Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka konfirmuar se vazhdon të bashkëpunojë me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë sa i përket fushës së sigurisë.
Mentor Tahiri, shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës, në vitin 2011, ka formuar Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), në kuadër të së cilës funksionin veç tjerash edhe Sektori për INTERPOL. Përmes kësaj drejtorie gjithashtu bashkëpunohet edhe me EUROPOL-in.
“Policia e Kosovës është në nivel të lartë të përgjegjësisë në çdo bashkëpunim ndërkombëtar. Me INTERPOL-in komunikohet në baza ditore dhe rreth 40 për qind të këtij komunikimi zhvillohet përmes UNMIK-ut. Në rreth 60 për qind të rasteve tjera, Policia e Kosovës shfrytëzon linja tjera të komunikimit”, ka thënë Mustafa.
Më herët, zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Sanam Dolatshahi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk i kanë ndërprerë të gjitha kontaktet dhe komunikimin, ashtu siç kishte deklaruar të mërkurën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“UNMIK-u vazhdon të përmbushë rolin e tij si ndërmjetësues me INTERPOL-in, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, ka theksuar Dolatshai.
Deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës dhe ato të zyrtarëve të UNMIK-ut, bien ndesh me deklaratat e kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë theksuar se e kanë ndërprerë komunikimin dhe nuk e njohin më Misionin e Kombeve të Bashkuara-UNMIK, si strukturë përfaqësuese në Kosovë.