Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime i ka propozuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që të shkarkojë nga detyra prokuroren Speciale, Katica Janeva, e dyshuar në rastin “Reketi” për çka edhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Raporti i Këshillit të Prokurorëve që përmban të gjitha materialet e organit të akuzës, përfshirë edhe dëshminë e vetë Janevës, është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët e komisionit.
SHIKONI EDHE: Rasti “Reketi”, test për pavarësinë e sistemit gjyqësorSeanca e komisionit është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak se përmban më shumë emra që mund të ndikojnë në hetimet për rastin. Por, kryetari i komisionit, Ilija Dimovski, ka deklaruar se nga përmbajtja që ka lexuar, ka elemente për shkarkimin e prokurores.
“Nga ajo që mund të shoh konsideroj se ka shumë elemente që Kuvendi të mund të vendosë. Nuk mund të flas më shumë, pasi e kam obligim ligjor të mos jap detaje pasi duhet të mbahen në fshehtësi. Unë respektoj qëndrimin se duhet të kihet kujdes me procedurat që kanë të bëjnë ndjekjen penale të Prokurorit Special, por në anën tjetër nuk mendoj se bëhet fjalë për çështje që do të rrezikojnte të drejtat e njeriut. Ka interes shumë të madh për këtë problematikë, andaj edhe mendoj se opinioni duhet të jetë i njoftuar”, ka deklaruar Dimovski.
Nga ana tjetër, prokurorja Speciale, Katica Janeva, nga burgu hetues ku ndodhet, ka kërkuar që të gjitha lëndët që janë ngritur nga Prokuroria Speciale, t'i dorëzohen Prokurorisë së rregullt.
SHIKONI EDHE: A po e rrezikon Prokuroria Publike datën e bisedimeve?Ndërkohë, Prokuroria Publike, siç bëhet e ditur, ka pranuar kërkesën dhe të gjitha lëndët e Speciales do të kalojnë në Prokurorinë e rregullt. Duke komentuar këtë zhvillim, një nga prokuroret e Speciales, Fatime Fetai, thotë se nuk është me rëndësi se kush do të ndjekë, por se të gjithë që kanë gabuar, të përgjigjen para ligjit.
“Mendoj se tani nuk duhet të na interesojnë gjërat e imëta dhe zhvillime të momentit. Duhet të shohim fotografinë më të madhe, qëllimin më të lartë, të gjejmë mënyrë që të gjitha ata që kanë gabuar të përgjigjen para ligjit”, thekson Fetai.
Kërkesa e Janevës dhe nisja e procedurës parlamentare për shkarkimin e saj nga detyra, ndodhin në kohën kur partitë ende nuk kanë arritur marrëveshje për ligjin e Prokurorisë Speciale.
Zgjidhja duhet të arrihet deri më 15 shtator, pasi atëherë skadon mandati i Prokurorisë Speciale me çka bien poshtë edhe 93 lëndët e kundër ish-zyrtarëve nëse nuk miratohet ligji, me të cilin parashihet kalimi i të gjitha lëndëve nën mandatin e prokurorisë së re kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.
Kryeministri Zoran Zaev është shprehur optimist se do të arrihet konsensus me VMRO DPMNE-në lidhur me çështjen kontestuese për lëndët e Speciales.
Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas mbledhjes së organeve partiake të mërkurën në mbrëmje në Tetovë ka theksuar nevojën për zgjidhje, pasi në të kundërtën, sipas tij, pasoja do të ketë edhe mbi procesin e integrimit evropian.
“BDI-ja ka qëndrim të fortë se duhet të respektohet Ligji për Prokurorinë Speciale Publike dhe të veprohet në pajtim me Ligjin për Prokurori...çdo devijim nga ky ligj ka pasoja për vendin dhe sistemin juridik të Republikës. Mendoj se ky zhvillim nuk do të ndikojë dhe nuk do të ketë pasoja mbi marrjen e datës për negociatat me BE-në”, ka deklaruar Ahmeti.
Edhe zyrtarë të tjerë vendorë, por edhe ndërkombëtarë kanë tërhequr vërejtjen mbi nevojën e miratimit të ligjit për Prokurorinë Publike, për të dëshmuar para BE-së se vendi është i gatshëm për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe më këtë nisjen e negociatave të anëtarësimit.