund të bëjë që Serbia më asnjëherë të rikthejë tregun e Kosovës, që ka pasur në vitin 2018.

“Serbia do të tentojë në çdo kusht të kthejë tregun në Kosovë, por për këtë kosovarët janë ata që do të vendosin a do të blejnë produktet që vijnë nga Serbia apo do të konsumojnë ato që i zëvendësuan gjatë kësaj kohe”, thotë ai.

Para vendosjes së taksës doganore në nëntor të vitit 2018, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë.

Ky shtet brenda një viti eksportonte në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 450 milionë eurosh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG