Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ka mbetur mision simbolik, por, përderisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, ky mision do të ekzistojë në Kosovë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sipas tyre, UNMIK-u nuk është i zhveshur nga pushteti, pavarësisht që nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë atë pushtet për të rrëzuar vendimet e institucioneve të Kosovës.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë që në aspektin politik, Rezoluta 1244 e OKB-së është tërësisht joefektive dhe UNMIK-u tashmë ka një mision mjaft të cunguar.
SHIKONI EDHE: Largimi i UNMIK-ut do ta gëzonte Prishtinën e hidhëronte BeogradinSipas tij, në mënyrë efektive UNMIK-u nuk kryen asnjë punë, përveç atyre të komunikimit për çështje të sigurisë me botën e jashtme, gjë që, siç thotë ai, është pasojë e mos-konsolidimit të tërësishëm të shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar. Megjithëkëtë, Hasani thekson që, në aspektin juridik, UNMIK-u vazhdon të ekzistojë.
“UNMIK-u ekziston dhe akoma është në fuqi, sepse Rezoluta 1244 (e OKB-së) është në fuqi dhe bën pjesë në rendin juridik të Kosovës përmes Deklaratës së Pavarësisë, me të cilën Kosova kur e ka shpallur pavarësinë, në mënyrë shprehimore ka marrë zotim të njëanshëm ndërkombëtar, me të cilin respekton Rezolutën 1244, për aq sa ajo nuk bie ndesh me konceptin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Do të thotë, në këtë kuptim duhet parë aspekti juridik”, thotë Hasani.
(Mos)Komunikimi me UNMIK-un
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tri ditë më parë, ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk komunikojnë më me UNMIK-un
“Tash, ne si Kosovës, e kemi shkëputur komunikimin me UNMIK-un. Pra, nuk po komunikojmë më me ta”, ka thënë Haradinaj.
SHIKONI EDHE: Qeveria e Kosovës “nuk e njeh më UNMIK-un”Për më shumë, zyrtarët e kabinetit të kryeministrit Haradinaj, kanë theksuar që Qeveria e Kosovës e ka shkëputur edhe “komunikimin e kurtuazisë” dhe që nuk shohin “asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK”.
Politologu Rramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që deklarata e kryeministrit Haradinaj lidhur me UNMIK-un, është krejtësisht politike dhe animon dhe krijon një opinion të caktuar, por nuk mund të jetë deklaratë që sjell vendim juridik.
“Deklarata e kryeministrit Haradinaj, politikisht dëshiron të arrijë një qëllim të caktuar dhe të japë porosi që ky mision e ka përfunduar punën e tij dhe që më në Kosovë nuk është i nevojshëm. Së dyti, dëshiron të theksojë që Kosova ka kryeministër të fuqishëm dhe një qeveri shumë të përkushtuar, e cila është partnere para faktorit ndërkombëtar dhe e cila merr vendimet në mënyrë sovrane për territorin e vet. Efekti juridik është zero në këtë çështje”, vlerëson Tahiri.
Por, Halil Matoshi, këshilltari politik i kryeministrit Haradinaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ripërsërit qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se kjo qeveri nuk e njeh UNMIK-un.
“Praktikisht, Qeveria e Kosovës nuk e njeh më një strukturë të tillë në vendin tonë. Ata janë një mision që është relikt i para pavarësisë së Kosovë, do të thotë i Rezolutës 1244 dhe mund të qëndrojnë si mysafir. Nuk i ngucë askush, por ata nuk kanë ndonjë rol në sistem, përkatësisht në qeverisjen ne vend, sepse tash Kosova është një vend sovran dhe merr vendime sovrane”, thotë Matoshi.
SHIKONI EDHE: UNMIK-u vazhdon rolin ndërmjetësues mes Kosovës dhe INTERPOL-itNë anën tjetër, zyrtarët e UNMIK-ut, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, kanë bërë me dije që komunikimi i ndërsjellë nuk është shkëputur e sidomos kur bëhet fjalë për fushën e sigurisë.
Zyra e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë funksionon edhe si zyrë komunikimi ndërmjet institucioneve të Kosovës me Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë- INTERPOL.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se UNMIK-u vazhdon të luajë edhe më tej këtë rol “si ndërmjetësues me INTERPOL-in, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, po nuk ka dashur të komentojnë rastet specifike.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se vazhdon të bashkëpunojë me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë sa i përket fushës së sigurisë.
SHIKONI EDHE: Ministria e Brendshme e Kosovës konfirmon bashkëpunimin me UNMIK-unSipas zyrtarëve të kësaj ministrie “me INTERPOL-in komunikohet në baza ditore dhe rreth 40 për qind të këtij komunikimi zhvillohet përmes UNMIK-ut. Në rreth 60 për qind të rasteve tjera, Policia e Kosovës shfrytëzon linja tjera të komunikimit”.
Një marrëveshje Kosovë-Serbi e shuan UNMIK-un
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.
SHIKONI EDHE: Thaçi: Koha e misioneve të huaja ka mbaruar – Kosova zot në shtëpinë e sajPor, politologu Tahiri thotë se institucionet e Kosovës nuk mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në heqjen misionit UNMIK nga Kosova.
“Ky mision hiqet me të njëjtën procedurë, me të cilën është vendosur. Do të thotë, ky mision hiqet me heqjen e Rezolutës 1244. Faktikisht, deri sa të jetë Rezoluta 1244, UNMIK-u i qon raportet të Sekretari i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i qon raportet për Këshillin e Sigurimit dhe i njofton vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara për situatën dhe gjendjen në Kosovës”, thotë Tahiri.
Ndërkaq, profesor Hasani thekson që rezoluta të ngjashme me Rezolutën 1244, si dhe misione të ngjashme si UNMIK-u, ka përplot nëpër botë, të cilat zgjasin me dekada të tëra dhe janë joefektive dhe pa peshë. Rezolutat, sipas tij, nuk kanë afat kohor dhe përfundojnë vetëm me një rezolutë tjetër, me të cilën konstatohet se misioni e ka përmbushur qëllimin e tij, sipas Kartës së OKB-së, Kapitulli i shtatë.
Sipas tij, edhe misioni i UNMIK-ut, por edhe Rezoluta 1244, do të mund të zgjasin derisa Serbia do ta kontestojë shtetësinë e Kosovës.
“Evropa ka ndikim primar për sa i përket integrimit të Kosovës në strukturat rajonale, në shumë aspekte që lidhen me dialogun. Sipas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme, Evropa është lehtësuese dhe ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi. Në momentin që të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve, atëherë edhe Këshilli i Sigurimi, në mënyrë automatike, çdo marrëveshje rajonale-që bëhet nën aranzhimet që quhen rajonale, siç është Bashkimi Evropian - duhet ta legalizojë pa asnjë vërejtje dhe ta përmbyllë atë proces”, thekson Hasani.
Sidoqoftë, Prishtina zyrtare ka kërkuar edhe më herët që misioni i UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.
Së fundmi, në mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është raportuar dhe diskutuar për situatën në Kosovë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Jonathan Cohen, ka thënë se UNMIK-u e ka përmbushur misionin e vet dhe se tashmë ka laluar koha për zvogëlimin e misionit të tij.
Ngjashëm është shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë në OKB, Kristof Hojsgen, i cili ka bërë thirrje për nj vlerësim strategjik të misionit të UNMIK-ut në përputhje me gjendjen në terren, duke theksuar që mjaft detyra të UNMIK-ut mund t’i marrin organizatat tjera.