Që nga mbarimi i luftës së fundit në Kosovë, 15 gazetarë konsiderohet të jenë vrarë, por asnjë person nuk është gjykuar apo nuk ka dalë para drejtësisë. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, organizata “Freedom House” e ka renditur Kosovën në vendin e 75-të.
Ndërkaq, në dy vitet e fundit, sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, janë shënuar 41 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Bëhet fjalë për sulme fizike, kërcënime e dëmtim prone.
Gazetari Betim Musliu thotë se të jesh gazetar në Kosovë, është shumë e vështirë, pasi që ka sfida që e pamundësojnë ushtrimin e profesionit në mënyrë krejtësisht të pavarur, të paanshme dhe profesionale për shkak të barrierave që krijohen në kufizim të qasjes në informacione të ndryshme.
“Personalisht, mund të ndaj përvoja që gjatë karrierës sime jam përballur me shantazhe, presione e kërcënime të ndryshme e që janë munduar të më zmbrapsin në ushtrimin e profesionit tim. Por, zhgënjimi im është me institucionet e drejtësisë, të cilat asnjëherë nuk kanë pasur veprime adekuate për t’i drejtuar, qoftë rastet ndaj meje, ose kolegëve të mi”, thekson Musliu.
Ai thotë se deri më tani, asnjë rast i vrasjeve, kërcënimeve apo tentim-vrasjeve ndaj gazetarëve, nuk është zgjidhur. Sipas tij, vrasjet enigmatike dhe moszbardhja e tyre janë ato që shumë gazetarë i kanë bërë të zmbrapsen në ushtrimin e profesionit të tyre.
“Bazuar në informacionet që i kam si gazetar, por edhe si institut (Instituti i Kosovës për Drejtësi), asnjë rast i vrasjeve prej pas luftës nuk është zgjidhur. Sistemi i drejtësisë nuk u ka dhënë prioritet këtyre rasteve. Unë kam qenë i kërcënuar me jetë dhe kërcënuesi im është dënuar nga gjykata me gjobë qesharake prej 300 eurosh, derisa nuk ka arritur që të zbatohet në praktikë pasi ka arritur afati i parashkrimit. Ky është një zhgënjim i thellë për mua dhe kolegët e mi gazetarë”, shton Musliu.
Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se ky asociacion në vazhdimësi është kujdesur që të kërkojë drejtësi për gazetarët e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur në Kosovë dhe nuk do të ndalet asnjëherë deri në daljen para drejtësisë të atyre që kanë bërë krime.
Ajo kritikon institucionet e drejtësisë, të cilat, sipas saj,nuk po bëjnë aq sa duhet për zgjidhjen e lëndëve për komunitetin e gazetarëve.
“Ne, si AGK, dhe komunitet i gazetarëve, kemi parë një tendencë në rritje të institucioneve shtetërore për t’u barrikaduar dhe për të na bërë të pamundur kryerjen e punës sonë. Kjo është shqetësuese dhe besojmë që një klimë e tillë e të bërit gazetari, nuk dëmton vetëm kolegët tonë, dhe vështirëson kryerjen e misionit tonë në informim dhe raportim për të vërtetën, por kjo dëmton në masë të madhe edhe aspiratën tonë të përbashkët për krijimin e një shoqërie demokratike, ashtu siç e proklamojnë në tërësi çdo ditë krerët e institucioneve tona”, thotë Begolli.
*Video nga arkivi: Nga censura deri në vrasje
Ndryshe, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një instalacioni ka shfaqur shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve që janë bërë gjatë këtyre viteve.
Ndër të tjerë, në instalacion protagonist ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët përdorin gjuhë fyese ndaj gazetarëve.
Megjithëkëtë, vetë presidenti Thaçi nëpërmejt një postimi në Facebook, ka shkruar se “Liria e Kosovës i ka rrënjët edhe në lirinë e shtypit”.
“Ishin mediat e lira ndërkombëtare, të cilat pa censurë informuan botën për qindra masakra, për vuajtjet dhe spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë. Më 1998-1999, liria e shtypit fitoi mbi censurën”, ka shkruar Thaçi.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.