Klima e të bërit gazetari në Kosovë është duke u rënduar dhe këtë e tregon edhe rritja e rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, thotë Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Muhamet Jahiri, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, shpreh mendimin se që nga muajt e parë të vitit 2020 e deri më tash, është shënuar periudha më e vështirë në dy dekadat e fundit për mediat dhe gazetarët.
SHIKONI EDHE: Pse Kosova shënoi rënie në lirinë e mediave?Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias, e cila shënohet më 3 maj, e gjen Kosovën me liri të përkeqësuar të medias, kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19, vështirësive financiare dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve që mbesin të pandëshkuara, vlerëson Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias. Për më shumë, sipas saj, në përkeqësimin e gjendjes ka ndikuar qasja e fillestare dhe e gabuar e pushtetit ndaj medias. Shembull për këtë, siç thotë ajo, është edhe incidenti me portalin online Insajderi, që sipas saj, eskaloi deri në masën e ndërhyrjes flagrante të policisë dhe prokurorisë përballë të drejtës së gazetarëve për të mbrojtur burimet.
Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit, të publikuar më 20 prill, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut në botë, për vitin 2020, kur bëhet fjalë për Kosovën, në pjesën ku flitet për lirinë e shprehjes dhe për mediat, është thënë që ekzistojnë raporte të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, janë përpjekur t’i frikësojnë përfaqësuesit e medias.
Sistemi i drejtësisë “dekurajon gazetarët”
Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), thotë që gjatë tre vjetëve të fundit, është shënuar rritje të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve. Sipas saj, në vitin 2018 janë shënuar 17 raste për të cilat AGK-ja ka reaguar, në vitin 2019 janë shënuar 21 raste, ndërkaq në vitin 2020, janë shënuar 24 raste. Që nga fillimi i vitit 2021 e deri më tash, AGK-ja ka reaguar në gjashtë raste, që janë sulme fizike, përdorim i gjuhës linçuese dhe seksiste, kërcënime dhe pengime në detyrë të gazetarëve.
Siç thotë Begolli, ekziston një marrëveshje me institucionet e drejtësisë që rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritet, por kjo nuk ka ndodhur.
“Të gjithë kolegët tanë që janë të sulmuar, kanë shqetësime e tyre për sa i përket prolongimit të rasteve në sistemin e drejtësisë. Kjo, realisht është duke i dekurajuar çdo ditë e më shumë rastet në organet përkatëse, marrë parasysh që sa më i fortë të jetë sulmuesi, aq më shumë prolongohet rasti. Andaj, të gjitha këto të dhëna që janë raportuar së fundmi në raportet ndërkombëtare, tregojnë realitetin e sotëm në Kosovë dhe që klima e të bërit gazetari, çdo ditë e më shumë është duke u rënduar në vendin tonë”, theksoi Begolli.
SHIKONI EDHE: Drejtësi joefektive për sulmet ndaj gazetarëvePërkeqësimi i klimës për të bërë gazetari, sipas Muhamet Jahirit, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka disa arsye. Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, ndër shkaqet kryesore është skena e armiqësuar politike, e cila ka reflektuar mbi mediat dhe ato shumë herë janë cenuar, kërcënuar, si dhe janë sulmuar fizikisht gazetarët. Për më shumë, sipas tij, gjendja e vështirë ekonomike nëpër të cilën po kalojnë mediat, është një nga shkaktarët që e ka vështirësuar punën e tyre, si dhe situata me pandeminë e cila edhe më shumë ka rënduar këtë gjendje.
“Është shfrytëzuar situata e pandemisë për të rritur presionin mbi mediat dhe për t’i drejtuar ato t’i nënshtrohen grupeve të ndryshme politike apo grupeve të interesit. Një gjë e tillë është reflektuar edhe në raportin e Reporterëve pa Kufij, ku Kosova ka humbur tetë vende në renditjen e përgjithshme. Për këto tetë vende të humbura do të duhet një kohë e gjatë të rikuperohen, sepse gjendja po vjen duke u keqësuar dhe realisht, sot në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, kemi një gjendje të vështirë të gazetarëve dhe të mediave në përgjithësi”, theksoi Jahiri.
Probleme të reja, por edhe sistematike
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në Kosovë ka probleme sistematike, por edhe probleme të reja që kanë nisur së fundmi.
“Ta zëmë, siç është ky abuzimi online që po ndodh, sidomos kundër gazetareve gra, por edhe në përgjithësi ndaj gazetarëve. Por, kemi edhe probleme sistematike që janë duke u thelluar, siç janë: gjendja financiare e mediave dhe problemi i kualitetit të përmbajtjes. Besoj që problemi kryesor te ne është mungesa e vetqëndrueshmërisë financiare, për të cilën ende nuk po munden mediat të gjejnë zgjidhje – përgjegjësi këtu ka edhe shteti – dhe pastaj, prej asaj rrjedhin plot probleme të tjera, si vetcensura, kualiteti i dobët i raportimeve dhe të tjera”, vlerësoi Kusari.
SHIKONI EDHE: Si është të jesh gazetar në kohën e koronavirusit?Ajo shtoi se sfidë shumë e madhe mbetet çështja e sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe mungesa e rezultateve në hetimin e atyre sulmeve.
Begolli: Të gjenden modalitete për të ndryshuar gjendjen
Adresimi i problemeve me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në përgjithësi në Kosovë, siç thotë Gentiana Begolli nga AGK-ja, është shtruar në mjaft konferenca vendore dhe ndërkombëtare. Sipas saj, janë kërkuar edhe modalitetet se si të gjenden zgjidhjet, por sipas Begollit, është mjaft problematike të ndërhyhet në zgjedhjet që kanë bërë mediat e caktuara për sa i përket financimit të tyre. Në disa raste, media të caktuara, sipas saj, nuk e shohin si shumë të rëndësishme interesin e publikut, në krahasim me interesimin e publikut.
SHIKONI EDHE: Kosova pa asnjë gazetë të shtypur“Realisht ne po bëjmë thirrje që të gjenden modalitetet dhe të ndryshohet kjo gjendje, marrë parasysh që e ka zbehur edhe punën tonë si gazetarë dhe besueshmërinë në media. Mirëpo, çfarë ndoshta do të bëhet në të ardhmen, është një kontribut më i madh për fuqizimin e mediave që janë të pavarura financiarisht dhe profesionalisht, në mënyrë që ato të vendosin një standard të gazetarisë në vendin tonë”, u shpreh Begolli.
Jahiri: Të mos tolerohet presioni i politikës
Për përmirësimin e klimës së të bërit gazetari në Kosovë dhe në përgjithësi përmirësimit të lirisë së mediave, Muhamet Jahiri vlerëson që mediat duhet të bëjnë presion mbi politikën dhe institucionet, që t’i lënë të lira mediat dhe jo, siç thotë ai, që politikanët e ndryshëm të luajnë rolin e redaktorëve të lajmeve dhe informacioneve dhe t’iu bëjnë presion gazetarëve apo mediave se si duhet të raportojnë.
“Do të duhej të ishte e patolerueshme nga ana e mediave, sepse në qoftë se tolerohet një gjë e tillë prej politikës dhe pushtetit, kjo do të ndikonte që ato gradualisht ta humbin edhe lirinë e tyre të plotë, por në të njëjtën kohë edhe të humbin edhe kontributin e tyre në promovimin e vlerave dhe të demokracisë së vendit”, theksoi Jahiri.
Kusari: Një strategji kombëtare për mbrojtjen e mediave dhe gazetarëve
Flutura Kusari shpreh mendimin se qeveritarët e vendit, duke nisur nga kryeministri, por edhe njerëzit tjerë që mbajnë pushtetin qoftë në kuvend, qoftë në institucione tjera, duhet të nisin menjëherë hartimin e strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit për mbrojtjen e gazetarëve.
“Ajo duhet të bazohet në dy shtylla. Pra, në sigurinë e gazetarëve dhe reduktimin e abuzimeve që ndodhin online. Në qoftë se një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë kjo do të ishte një indikator shumë i mirë nga ana e pushtetit të ri, se janë të interesuar që, së pari, të mos përkeqësohet gjendja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave dhe së dyti, të tregojnë që janë të interesuar ta përmirësojnë atë”, theksoi Kusari.
SHIKONI EDHE: Gazetarët flasin për sulme, kërcënime e shantazheAjo shtoi se në rast se Qeveria aktuale e Kosovës do të vazhdojë që të mos bëjë asgjë për ta përmirësuar gjendjen lidhur me lirinë e mediave, Kosova do të përfundojë në listën e vendeve ku të bërit gazetari lirshëm është bërë gati se e pamundur.
Gjatë vitit 2020, sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në këtë institucion janë paraqitur 35 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Aktakuzat janë ngritur në pesë raste. Sipas kësaj zyreje, në 14 raste nuk kanë filluar fare procedurat penale, për shkak se gazetarët nuk i kanë paraqitur rastet në polici apo në prokurori ose thjesht, prokurori nuk ka gjetur elemente të veprës penale. Ndërsa, për 17 raste të tjera, procedurat janë në verifikim të informacioneve.
Nga të gjitha këto raste, vetëm në një rast gjykata ka marrë vendimin e formës së prerë.