Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dominuar shpesh deklaratat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës. Gati në të gjitha takimet ata kanë folur për një shtet ligjor dhe për zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Në një rast, kryeministri në largim, Isa Mustafa, mesh tjerash, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e ashpër dhe se angazhimi në këtë drejtim është marrë seriozisht.
“Më përgjegjësi mund të them se gjatë këtyre viteve kemi punuar me përkushtim të plotë që të zbatojmë ligjin dhe të eliminojmë korrupsionin. Ne kemi fuqizuar kapacitetet tona institucionale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar me themelimin e ekipeve hetuese shumë disiplinore, me krijimin e mekanizmave përcjellës për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe me forcimin e departamentit për krime të rënda”, ka thënë Mustafa.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se zotimet për një shtet ligjor dhe zero-korrupsion nuk u përmbushën në nivelin e duhur nga Qeveria në largim e Kosovës, e cila për afro tre vjet është udhëhequr nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se problemi më i madh në luftën kundër korrupsionit është paraqitur te mungesa e vendimeve finale të gjykatave.
“Kemi vërejtur një trend të shtimit të aktakuzave, por nuk kemi ende vendime finale të gjykatave, sidomos për raste të nivelit të lartë... Kur kemi zhvilluar një anketë, ka dalë se 46 për qind e të anketuarve mendojnë se zyrtarët qeveritarë dhe deputetët janë të përfshirë në dukurinë e korrupsionit. Dhe, në shumë raste, perceptimi është një pasqyrim i realitetit”, thotë Canhasi, i cili, megjithatë, sheh edhe disa gjëra pozitive.
“Jo gjithçka është e zezë në këtë drejtim; duhet të ceket një trend pozitiv: ministrat janë larguar nga pozitat me fillimin e aktakuzave dhe uroj që edhe qeveria e ardhshme ta aplikojë të njëjtën gjë”, shprehet Canhasi.
Dëmet që kriza politike ia shkaktoi ekonomisë
Kryeministri në largim i Kosovës, Mustafa, pati liruar nga detyra ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, pasi Kryeprokurori i Shtetit pati ngritur akuza kundër tij për shpërdorim detyre.
Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës, në akuzën ndaj Aganit, pati përfshirë edhe dhjetëra persona të tjerë, kryesisht mjekë të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, nën dyshimet se kanë keqpërdorur fondet për dërgim të pacientëve për shërim jashtë Kosovës.
Dukuria e korrupsionit ka pasur ndikimin e vet edhe në ekonomi. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se zhvillimi ekonomik e ka pësuar.
“Kemi dy raporte të institucioneve ndërkombëtare ku thuhet se ekonomia joformale është rritur nga 35 në 38 për qind, ndërsa edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë në rritje”, thekson Shahini.
Korrupsioni i lidhur me moszbatimin e ligjeve dhe gjyqësorin jo efikas
Organizata Transparency International, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016, e ka radhitur Kosovën në vendin e 95-të - me 36 pikë - në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport.
Krimi ekonomik dhe korrupsioni janë cilësuar si sfida për Kosovën edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian.