Pavarësisht kërcënimeve kineze, Gjermania dhe Tajvani thonë se duan të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin dypalësh. Ligjvënësit gjermanë, të cilët vizituan këtë shtet, thanë se “ndajnë vlera të përbashkëta” me tajvanezët.
Klaus-Peter Willsch dhe pesë kolegë të parlamentit gjerman përfunduan vizitën e tyre zyrtare në Tajvan, në mes të tensioneve në rritje me Kinën.
"Ky vend bazohet në sundimin e ligjit, një strehë lirie në Azi", tha Willsch në një konferencë për media në Taipei.
Grupi parlamentar i miqësisë Berlin-Taipei takuan presidentin, Tsai Ing-wen, kryetarin e Kuvendit, You Si-kun, ministrin e Jashtëm, Joseph Wu dhe ligjvënës të tjerë tajvanezë, së bashku me përfaqësues të kompanive të teknologjisë dhe institucionet që fokusohen në sigurinë.
Willsch tha se Bundestagu e ka bërë të qartë në disa raste se kërcënimet ushtarake që vendet e mëdha ua bëjnë fqinjëve janë të papranueshme.
"Kjo nuk është mënyra se si ne e kuptojmë politikën ndërkombëtare", tha Willsch për sulmet kineze kundër Tajvanit.
Ai tha se vizita e tyre, delegacioni i parë zyrtar nga Gjermania që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në vitin 2019, tregon se shkëmbimi mes parlamenteve është rikthyer në normalitet.
Një tjetër deputet gjerman, Franz Schaffler tha se mësimi që kanë marrë nga pushtimi rus i Ukrainës është që “demokracitë duhet të mbështesin njëra-tjetrën”.
Ai tha se të dy palët duhet të thellojnë më tej lidhjet tregtare dhe ekonomike.
Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron ishullin demokratik pjesë të territorit të saj dhe kundërshton çdo formë të kontakteve zyrtare midis Tajvanit dhe vendeve të tjera.