Afera korruptive e njohur si “Reketi” apo zhvatja, rast në të cilin përfshihet prokurorja e dorëhequr, Katica Janeva, kanë thelluar dallimet mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut, të cilët tani një kohë gjatë po bisedojnë për draft-ligjin e Prokurorisë Publike që duhej të zgjidhte edhe statusin e Prokurorisë Speciale.
Nga Lidhja Social-demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, thonë se pas skandalit qëndrojnë struktura të pushtetit të kaluar, që synojnë rrënimin e imazhit të vendit dhe humbjen e gjasave për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Të gjithë forcat e errëta janë të angazhuara për rrënimin e shtetit juridik dhe rrezikimin e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë së Veriut...Institucionet do të zbardhin edhe këtë rast pasi askush nuk do të mbrohet për shkeljet që ka bërë. Drejtësi do të jetë dhe opinioni do të dijë të vërtetën”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Nga VMRO DPMNE-ja opozitare thonë se pas skandalit qëndrojnë struktura të pushtetit dhe se tani nuk mund të bisedohet për Ligjin e Prokurorisë publike, por se qeveria duhet të jap dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Drejtësi në Maqedoni nuk do të ketë derisa Gjykata dhe Prokuroria të punojnë nën urdhrat e të amnistuarit Zoran Zaev. I gjithë opinioni tashmë e ka të qartë për gjithë atë që flitet e shkruhej me javë e muaj, Tashmë janë publikuar edhe video incizimet nga të cilat qartë duke se si dy të arrestuarit marrin 1.5 milion euro dhe në emër të Katica Janevës përcaktojnë punën e Prokurorisë Speciale...Pas këtyre publikimeve, Zoran Zaev, Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Publike tërësisht janë të komprometuara dhe nuk mund të jenë bartës të funksioneve shtetërore. Vendi ka nevojë për dorëheqjen e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-së opozitare duke hedhur poshtë akuzuar e qeverisë se opozita po punon kundër integrimeve evropiane.
Njohësit e çështjeve politike thonë se institucionet duhet të zgjidhin aferën, por nuk mendojnë se kjo do të reflektohet në çështjet e integrimit, meqë siç thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, Maqedonia e Veriut ka përmbushur kriteret për nisjen e bisedimeve me BE-në.
“Mendoj se më tepër kemi të bëjmë me mesazhe politike se sa me ndonjë kusht serioz për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, në veçanti nëse kemi parasysh faktin se vendi ka përmbushur të gjithë kushtet që kishte nga raporti i vitit të kaluar. Në të gjitha raportet dhe vlerësimet që janë dhënë këtë vit është thënë e Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha detyrat dhe duhet ‘ti jepet data e nisjes së bisedimeve. Prokuroria Publike përfshirë këtu Specialen janë shumë të rëndësishme, sikur edhe zgjidhja e rastit “reket”, para se gjithash për shkak të besimit në institucione andaj edhe presionet e jashtme i shoh si qëllimmira, por jo edhe si ndonjë kusht thelbësor për marrjen apo jo të datës së bisedimeve”, thotë Trashanovski.
Ndërkohë, nga Prokuroria thonë se janë duke punuar për zgjidhjen e rastit me zhvatjen e 1.5 milion eurove nga afaristi Orce Kamçev, ku dyshohet të jetë përfshirë edh prokurorja e dorëhequr, Katica Janeva.
Në media janë publikuar disa video nga një gazetë italiane në të cilën, sipas saj, shihet se si dy të arrestuarit për këtë rast marrin çantat me para nga afaristi ndërsa i premtojnë se me ndihmën e prokurores nuk do të shkonte në paraburgim për një vepër tjetër penale.