Sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, siç është korrupsioni, mungesa e llogaridhënies, besimi i duhur të cilin do të duhej ta kishte nga qytetarët, por edhe sfida të tjera. Kështu u tha të shtunën nga drejtues të institucioneve të Kosovës, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë në konferencën e Shtatë Gjyqësore të Republikës së Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova, që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash, ka ndërmarrë veprime me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.
"Ju jeni ata që e keni këtë detyrë të shenjtë para vetes, para popullit dhe para ligjit. Profesionalizmi, paanshmëria dhe pavarësia e juaj e rrit besueshmërinë e sistemit tonë gjyqësor, ndërsa sigurimi i qasjes së barabartë në gjykata e rrit edhe më tej besueshmërinë e qytetarëve karshi gjykatave. Pa dyshim që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në mbështetjen tuaj, për t’i arritur synimet dhe qëllimet për një sistem gjyqësor të mirë-organizuar, profesional, të pavarur, të paanshëm dhe në shërbim të shoqërisë”, tha Thaçi para gjyqtarëve.
Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se aktualisht besimi në sistemin e gjyqësisë nga ana e qytetarëve, është i ulët.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor në tërësi.
"Është fakt se aktualisht, besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është në kuota të ulëta. Është fakt se media ka zbuluar raste të korrupsionit edhe në sistemin e drejtësisë. Korrupsionin në pushtetin gjyqësor është më i dëmshmi dhe më i rrezikshmi”.
“Në radhë të parë, ne gjyqtarët duhet të rrisim profesionalizimin dhe të formojmë integritetin si e kundërta e korrupsionit. Ka më shumë vend për transparencë e komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm me publikun. Ka më shumë vend për debat, analiza e kritika profesionale të vendimeve gjyqësore”, u shpreh Peci.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë, është prioriteti i tij kryesor. Ai tha, po ashtu, se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në luftimin e korrupsionit.
"Siç e dini të gjithë, forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë është prioritet yni kryesor. Me këtë nënkuptoj ta ndihmojmë Kosovën në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit. Ne jemi mbështetës të fuqishëm të sundimit të ligjit në Kosovës dhe përqendrohemi në veçanti në rritjen e llogaridhënies transparente dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë", tha Delawie.
Në fjalën e tij, ambasadori amerikan tha, po ashtu, se pret nga krerët e institucioneve të Kosovës, nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, që të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, theksoi se për ta rritur përgjegjshmërinë, janë duke i konsoliduar ligjet që do të jetë një reformë e thellë për llogaridhënie dhe përgjegjësi në sistemin gjyqësor.
"Për ta rritur efikasitetin, jemi duke konsoliduar qasje të reja që mundësojnë shqyrtim më të shpejtë të lëndëve, si dhe jemi duke i fuqizuar masat alternative të zgjidhjes së kontesteve. Për të arritur përgjegjshmërinë, jemi duke e konsoliduar legjislacionin, e që do ta quaj një reformë të thellë në mendësinë tonë rreth llogaridhënies dhe përgjegjësisë që duhet ta ketë sistemi gjyqësor", tha Tahiri.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, foli për të arriturat e KGJK-së, duke thënë se ndër të arriturat kryesore është integrimi i gjykatave në veri në sistemin e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel përmes dialogut.
"Si rrjedhojë e detyrimeve që dalin nga ‘Marrëveshja për Drejtësi’ e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kemi arritur që të integrojmë në sistemin gjyqësor të Kosovës, gjithsejtë 42 gjyqtarë nga komunitetet jo-shumicë, shto kësaj edhe stafin mbështetës administrativ, ku gjithsej 106 zyrtarë mbështetës janë rekrutuar për të mundësuar mbështetje adekuate administrative për gjyqtarët", shpjegoi Idrizi.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit, qoftë kur flitet për joefikasitet në punë, pastaj mospërmbarim të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.
Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej ballafaqohen me problemin e zvarritjes së procedurave për shqyrtim të lëndëve, si dhe me drejtësi joefektive.
Organizatat joqeveritare në Kosovë, që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se krahas problemeve në vonesat e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe prokurori, ka probleme edhe me kategorizimin e lëndëve, të cilat duhet të jenë me prioritet për shqyrtim.