Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka nisur vizitën e tij në Kinë, më 4 nëntor, ku është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping.
Kancelari Scholz është lideri i parë i G7-s që viziton Pekinin që nga pandemia COVID-19.
Por, udhëtimi i tij ka ngjallur polemika në Gjermani dhe shqetësime në Evropë.
Kjo vizitë pason një debat të ashpër brenda Qeverisë në Berlin, ku të paktën gjashtë ministra reaguan pas lajmit se një kompani kineze ishte gati të blinte një pjesë të konsiderueshme të aksioneve në portin e Hamburgut.
Marrëveshja, thonë ata, do t'i jepte Kinës ndikim të rëndësishëm mbi infrastrukturën kritike gjermane. Kujdes kërkuan edhe shërbimet gjermane të sigurisë.
SHIKONI EDHE: Kriza e energjisë imponon rend të ri në EvropëPor, kancelari gjerman u shpreh këmbëngulës se kjo marrëveshje duhej të realizohej.
Dhe, askush nuk e di saktësisht pse Scholz po këmbëngulë në këtë marrëveshje. Thuhet se ai është i afërt me autoritetet e qytetit, të cilët thanë se marrëveshja përfaqësonte një investim jetik.
Por, ka të tjerë që dyshojnë për një motiv të fshehtë, se gjoja Olaf Scholz nuk donte të shkonte në Pekin pa një "dhuratë" për Xi Jinping.
Kjo ka ngritur shqetësime.
Kancelari gjerman ka marrë me vete në delegacion edhe drejtues biznesesh gjermane.
Kjo ishte praktikë standarde e paraardhëses së tij, Angela Merkel, e cila ndoqi politikën “ndryshimi përmes tregtisë", duke besuar se lidhjet ekonomike mund të ndikojnë në marrëdhëniet politike me vendet si Kina dhe Rusia.
Vizita e kancelarit po realizohet në një kohë të vështirë pas Kongresit Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze, në të cilin presidenti Xi forcoi kontrollin e tij mbi pushtetin dhe ngriti shqetësimet në Perëndim për qëllimet e tij ndaj Tajvanit.
"Sinjali që po dërgohet është se ne duam të zgjerojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin tonë ekonomik - kjo duhet vënë në pikëpyetje", thotë Felix Banazsak, një politikan nga Partia e Gjelbër, partner në Qeverinë e koalicionit të Scholzit.
SHIKONI EDHE: Baerbock bën thirrje për kujdes në marrëdhëniet me KinënTë Gjelbrit kanë kërkuar prej kohësh që Gjermania të mbajë linjë më të ashpër ndaj Kinës. Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Jashtme e partisë, Annalena Baerbock, tha se Qeveria e Scholzit erdhi në pushtet duke premtuar se do të rishikonte strategjinë e saj për Kinën.
Banazsak thotë se vendi i tij duhet të mësojë nga varësia që ka nga energjia ruse: "Ne duhet ta bëjmë veten sa më të pavarur nga shtetet individuale, veçanërisht nëse këto janë shtete që nuk ndajnë vlera të njëjta me tonat".
Scholz do të jetë shumë i vetëdijshëm për kompleksitetin e lidhjeve të vendit të tij me Kinën, e cila mbetet partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, megjithëse Gjermania importon më shumë sesa eksporton.
Më shumë se një milion vende pune gjermane varen nga kjo marrëdhënie. Shembull është gjiganti i makinave, Daimler, i cili shet më shumë se një të tretën e automjeteve të tij në Kinë.
Në gjysmën e parë të këtij viti, bizneset gjermane investuan në Kinë më shumë se kurrë më parë. Kompania kimike, BASF, sapo ka hapur një fabrikë të re në Kinën jugore dhe pret të investojë 10 miliardë euro në vend deri në fund të kësaj dekade.
Në prag të vizitës, kreu i Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve tha se Gjermania mbështetet te Kina për lëndët e para dhe paralajmëroi se "ndërprerja e lidhjeve" do të ishte një gabim ekonomik dhe gjeostrategjik.
Kancelari Scholz do të kalojë më pak se 12 orë në Pekin. Qëllimi i vizitës, tha ai para udhëtimit të tij, ishte që të gjente se sa ishte ende i mundur bashkëpunimi - sepse "botës i duhet Kina" në luftën kundër pandemisë globale dhe ndryshimeve klimatike.
"Nëse Kina po ndryshon, atëherë qasja jonë ndaj Kinës duhet të ndryshojë", tha Scholz.
Udhëtimi i Scholzit ngjall reagime në Evropë
Gjermania është ekonomia më e fuqishme e BE-së dhe ndoshta anëtari më me ndikim, kështu që ajo që thotë dhe bën, ka rëndësi, shkruan BBC.
Shqetësimet më të mëdha të BE-së u injoruan nga ish-kancelarja, Angela Merkel, në favor të kontratave fitimprurëse të energjisë dhe tregtisë gjermane me Rusinë dhe Kinën. Ajo kërkoi masa shtrënguese të BE-së për vendet anëtare të Mesdheut gjatë krizës së eurozonës për të mbrojtur taksapaguesit gjermanë nga marrja e borxhit të përbashkët.
Olaf Scholz është pasardhësi i zonjës Merkel. Në mendjet e shumë liderëve të BE-së ai është më shumë sesa thjesht një emër.
Paketa e tij për t'i ndihmuar bizneset gjermane për t'i përballuar çmimet e larta të energjisë shihet se u jep atyre një avantazh të padrejtë konkurrues në tregun e përbashkët evropian.
Dhe, udhëtimi i tij në Kinë, i paralajmëruar, por jo i koordinuar me të tjerët në BE, ka tronditur mbarë Evropën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, së fundmi paralajmëroi Scholzin se ai rrezikonte të izolohej.
Derisa Evropa dhe Gjermania po heqin dorë nga varësia nga gazi rus, pyetja është kjo: A është Berlini i verbuar nga perspektiva e marrëveshjeve të biznesit, i lidhur shumë afër Kinës?
Presidenti Macron ka bërë presion prej vitesh që BE-ja të jetë më pak nën kontrollin e Pekinit. Kritikët e akuzuan atë për proteksionizëm.
SHIKONI EDHE: G7 kërkon nga Kina që të mos e ndihmojë RusinëPor, pas prishjeve globale të zinxhirit të furnizimit gjatë pandemisë COVID-19, "armatizimit" të importeve/eksporteve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe presidencës së Donald Trumpit, u bë e qartë se Evropa nuk duhet të mbështetet më kaq shumë te SHBA-ja sa i përket sigurisë.