Ndërlidhjet

Një taksë e gjatë me efekte të vogla


Ilustrim
Ilustrim

Zbatimi i taksës 100 për qind për një vit e gjysmë nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka pasur efekte të ndryshme në aspektin politik dhe ekonomik, vlerësojnë njohës të çështjeve politike dhe ekonomike.

Taksa 100 për qind është vendosur nga Qeveria e Kosovës që udhëhiqej në atë botë nga Ramush Haradinaj. Kjo taksë është hequr në muajin prill të këtij viti nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, por që është zëvendësuar nga masa reciprociteti.

Kurse, më 6 qershor, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, siç është thënë, t'i jepet mundësi rinisjes së dialogut me Serbinë.

Heqja e masave kufizuese është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ai ka thënë se ky vendim tregon përkushtimin e Kosovës që të rikthehet në dialogut Kosovë-Serbi.

Krasniqi: Kosova duhet të ketë vija të kuqe në bisedime

Jeta Krasniqi, analiste në Institutin Demokratik, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se në aspektin politik taksa ka pasur ndikim si në aspektin e brendshëm po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ndikim më të madh, sipas saj, taksa ka pasur në procesin e dialogut me Serbinë.

Por, pavarësisht rikthimit në tavolinën e bisedimeve, Krasniqi thekson se Kosova duhet të ketë pozicion të qartë gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Për ne është e rëndësishme që të dimë cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, cila është strategjia e Kosovës në këtë proces, Kosova të ketë parime negociuese, të ketë vija të kuqe, të dimë një strategji të mirëfilltë ku jemi duke shkuar, pasi nuk është i gjithë qëllimi për tu rikthyer në tryezë. Por, qëllimi duhet të jetë që Kosova të ketë qëndrimin e saj dhe të di se si të mbrohet shteti dhe të avancohen të drejtat tona si shtet në tryezën e diskutimeve”, tha Krasniqi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.

Por, ky proces është ndërprerë në vitin 2018, pasi Serbia si pengesë e ka parë taksën 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut dhe presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut.

Por, siç ka thënë ai, “ne ruajm të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t'i jepet shans dialogut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të shtunën ka thënë se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.

Vuçiq po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe është duke pritur propozimin.

Ndikimi ekonomik i taksës

Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve politike ka pasur ndikim edhe në aspektin ekonomik. Përfaqësues të komuniteteve të biznesit, theksojnë se në aspektin ekonomik efektet kanë qenë pozitive.

Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës thotë se gjatë kësaj periudhe është rritur kapaciteti prodhues i kompanive vendore. Por, që sipas tij, në disa raste ka pasur rritje të çmimeve për shkak se disa nga prodhuesit e Kosovës lëndën e parë e kanë siguruar nga Serbia për shkak të afërsisë gjeografike.

Megjithatë, Rukiqi pohon se edhe pas shfuqizimit të masës se reciprocietit, Kosova ka ligje që mundësojnë mbrojtjen e produkteve vendore.

“Ne e kemi diskutuar edhe më herët në momentin që kjo (taksa) ka filluar të bëhet pjesë e instrumenteve të luftës politike për ne nuk ka pasur rëndësi. Ajo që ne kërkojmë është se pavarësisht a ka vendim administrativ për reciprocitetin apo jo, Kosova ka ligje më të cilat i mundësohet të mbrojë tregun dhe të veprojë në rast se Serbia krijon barriera për produktet tona”, tha Rukiqi.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti.

Kurse, gjatë zbatimit të taksës, Serbia ishte pothuajse eksportuesja më sasinë më të vogël të produkteve në Kosovë.

Ndërkaq, gjatë ditës se hënë, pas shfuqizimit të masave të reciprocitetit, sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, nga Serbia në territorin e Kosovës kanë hyrë 20 maune me produkte serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG